Pas vendimit të KE për dhënien e rekomandimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ka ardhur reagimi i parë nga Berlini, një nga tre shtetet skeptike. Pas një takimi të martën në Berlin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, i tha DW se rekomandimi i komisionit nuk do të jetë dokumenti i vetëm që do të merret parasysh para se Bundestagu të miratojë hapjen e negociatave.

Perspektiva e Shqipërisë në BE është realiste. Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i  CDU-CSU, kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta, dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Mesazhi ynë është i njëjtë për të gjithë. Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk bëhen për të na bërë ne në Berlin një favor, por reformat bëhen për të çuar përpara vendin. Ndaj unë pres në këtë drejtim një luftim më të vendosur të korrupsionit, të krimit të organizuar, sigurisht nevojiten edhe  reformat ekonomike,  kështu që ka ende shumë punë.

Gunther Krichbaum

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum gjatë vizitës në Shqipëri edhe qershorin e kaluar ishte mjaft kritik me qeverinë, ndërsa shumica akuzoi opozitën për lobim kundër Shqipërisë. Grupi parlamentar i CDU/CSU është më i madhi në parlamentin gjerman. Prandaj dhe vota e tij për fillimin e negociatave të Shqipërisë është e domosdoshme.

Por, nga ana tjetër, ajo votë do të influencohet në masë të madhe nga kryetarja e CDU-së, njëkohësisht kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.  Dhe, nëse ajo është për fillim të menjëhershëm të negociatave apo jo, këtë shpresojmë ta mësojmë javën e ardhshme, kur të takohet në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.