Brukseli, pa definicion të qartë rreth
Samitit të Ohrit dhe Kosovës

Brukseli, pa definicion të qartë rreth<br />Samitit të Ohrit dhe Kosovës
BRUKSEL - Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë mundur ta definojnë qartë, nëse Serbia ka shkelur apo jo marrëveshjen e arritur me Kosovën në rastin e samitit të Ohrit, ku si pasojë e kundërshtimeve të Beogradit, autoritetet e Maqedonisë nuk kishin ftuar për pjesëmarrje presidenten Atifete Jahjaga.
 
Samiti i Ohrit nuk është nën ombrellën e Bashkimit Evropian, por Brukseli kishte parashtruar bashkëpunimin ndërfqinjësor si një nga parakushtet e vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.
 
Maja Kociancic, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se “BE-ja mbështet bashkëpunimin dhe nismat rajonale”.
 
Ndërkohë, komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, ka shkruar sot në faqen e tij në Twitter, se “siç ishte planifikuar fillimisht do të jem në Ohër për takimin ministror. Ende duke punuar me të tjerët për gjithëpërfshirjen në mbledhjen e kësaj të premteje”.
 
Por, marrë parasysh që samiti i Ohrit nuk bën pjesë në nismat, që janë nën ombrellën e BE-së, Kociancic nuk ka mundur të definojë nëse me veprimet e fundit, Serbia ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
 
“Ju e dini qëndrimin tonë në lidhje me bashkëpunimin rajonal i cili është i rëndësishëm dhe se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës”, ka thënë Kociancic.
 
Ndërkohë, zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu ka thënë se bashkëpunimi ndër fqinjësor është një nga parakushtet për shtetet që aspirojnë integrimet evropiane.
 
Ai ka thënë se Serbia me kundërshtimin e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në samit ka ndikuar te autoritetet e Maqedonisë që presidentja Jahjaga të mos ftohet dhe me këtë veprim ka shkelur marrëveshjen.
 
“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë Samit është pamundësuar për shkak të kundërshtimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe kjo bie në kundërshtim me parimin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, si parakusht i integrimeve evropiane".
 
"Pengesat e paraqitura nga pala e tretë për pjesëmarrjen e saj në këto nisma janë në kundërshtim me marrëveshjen në Bruksel me të cilën asnjëra palë nuk do të pengojë dhe as inkurajojë dikë tjetër, që të bllokojë përparimin në rrugën e integrimeve”, ka thënë Vllahiu.
 
Jo vetëm presidenca, por edhe analistët në Prishtinë mendojnë se Serbia me ndikimin e saj tek autoritetet maqedonase ka shkelur marrëveshjen e arritur me Kosovën.
 
Analisti politik i proceseve integruese evropiane, Shenoll Muharremi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk po respekton marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja, por njëkohësisht ai ka kritikuar edhe qasjen e Bashkimit Evropian dhe të Maqedonisë në këtë rast.
 
“BE po tregohet e pafuqishme si garantues i zbatimit të marrëveshjeve. Ndërsa bashkëpunimi rajonal, është bashkëpunim rajonal pavarësisht nëse është nën ombrellën e BE-së apo jo. Prandaj, BE-ja nuk duhet të rri duarkryq ngase jo vetëm që po dëmton Kosovën në këtë rast por edhe kredibilitetin e saj në rajon. Kurse Maqedonia në këtë rast po bën një zgjidhje të gabuar për shkak se si vendi mikpritës ajo duhet t'ju dërgojë ftesat të gjitha vendeve fqinje”, ka thënë Muharremi.
 
Samiti i Ohrit bën pjesë në kuadër të nismave rajonale të Evropës Juglindore, ku marrin pjesë 11 shtete.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor