Politika monetare lehtësuese ka qenë faktor mbështetës për lehtësimin e standardeve të kreditimit.
Për tremujorin në vazhdim, bankat presin që normat e interesit për kredinë në lekë të ulen, bëjnë të ditur ekspertët e Bankës së Shqipërisë.
Në raportin e publikuar nga Banka Qendrore, raportohet se normat e interesit të depozitave në lekë janë rritur lehtë në muajt janar-shkurt. Në terma mesatarë, interesi i depozitave në lekë shënoi 1.56% në muajin shkurt, nga 1.48% në dhjetor.
Rritja e interesit të depozitave në lekë është bërë për të gjitha afatet. Njëkohësisht ka vijuar rënia e interesave për depozitat në euro, duke prekur nivele minimale, të krahasueshme me interesat euribor. Në muajin shkurt, interesi mesatar për këto depozita arriti 0.33% nga 0.47% në muajin dhjetor 2014. Rrjedhimisht, diferenca midis interesit të depozitave me afat në lekë dhe atyre në euro është zgjeruar, duke përbërë faktor mbështetjeje për monedhën vendase.
-Rriten normat e interesit për kreditë-
Normat e interesit të aplikuara për kredinë e re në lekë u rritën në muajin janar dhe u ulën sërish në muajin shkurt, por pa zbritur në nivelet e dhjetorit. Interesi mesatar i ponderuar për këtë segment rezultoi 8.02% në shkurt, nga 7.75% në dhjetor. Tremujori i parë zakonisht karakterizohet nga një aktivitet më i dobët kreditues, krahasuar me tremujorin paraardhës, gjë që reflektohet dhe në rritjen e interesave të kredisë.
Sipas BSH-se, shtrëngimi i kushteve të financimit evidentohet edhe nga
vrojtimi i aktivitetit kreditues për tremujorin e parë. Bankat janë shprehur për shtrëngimin e standardeve të kreditimit nisur nga gjendja financiare e biznesit dhe e individëve, apo nga problematikat e sektorëve të ekonomisë.
Rritja e interesave këtë fillimvit ka qenë më e theksuar për kreditë konsumatore dhe për kredinë për likuiditet për bizneset. Interesi për kredinë afatgjatë, akorduar për pasuri të paluajtshme, si për bizneset dhe për individët, ka vijuar të ulet. E parë në një horizont më të gjatë kohor, prirja rënëse e interesave të kredisë në lekë është reflektuar në ngushtimin e diferencave nga indekset referencë - yield-et - dhe nga interesat e aplikuara për kredinë në euro.
Kjo e fundit është luhatur rreth nivelit 6.3% në muajt janar-shkurt, nga 6.4% në tremujorin e kaluar. Bankat kanë aplikuar interesa më të lira për kreditë dhënë individëve dhe rezistojnë t'i ulin ato për kreditë dhënë bizneseve, duke reflektuar rrezikun e perceptuar për këtë kategori huamarrësish, citon raporti i BSH-se /atsh/