12 vatra zjarri janë raportuar në territorin e Shqipërisë deri në orën 20:00 të 31 gushtit, ndërsa 4 prej tyre vijojnë të jenë aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 4 janë shuar plotësisht.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se për përballimin e situatës janë angazhuar, krahas strukturave vendore, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat aktive janë në Dajt–Qafë Priskë, Vajkal të Bulqizës, Lundre të Matit dhe Urën e Shtrenjtë në Shkodër.

Në Dajt vijon operacioni për shuarjen e flakëve, ndërsa ka pasur edhe riaktivizim të një vatre zjarri. Në terren ndodhen forca zjarrfikëse, forca të Agjencisë për Zonat e Mbrojtura, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, ku janë angazhuar 53 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Lundre të Matit, zjarri vijon në sipërfaqe pyjore, me mbështetjen e 20 efektivëve të FA dhe një helikopteri, ndërsa në Urën e Shtrenjtë të Shkodrës terreni i thepisur dhe mungesa e rrugëve po vështirësojnë ndërhyrjen.

Nën mbikëqyrje janë vatrat në Qafë të Helmës–Bulqizë, Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Zhejë–Kurbin, ndërsa në Zhejë aktualisht nuk raportohet më vatër aktive.

Ndërkohë, janë shuar plotësisht zjarret në Sllatinë të Dibrës, Ballenjë–Martanesh, Bershi–Kurdari–Patinë në Klos dhe malin e Dardhës në Librazhd.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara nga vatrat aktive, ndërsa vëmendja kryesore operacionale mbetet te Dajti, Vajkali dhe Lundreja për shkak të vijueshmërisë së zjarreve dhe terrenit të vështirë.

Lajm në përditësim...