Kujton aktoren e ndjerë Violeta Manushi, të ndjerin regjisor Mihal Luarasi, aktorin e ndjerë Agim Qiriaqin, e shumë të tjerë… që sot nuk janë më. Rreth 19 vjet më parë ishte në protestë me ta për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku të gjithë njëzëri deklaronin se pritej të zëvendësohej me një kullë e në katin e parë të saj të ndërtohej teatri.
Për hir të kujtimit të tyre, regjisori dhe dramaturgu i njohur Bujar Kapexhiu ka vendosur të marrë pjesë sërish në debatet për mosshembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në mbledhjen e artistëve dhe të sindikatës së tyre që u mbajt të hënën, duke i dalë kundër projektit danez, që u prezantua një javë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe autori Bjorke Ingels. Kështu flet në një intervistë për “Shqiptarja.com”.
Bujar Kapexhiu e di se protestat e dikurshme të artistëve dhe sindikatës së tyre për të mos shembur Teatrin Kombëtar, nuk janë si ato të vitit 1999, kur nisën nisën tubimet, deklaratat, debatet me përfaqësues të qeverisë. Madje artistët edhe hynë në grevë në godinën e Teatrit të Kukullave. Kurrësesi nuk lëshohej pe për një godinë të re. Violeta Manushi, Mihal Luarasi, Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu, Neritan Liçaj e shumë të tjerë ishin në krye të protestave që kërkonin të mos shembej Teatri Kombëtar. Atëhere kryeministri Edi Rama, ishte Ministër i Kulturës. Regjisori i ndjerë Mihal Luarasi ka bërë edhe një libër që iu dedikohet këtyre protestave, “Teatri në udhëkyq”.
Protestat u përsëritën edhe në 2003-shin, ku artistët i zhvendosën kërkesat, jo më në Ministrinë e Kulturës, por duke ia kërkuar mbrojtjen dhe restaurimin e Teatrit Kombëtar qeverisë. Që atëherë, siç thotë Robert Ndrenika “nuk u ngul as edhe një gozhdë”.
Bujar Kapexhiu këtë herë i bashkohet debatit të artistëve për projektin e Tetarit të ri Kombëtar me një skicë-ide, ku sugjeron të ruhen dy teatrot dhe të ngrihet në mes tyre i riu, brenda hapësirës ekzistuese. Në këtë intervistë Kapexhiu flet për konceptin e tij përballë alternativës më të fundit që sjell zhvillimi në përpjekje për të ekulibruar estetikën dhe etikën arkitekturore të kryeqytetit.
Intervista
Zoti Kapexhiu, a mund të na e bëni më të qartë se nga vjen projekti që prezantuat në mbledhjen e një dite më parë me artistët. Kush është autori i asaj skice të Teatrit Kombëtar që ju prezantuat?
-Problemi është se ai që prezantova nuk është një projekt, është një skicë-ide, e cila mbështet nga ana figurative idenë time për Teatrin Kombëtar. Ideja ime është kjo: të ndërtohet një dhe të ruhen 2 tetro, që teatri i ri të ndërtohet brenda së njëjtës hapësirë të këtyre teatrove që janë të vjetër, të rikonstruktohen këto, dhe të ngrihet aty më mes një godinë e re, që të jetë me të gjitha elementët që iu mungojnë këtyre teatrove, por edhe që të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Pra, ideja është që të ndërtojmë një teatër dhe të ruajmë dy, që të bashkohen dhe duke futur brenda ato elementë që iu mungojnë të dy teatrove.
Ideja është skicuar me bashkëpunimin e personazheve të tjerë, apo është vetëm juaja?
-Ideja ime është thjesht formale. Unë jam ulur dhe kam skicuar konceptin, e kam vizatuar sesi duhet të bëhet një zgjidhje në dobi të teatrit dhe memories historike të tij. Ajo që kam skicuar është thjesht si e mendoj unë, që teatri i vjetër të ruhet, mos të shembet. Nëse pranohet që mos të shembet dhe të pranohet një ndërtesë e tretë si zgjidhje, një teatër i ri që lidh dy godinat e vjetra të Teatrit Kombëtar, atëherë nis të funksionojë konkursi dhe idetë do t’i japin arkitektët. Ku të hyjnë ata të zanatit për ta bërë dhe të bëhet një konkurs ne mendojmë që të fitojë nga kjo garë një koncept i kësaj natyre.
Në vitin 1999 kanë vijuar për muaj me radhë protesta të ngjashme të artistëve për mosshembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ka ndryshuar përmbajtja e protestave, apo mendon se gjërat kanë evoluar në 2018-n?
-Ne në atë kohë luftonim për një çështje. Bëhej fjalë për shembjen e teatrit, sepse atëherë ka qenë projekti që të bëhej një kullë, e që në katet e para të kishte teatër. Pra, të ndërtohej një kullë që mbante teatrin brenda. Le të ndërtohet kullë, nëse duan, por këtu në projektin e këtij teatri ka një gjë të dyshimtë, një prapaskenë: që ky teatër të jetë afër trotuarit dhe me hyrje nga Pedonalja. Është menduar të të zërë një sipërfaqe shumë të vogël nga ekzistuesja dhe tre të katërtat që i takojnë teatrit mbeten bosh për të ngritur kulla. Ky është projekti danez. Atëherë ishte një ide që të ruhej teatri, sot ka evoluar që përveç të ruhet teatri, në gjithë territorin e tij të ndërtohet një kompleks teatror. Kjo kërkohet sot nga artistët.
Pra ju jeni i përfshirë në të gjitha kohët në rrjedhën e këtyre protestave dhe debateve për ruajtjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar. Çfarë ju frymëzon ta bëni këtë?
-Unë mendoj se nuk është harruar ajo përpjekje e atyre artistëve të nderuar të skenës. Kjo protestë është vazhdimësia e gjithë ëndrave të atyre artistëve që të shquar që sot nuk janë më, si Violeta Manushi, Mihal Luarasi, Agim Qirjaqi e të tjerë në radhë të parë. Ishte edhe Robert Ndenika në krye të protestave, siç është sot. Kjo protestë është vazhdimësia e ëndrrave të të gjithë atyre që patën protestuar për të mos e shembur teatrin, me përpjekjet e tyre. Dhe ne sot i qëndrojmë kësaj proteste, sepse duan të ndjekim ëndrrën tonë dhe ëndrrën e tyre. Atëherë u fol se Teatri Kombëtar do shembet e në truallin e tij një firmë ndërtimi do të bënte një kullë, ku 2 katet e para të të saj do të jenë teatër. Artistët dhe unë bashkë me ta kundërshtuam , kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
A mendoni se pas kaq procedurave të iniciuara nga qeveria, që mbërritën tek prezantimi i projektit për Teatrin e ri Kombëtar mund të kundështohet projekti i danezit?
-Projekti i danezit detyrimisht që do të kundërshtohet, se ka disa probleme, arkitektonike dhe arkitekturore. Ky teatër modern nuk mund të qëndrojë në atë mjedis që ka krejt një akitekturë tjetër. Së dyti ky projekt kur u prezantua nuk ka pasur asnjë transparencë sesi janë sallat e provave e të shfaqjeve, skenat e të tëra. Aty u tregua një lloj “papijoni” nga pamja e jashtme sesi do të shihej e si do të dukej, sesi do të hynin e të dilnin dhe ka pasur një mungesë paqartësie. Edhe lënia e hyrjes nga Pedonalja është e shëmtuar, se bëhet duke mbyllur hapësirat, dhe kjo është bërë për të marrë të gjithë sipërfaqen e oborrit brenda. Ndaj ishte e nevojshme që të kemi një skicë-ide që bashkon godinën e vjetër me një të re. Pas kësaj ideje, kur puna iu lihet në dorë arkitektëve mendoj se do të ndodhte një mrekulli. Mbyllja e oborrit të një teatri zvogëlon rëndësinë e tij. Nëse mbështetemi tek kjo skicë, mund të dalë një godinë shumë e bukur. Kështu mund të dalë një kompleks teatror me rrugë të gjera e oborr që ruan edhe harmoninë me kompleksin e Ministrisë së Brendshme.
d.b/shqiptarja.com