Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Burrel kandidaten e majtë për këtë bashki Adelina Farriçin.

Rama ka krahasuar modelin e  bashkisë së Burrelit, një shembull transformi urban, me shembullin e Klosit  dhe Peshkopisë, të lëna sipas tij, në inercinë e rrënimit nga një politikë e lodhur e të djathtëve.

Rama ka deklaruar se në 18 muaj qeveria e tij arriti të shlyente 550 milionë dollar borxhe të trashëguara nga qeveria e Sali Berishës, duke e cilësuar shlyerjen e borxhit si kthesë të madhe për në drejtimin e duhur.

Kryeministri  theksoi gjithashtu se projekti i rrugës së Arbrit nuk është më fantazmë elektorale dhe këtë e dëshmon ndërtimi i tunelit të Qafë-Buallës.
 
Ndërsa e cilësoi Adelina Farriçin si një nga administratoret më të mira të 25 viteve pas rënies së rregjimit komunist, Rama u kërkoi grave dhe vajzave të Matit që t’i japin asaj mbështetje duke bindur e çuar për të votuar vëllezërit dhe burrat e tyre.

Sipas Ramës, të kesh një grua në krye të shtëpisë, si Farriçi në krye të bashkisë, është nder për  çdo burrë, ndaj asaj i duhet dhënë vota si investim për të ardhmen e familjes.

Rama u kërkoi simpatizantëve të PD, që mbi partinë, të zgjedhin kandidatët e majtë për  zgjidhjen e problemeve të  familjes së tyre, mbi të ardhmen e fëmijëve, për çerdhe e kopshte më të mira për ta.

"Atyre lërini fjalët e sherret, ne na lini punën, shtetin", tha Rama

Ndërsa kandidatja Farriçi tha para qytetarëve të Burrelit se ndryshe nga katër vite më parë kur  qytetarët e votuan si nënë e mësuese, sot kërkon mbështetje si një administratorë që do të vazhdojë misionin e saj.

Fjala e zbardhur e Kryeministrit Rama në Burrel:

Si ky shi do të rrjedhin votat e amtjanëve për Adelinin.

Në këtë moment fjala shiu është bereqet është fjala e duhur për drejtimin e duhur në 21 Qershor.

Shikojeni këtë shesh dhe flamujt që janë në shesh. Janë flamujt e një koalicioni të madh, e një aleance që shtrihet nga e majta në të djathtë, e aleancës për Shqipërinë Europiane që në boshtin e vet ka partneritetin strategjik të aleatëve tanë, por që në horizontin e vet është shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve dhe shqiptareve që duan shtet, që duan mundësi të barabarta, shkollim dhe mundësi sipas meritës.

Në këtë qark ka dy pamje, që ndihmojnë gjithsecilin të kuptojë se çfarë duhet të bëjnë në 21 Qershor.

Nga një anë Bashkia e Burrelit dhe nga një anë ajo e Peshkopisë. Si dita me natën. Në 18 muaj ju treguam se kush investon votën te ne, e merr mbrapsht investimin e tij.

Ne sot ishim në Bashkinë e Bulqizës që deri para 18 muajsh ishte identifikuar si vend vdekja e minatorëve. Sot është hapësira ku ka filluar të fryjë era e Rilindjes.

Sot Bulqiza ka 24 orë ujë të pijshëm në qytetin e vjetër që vuante për ujë.
Bulqiza ka infrastrukturë të transformuar me çdo komunitet.
Bulqiza është vend i investimeve të mëdha në sektorin e minierave, ku pasuria kombëtare nuk është në duart e atyre që e grabitën për çerek shekulli.

Një shembull i këtij transformimi është Burreli, ku ka filluar punë pas kaq shumë vitesh ferokromi ku pas vitesh do jemi krenarë për  këtë sektor.
Në vetëm 18 muaj u ndërtua tuneli i Qafë Buallit. Rruga e Arbrit është projekt në rrugën e realizimit, jo fantazëm elektorale.
Ju siguroj se çfarë është bërë në 18 muaj është vetëm fillimi i fillimit.

Ndërkohë Peshkopia dhe Klosi janë pamja e trishtueshme e qyteteve të lëna në inercinë e rrënimit, e politikës së vjetër dhe shumë të lodhur të një partie që quhet demokratike por nuk ka asgjë për ti ofruar shqiptarëve në 21 Qershor.

Ndaj dua ta shfrytëzoj këtë moment, në krah të një prej administratoreve më të mira në 25 vitet e pas rënies së regjimit komunist. Një grua që e nisi punën si administrator me passion e dashuri, por pa eksperiencë. Ndërkohë që sot shembulli i Adelinës duhet të frymëzojë të gjithë zgjedhësit e Klosit që të heqin dorë nga burra pa sy, pa zemër, pa dru, që të votojnë një grua, Valbonën.

Motra dhe vëllezër, ne sot jemi ende shumë herët për të folur pëe destinacionin e rrugës sonë por jemi në kohë për ta thënë me krenari se 18 muajt e parë provuan se Shqipëria ka marrë kthesën në drejtimin e duhur. 18 muaj qeverisje treguan se komuniteten që qeverisën nga kryetarët e majtë kanë marrë kthesën e duhur.
Ne jemi në krye të detyrës shtatë ditë të javës për të bërë gjithçka që njerëzit duan.

Trashëgimia që na la PD, ishte shumë e rëndë. Borxhet ishin shumë të mëdha dhe në shlyem 550 milionë dollarë  borxhe .
Edhe shlyerja e borxheve është kthesë e fortë në drejtimin e dhur, është pjesë e përpjekjes së vendosur për të çliruar ekonominë.

Kush ka një grua në krye të bashkisë e fillon rrugën më një avantazh më shumë. Keni një grua të sprovuar që ka treguar se e meriton plotësisht respektin që ju i keni dhënë.

Nga ana tjetër 21 Qershori duhet parë si një moment i rëndësishëm për familjen sepse bashkia është krahu që i duhet çdo familje.
Si mund t’i besohet bashkia atyre që sa herë kanë patur mundësi të tregojnë çfarë dinë të bëjnë, kanë shkelur vetëm mjerim.
Si mund t’i besohet bashkia atyre që nuk kanë krijuar dot një model. Ne kemi plot vënde që mund t’ua tregojmë atyre si model, duke filluar që nga Burreeli, ku pavarësisht pamundësive dhe varfërisë, ne kemi krenarinë të themi ja çfarë dimë të bëjmë ne.

Për këtë arsye, çdo familje duhet ta shikojë 21 Qershorin si mundësinë që votën ta investojë te njeriu i duhur, të forca e duhur, te drejtimi i duhur.
Unë nuk jam duke u thënë simpatizantëve të PD, që të bëhen anëtarë të PS.

Por u the mqë përtej partisë qëndron nevoja e familjes për ujë të pijshëm,për çerdhe e për kopshte.
Këto janë më të rëndësishme se partia demokratike.

Nëse e duan Saliun akoma le ta mbajnë për mbret, por për shërbëtor të zgjedhin kryebashkiakët tanë.
Ndaj atyre lërini llafet, ndërsa kandidatëve tanë besojuni punën, shtetin.

Dua t’ju bëj një thirrje grave dhe vajzave të Matit, pa të cilat asnjë ship nuk rri dot në këmbë. Të shkojnë derë më derë dhe t’i japin Adelinës fuqinë e vajzave, grave, motrave, sepse të kesh një grua në krye të shtëpisë është fat për çdo burrë.

Pas 21 Qershorit, Kuvendi i Matit, do të jetë në kushtet e një historie krejt të re sepse aty do kemi 50 përqind gra d he vajza. Kjo është garanci se vendimarrja do të shkojë në drejtimin e duhur.

Prandaj 21 Qershori, është dita që çdo vajzë e grua ta marrë vëllain apo burrin e ta çojë në drejtimin e duhur.
Votoni Adelinën që në katër vitet e ardhshme të bëjmë më shumë se në 25 vjet të marra sëbashku.