Speciale/ Rrugëtimi me pengesa i ‘K’cimit të Tropojës' drejt UNESCO-s

Mjaftojnë 5 lëvizje për të mësuar një ndër kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit që ruhet nga UNESCO. Ndërsa çdo motiv të kërcimit mund ta mësosh me tre lëvizje.

Është “K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni” i cili ka lindur në luginën e Tropojës, në “kamt dhe shpatullat” e Bjeshkëve. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.

“S’ka tropojan që nuk e kërcen.”

Kjo dashuri për k’cimin që ka lindur me ata vetë dhe këmbëngulja për t’i thënë gjithë botës se ai nuk duhet të humbasë i bëri bashkë Shoqatën “Kërcimi i Tropojës” që në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nisën rrugëtimin e gjatë drejt UNESCO-s.

Ideja e parë që “K’cimi i Tropojës” të ruhej nga UNESCO, ngjizi si dëshirë e brendshme midis tre miqve, të Skënder Hklajt, Mujë Buçpapajt dhe të të ndjerit Zog Hysenaj që nuk arriti ta shohë të finalizuar dëshirën e tij. Teksa ndondhej në emigracion në Itali, etnokoreografi Hklaj vuri re se se tradita e hershme e Tropojës po zhbëhej.

“Në vitin 2012 e filluam këtu në Tiranë. Miqtë jashtë më sugjeruan që nuk bëhet vetëm në Tiranë, bëhet aty ku është burimi, ku është djepi që përkund, dhe është e vërtetë, mua m’u mbush mendja menjëherë”, tregon etnokoreografi Skënder Haklaj.

“Diku deri në vitet ’90 ra edhe K’cimi edhe arti në përgjithësi. Por pas ardhjes së demokracisë i madhi Skënder Haklaj, iu fut shpirtërisht K’cimit të Tropojës dhe e ringjalli atë”, reagon Shaban Zenelaj, një ndër instrumentistët më të vjetër qendrës kulturore “Dardania” në Tropojë.

"Në vitin 2016 profesori pas emigracionit vjen tek Pallati i Kulturës dhe më thotë do më ndihmosh se kam një ide për të çuar K’cimin e Tropojës në UNESCO”, tregon Mjeshtrja e Madhe Bukurie Elezi Demiraj.

Studiuesja Rovena Vata iu bashkëngjit këtij projekti, pasi edhe ajo vetë është rritur me K’cimet e Tropojës.

“Unë jam rritur me k’cimin e Tropojës, di se çdo të thotë rënia e tupanit. Është një pasuri shpirtërore, që duhet të ruhet në UNESCO, dhe duhet të jemi të gjithë artdashësit edhe Shqipëria e Veriut në një mendje për këtë”, tregon Vata. 

Në vitin 2020 së bashkua me etnokoreografin Skënder Haklaj ishin në fazën e plotësimit të formularit dosjes për në UNESCO, i cili duhej të dorëzohej deri në mars të vitit 2021. Megjithatë ata u shprehën shpresëplotë për Report Tv se do t’ia dilnin mbanë.

“Jemi shumë optimistë. Kjo dosje jam e i bindur, që do të pranohet në UNESCO se i përket kombit, por edhe bota ka nis që ta përkrahë.”

Por rrugëtimi i kësaj pasurie kombëtare për t’u bërë pjesë e “Kryeveprave të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nuk ka qenë i lehtë.

‘Kemi pas shumë vështirësi, siklete, shumë momente tërheqjeje. Por profesori këmbënguli jashtëzakonisht shumë. Kanë qenë emocione të pa komanduara, sikur fluturonim nga gëzimi se emri i Tropojës shkoi shumë lart", tha Demiraj.

K'cimi i Tropojës u bë zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jo materiale të Njerëzimit në UNESCO. Kjo siguron vazhdimësinë dhe zhvillimin e tij, duke e kthyer në një simbol kombëtar të identitetit kulturor shqiptar.

Regjistrimi i këtij elementi në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s ndihmon në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e mbrojtur atë për brezat e ardhshëm. Gjithashtu i ka dhënë shpresë për më shumë vëmendje në sponsorizim e aktiviteteve dhe veshjeve të traditës.

Dokumentimi dhe plotësimi i dosjes ka përfshirë hulumtime në terren, krijimin e një përshkrimi të detajuar të elementit, mbledhjen e materialeve arkivore dhe dëshmive nga komuniteti.

“Jeta është produkt i mjedisit dhe arti produkt i kësaj jete.” Me këtë moto, Skënder Haklaj dhe të tjerët kanë zbërthyer kuptimin e lëvizjeve karakteristike të “K’cimit të Tropojës”.

Kjo foto e koncertit të parë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore pas krijimit të tij në vitin 1957 dokumenton se “K’cimi i Tropojës” ka qenë pjesë e pandashme e aktiviteteve kulturore.

“Kcimet tona janë epike luftarake, epike dramatike, tek vajzat pasqyrojnë jetën e tyre, lumturinë", shprehet Deli Metalia.

Ky incizim i vjetër  është marrë nga Festivalet e para folklorike të organizuara në Tiranë tek Sheshi "Skënderbej". Një nga pjesëmarrjet e para të Xhevahire Gashit në festival e cila nuk ndaloi kurrë së përfaqësuari Tropojën në çdo event kulturor.

Skënder Haklaj ka rënë në dashuri me kërcimin që në moshën 5 vjeçare, e vazhdon ta dojë me të njëjtin pasion edhe sot.

Në vitin 1975 kreu institutin e lartë të Arteve në Tiranë dhe në vitin 1975 mbron titullin Etnokoreograf. Skënder Haklaj ishte ndër valltarët më të shquar dhe më me fines të Tropojës.

Ka marrë pjesë në shume koncerte, brenda dhe jashtë vendit. Krijoi valle me përmasa të mëdha. Në çdo festival që ka marrë pjesë ka fituar çmime. 

Ka debutuar edhe në shumë vende të Evropës. Skënder Haklaj ka botuar disa vepra dhe është autor i dhjetëra valleve të njohura.  Për të gjitha këto është shpallur “Mjeshtër i Madh”.

Deli Metalia, mjeshtër i madh dhe nderi i kombit. Ka mbi 55 vite përkushtim ndaj kërcimit.

“Më tepër kam dashuruar kërcimin se veten time”, shprehet koreografi dhe valltari Metalia.

Pjesëmarrës në të gjitha festivalet e organizuara në kalanë e Gjirokastrës, por dhe shumë aktiviteteve kulturore në trevat shqipfolëse dhe koncerte në mbarë botën.

“Gjithmonë duke u bazuar në kcimet e Tropojës dhe vijës melodike të këtyre kcimeve. Sepse po nuk u puthit mendimi muzikor me lëvizjet, nuk mund të dalë valle koreografike apo një kërcim i pëlqyeshëm”, tregon mjeshtri i madh Deli Metalia.

Që kur ishte student e deri në ditët e sotme Deli Metalininë e kanë vlerësuar me shumë çmime të para jo vetëm si valltar por edhe si koreograf. Ka data të shënjuara në jetën e tij artistike, një prej tyre është viti 1997.

“Në Tiranë ne arritëm ta jepnim koncertin mes plumbave.”

Bukurie Demiraj e kërcen prej 47 vitesh “K’cimin e Tropojës”. Në skenë ka dalë për herë të parë në moshën 6 vjeçare për festën e abetares e që atëherë nuk është larguar asnjëherë prej saj.

Thotë se ka pasur fatin që të mësojë nga më të vjetrit valltarë e koreografë të cilët ruajtën me fanatizëm k’cimin burimor të Tropojës.

Që në fëmijëri është lidhur me muzikën karakteristike të zonës dhe vazhdon të jetojë edhe sot me të. Shaban Zenelaj dhe shumë të tjerë të brezit të tij janë rritur nën ndikim e Fatime Sokolit, këngëtares që ka përfaqësuar më së miri me zërin e saj, magjinë e bjeshkëve.

Ram Dollapi është një ndër amatorët më të vjetër të pallatit të kulturës “Dardania”. Që prej vitit 1978 ka marrë pjesë në shumë festivale ku ka qenë dëshmitar se si edhe publiku përfshihej sapo niste “K’cimi i Tropojës”.

“Në vitin 1978 në Gjirokastër kërcente e gjithë kalaja. Po kështu edhe në vitet 1983, 1988”, tregon ai.

Ka qenë valltar, këngëtar, gjithashtu zotëron instrumentet e çiftelisë, sharkisë dhe lahutës. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë aktiv.

Pasionin e tij për vallen ia ka trashëguar dy mbesave të tij.

Falë përpjekjeve të artistëve tropojanë është ruajtur deri në ditët e sotme k’cimi burimor i Tropojës.

Në Tiranë, Skënder Haklaj u mëson kërcimtarëve të rinj të Ansamblit ‘Folk-Trevar” që të jenë trashëgimtarët e një pasurie të madhe të shpirtit shqiptar, tashmë pasuri e gjithë botës.

Në qytetin e Bajram Currit, Bukurie Demiraj, “Mjeshtre e Madhe” në valle e koreografi, punonjëse në Pallatin e Kulturës, po e trashëgon tek brezat e rinj.

Ndër shekuj element identifikues i krahinës së Tropojës, sot, asnjë prej ceremonive festive tradicionale kudo në trojet shqiptare, si: dasma, fejesa, ditëlindje, festa fshati dhe raste të tjera shoqërore, përfshirë ato që janë më pak zyrtare, dhe shpesh mjaft spontane, nuk mund të mendohet pa “K’cimin e Tropojës”.

Xh.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Griezmann gabon penallti në limite, Atl. Madrid humbet në derbi dhe i jep 'asist' Barçës e Realit

VIDEO/ Griezmann gabon penallti në limite, Atl. Madrid humbet në derbi dhe i jep 'asist' Barçës e Realit