/ATSH- Ish-zëvendëskancelari austriak, Erhard Busek, në një intervistë për KosovaPress, theksoi se duke pasur parasysh nevojën për të vendosur marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, lojërat diplomatike me sjellje të ngjashme politikisht nuk janë shumë të dobishme.
Gatishmërinë e zëvendëskryeministrit Thaçi për të marrë pjesë në konferencën e Beogradit, Busek e vlerëson pozitive. "Në parim pozitive, sepse ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim rajonal, përfshirë edhe orientimin për në Bashkimin Evropian dhe zgjerimin e tij", tha Busek për KosovaPress.
Lidhur me ndikimin që ky qëndrim i Serbisë mund të ketë në raport me negociatat që po zhvillohen në Bruksel, Busek thotë se qëndrimi i Serbisë dërgon sinjale negative.
"Masat e tilla japin një përshtypje të gabuar për Evropën Juglindore. Duhen dërguar sinjale për zhvillimet pozitive dhe jo për vazhdimin e konfliktit të përhershëm", nënvizoi Busek.
E për shtetin e sotëm serb, i cili po i referohet një fletarresti të periudhës së regjimit të Millosheviçit, Busek thotë se kjo lojë është përdorur, sepse politikisht ka qenë e nevojshme të përdoret prej tyre.
"Këto janë të gjitha lloje lojërash që përdoren politikisht kur ke nevojë për to. Kjo gjë nuk ka të ardhme, veçanërisht nëse Serbia mendon në urdhër-arreste, të cilat i kanë prekur vetë serbët në të kaluarën", u shpreh ish-zëvendëskancelari austriak Erhard Busek./Kosovapress/