TIRANË - 30 për qind e buxhetit total të shtetit, do të shkojë për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2015. Ndërkohë Ministri Veliaj u shpreh se nuk do të ketë asnjë vonesë për pagesat e shtresave në nevojë.

76 miliardë lekë është buxheti që do të investohen në prioritetet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku kryesojnë skema e mbrojtjes sociale, zbatimi i skemës së pensionit, arsimi profesional, si dhe ngritja e Shërbimit Kombëtar të Rinisë.
 
“Ndryshe nga pesë vitet e shkuara, ku çdo vit MMSR mbarte mbi 20 milionë dollarë detyrime nga skema e mbrojtjes sociale në atë të vitit në vijim, për herë të parë këtë vit të gjitha këto detyrime do të përmbushen rregullisht muaj për muaj. Buxheti i MMSR në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar dhe në ndihmë ekonomike ka një rritje prej 10 milion dollarë. Balancimi i skemës së Ndihmës Ekonomike dhe rritja e masës së saj mbetet prioritet i MMSR-së në vitin në vijim. Gjatë këtij viti do të kemi edhe një rritje të veçantë prej 36 dollarë në vit për çdo familje me fëmijë që ndjek rregullisht shkollën. Për vitin 2015, subvencioni i shtetit për Sigurimet Shoqërore parashikohet të jetë në vlerën 47 miliardë lekë dhe nuk shënon rritje nga viti i mëparshëm, madje paraqitet me ulje në krahasim me tavanet fillestare të alokuuara prej 3 miliard lekë.”- tha Veliaj.
Lidhur me punësimin Veliaj shtoi se Fondi i Nxitjes së Punësimit është dyfishuar në 4.5 milion dollarë, ndërkohë që brenda këtij viti do të hapen edhe dy zyra të reja pune.
 
Mungesa e një fondit të veçantë në buxhetin e 2015 për biznesin fason solli debat mes ministrit Veliaj dhe deputetit të LSI Petrit Vasili. Sipas Vasilit Industria Fasone është mbështetur nga qeveria shqiptare, pasi pritshmëritë për punësim janë deri në 5000 vende të reja pune.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)