Në Lindjen e Largët thonë: “Bukuria është vërtetësi dhe nëse kërkon bukurinë, bëhesh i vërtetë”. Sa më shumë bëhesh estetik dhe i ndjeshëm ndaj të bukurës,aq më shumë je i ekuilibruar dhe harmonik. Por e gjitha kjo ka një kuptim kur njohim, vlerësojmë dhe mbrojmë bukurinë e bukurive, atë primaren dhe më të rëndësishmen: Natyrën, njerëzit, kafshët, bimët, tokën…

Ne, shqiptarët, kaluam dekada duke shpërfillur bukurinë e Krijuesit për të mbivendosur atë tonën, që shpesh është e parafinuar, trashanike, përfituese, e paekuilibruar dhe jo harmonike. Krijimet tona shpesh nuk marrin parasysh ligjet e vallëzimit dhe të ciklit të lëvizjes rrethore si ajo e natës me ditën, lindjes me perëndimin, stinëve, lindjes me vdekjen… Ne kemi ambicien dhe duam të jemi të pavdekshëm.

Por vjen një kohë, duke qenë të pafuqishëm për të ndryshuar orën biologjike, që për shpirtin, secilin shpirt, të cilësdo kombësi, është e domosdoshme si ajri që thithim dhe uji që pijmë, pikërisht rritja dhe rafinimi i ndjeshmërisë ndaj bukurisë perfekte të Natyrës. Dorëzimi përballë gjithësisë.

Duket se kjo po ndodh mes të shumtëve dhe kjo do të na ndihmojë të mbetemi të gjallëruar dhe jo të zombizuar, të njësuar me gjithësinë dhe jo të zhdukur, pasi asgjë në të vërtetë zhduket. Është e qartë se një shqiptar nuk do të vdiste kurrë nga uria se familjarë e shqiptarë të tjerë nuk do ta lejonin këtë, por mund të rrezikonim seriozisht të vdisnim nga pandjeshmëria, duke u endur jetëve tona pa kuptim.

Nëse shpëtojmë Natyrën, bukurinë dhe shumëllojshmërinë e saj magjike, shpëtojmë shpirtin tonë dhe zbukurojmë jetën. Ja pra, pse ja vlen “të luftohet” për bukurinë!