TIRANE- Qeveria ka përcaktuar pagesat mujore për çdo kategori të nxënësve apo studentëve në nevojë të cilat do të përfitohen në formë burse për të rinjtë që ndjekin studimet, larg qendrave të tyre të banimit apo në shkolla profesionale. Sipas një vendimi të qeverisë i cili është zbardhur ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare përcaktohen kategoritë e familjeve të cilat përfitojnë bursë, si dhe masa e saj.

Kështu, për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kuota e bursës do të jetë 6365 lekë në muaj, kurse për shkollat e mesme si ajo e mjeshtërisë sportive apo arsimi special kjo kuotë do të jetë 6883 lekë në muaj. Ndërkohë sa i përket studentëve të universiteteve të ndryshme, qeveria ka përcaktuar se kuota mujore e burës do të jetë 8900 lekë në muaj, kurse për studentët e akademisë së edukimit fizik ajo shkon në 9410 lekë. Po kështu, përfitues të bursave do të jenë edhe ata studentë të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara por që kanë një pjesë të të ardhurave nga familja.