BSH, 3 çmimet për diplomat më të mira ekonomike! Sejko: Rënia e inflacionit uli kostot për familjet e bizneset

Banka e Shqipërisë ndau sot 3 çmimet për diplomat më të mira ekonomike të këtij viti, ku studentët kishin bërë punë kërkimore mbi politikën monetare, marrëveshjet tregtare dhe përdorimin e teknologjisë në sektorin financiar. Në ndarjen e çmimeve Guvernatori bëri edhe një panoramë të ngjarjeve ekonomike më të rëndësishme të vitit.

Edhe lëvizjet e Politikës Monetare që bëjnë bankat qendrore mund të ndikojnë në reduktimin e nivelit të papunësisë, pasi çdo lëvizje e politikës është një orientim për të ardhmen. Ky ishte edhe studimi shkencor i studentit Markelian Blacëri në nivelin Master në Universitetin e Padovës që mori çmimin e Guvernatorit për ‘Diplomën më të Mirë për vitin 2024’.

“E them me kënaqësi se temat përputhen me pritshmëritë tona dhe përmbushin karakteristikat më të mira të një pune shkencore” u shpreh Guvernatori.

Në ndarjen e çmimeve për tre diplomat më të mira të vitit për punime kërkimore në financë, ekonomi e teknologji, Guvernatori Gent Sejko bëri edhe një panoramë të situatës ekonomike të vendit, ku fokusin e vuri tek anëtarësimi në SEPA dhe Open Banking.

“Integrimi në SEPA do të lehtësojë kryerjen e transfertave financiare ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët - një hap i rëndësishëm ky drejt integrimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët. Gjithashtu, në linjë me rregulloret e BE-së, Banka e Shqipërisë ka avancuar në implementimin e bankingut të hapur, duke nxitur përdorimin e platformave digjitale, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur për klientët dhe bizneset.

Bankingu i hapur do të mundësojë akses më të gjerë dhe transparent në shërbimet financiare për të gjithë popullsinë. Ky zhvillim është pjesë një strategjie më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e ekonomisë. Të dyja nismat synojnë të përmirësojnë përfshirjen financiare, duke shërbyer drejtpërdrejt në reduktimin e nivelit të informalitetit dhe si rrjedhojë, duke mbështetur rritjen e qëndrueshme afatgjatë”, tha Sejko.

Viti 2024 tha Guvernatori po mbyllet me rezultate pozitive ekonomike dhe me ulje inflacioni.

“Ky rikthim i stabilitetit të çmimeve është shoqëruar me lehtësim të kostove të jetesës së familjeve dhe rritje të investimeve të bizneseve”, tha Gent Sejko.

Ecuria ekonomike pozitive u shpreh guvernatori do të vijojë edhe në vitin 2025, ku pritshmëritë janë për rritje në 3.5 deri në 4%.

Xh.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Berisha dhe Rama synojnë që në zgjedhjet e 2025 të mbeten vetëm dy parti PD-PS

Spahiu: Berisha dhe Rama synojnë që në zgjedhjet e 2025 të mbeten vetëm dy parti PD-PS