Nënkryetari i këshillit bashkiak, Dorian Teliti, tha se miratimi i buxhetit të bashkisë së Tiranës mbi 400 milionë euro vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancës, i shpërfilli 29 propozimet e opozitës, që sipas tij reflektojnë shqetësimet reale të qytetarëve.
Edhe anëtari i partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Artan Distafa, tha se buxheti për vitin 2026 nuk i çon paratë për shërbime për administratën e fryrë artificialisht sipas tij, për qoka politike dhe klienteliste.
Deklarata e e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti
Miratimi i projektbuxhetit 2026 të Bashkisë Tiranë nga mazhoranca e majtë në Këshillin Bashkiak ishte një akt i pastër arrogance dhe një shkelje flagrante e parimeve themelore të qeverisjes dhe demokracisë vendore. Gjatë seancës së votimit, në kundërshtim të hapur me rregulloren, mazhoranca përjashtoi propozimet e opozitës dhe shpërfilli interesin publik. Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike kishte depozituar paraprakisht 29 amendamente, të hartuara mbi bazën e shqetësimeve reale të qytetarëve, të të rinjve, familjeve, shtresave në nevojë dhe sipërmarrjes së kryeqytetit. Këto amendamente synonin korrigjimin e një projektbuxheti klientelist, të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti social e ekonomik i Tiranës. Mazhoranca i tha jo qytetarëve. Duke refuzuar t’i fusë në votim 29 amendamentet tona, mazhoranca socialiste i tha jo:
• Uljes me 30% të taksës së pronës
• Përgjysmimit të tarifës së pastrimit për familjet dhe bizneset
• Përgjysmimit të tarifave të parkimit
• Uljes së taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, masë që do të ulte çmimin e banesave për çiftet e reja.Mazhoranca i tha JO:
• Çerdheve dhe kopshteve falas
• Subvencionimit të ushqimit për nxënësit
• Kompensimit të çmimit të rritur të ujit, derisa Tirana të ketë furnizim 24 orë
• Subvencioneve direkte për fermerët e TiranësAmendamentet tona parashikonin investime të domosdoshme në arsim, siguri dhe të ardhmen e të rinjve, duke përfshirë ndërtimin e institucioneve të reja arsimore, rritjen e sigurisë pranë tyre dhe krijimin e kapaciteteve publike për strehimin studentor. Refuzimi i këtyre investimeve tregon se për mazhorancën prioritet nuk është e ardhmja e qytetit, por mbajtja e pushtetit me çdo kusht.
Amendamentet tona synonin:
• Ndalimin e pagesave për shërbime që nuk ekzistojnë, duke filluar nga inceneratori inekzistent
• Uljen e shpenzimeve operative dhe administrative
• Eliminimin e fondeve për marketing dhe evente propagandistike
• Alokimin e këtyre fondeve drejt shërbimeve sociale, qendrave komunitare dhe mbështetjes për të moshuaritBuxheti prej mbi 400 milionë euro për vitin 2026, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe i kundërshtuar fort nga opozita, nuk i jep zgjidhje asnjë prej sfidave të vërteta të kryeqytetit. Është një buxhet për propagandë dhe klientelë; një buxhet që mban gjallë modelin e qeverisjes pa transparencë dhe pa llogaridhënie; një buxhet që rëndon qytetarët dhe bizneset. Ky akt është një arsye më shumë për të reaguar ndaj arrogancës, përjashtimit social, vjedhjes dhe shpërdorimit të parasë publike.
Deklarata e anëtarit të PL në Këshillin Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Artan Distafa
Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2026 është pasqyra më e qartë e një pushteti lokal të shndërruar në makineri zhvatjeje, ku paratë e qytetarëve nuk shkojnë për shërbime, por për të mbajtur në këmbë një administratë të fryrë artificialisht për qoka politike dhe klientelizëm. Plot 124 milionë euro do të shpenzohen vetëm për paga personeli. Kjo do të thotë se rreth 600 mijë qytetarë të Tiranës do të paguajnë mesatarisht 207 euro në vit secili, jo për investime, jo për transport, jo për çerdhe, shkolla apo infrastrukturë, por për rrogat e një administrate që nuk prodhon shërbim proporcional me koston që u faturohet qytetarëve.Bashkia Tiranë ka sot rreth 9 167 punonjës, më shumë se shumica e ministrive kyçe të shtetit shqiptar. Vetëm Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes kanë më shumë punonjës se Bashkia Tiranë. Kjo është absurde dhe alarmante. Por skandali më i madh qëndron në zemër të bashkisë. Vetëm në aparatin qendror të Bashkisë Tiranë punojnë 1 747 persona, burokratë që nuk ofrojnë shërbime direkte për qytetarët. Për krahasim: Në Kryeministri punojnë vetëm 218 persona. Në Kuvendin e Shqipërisë, përfshirë deputetët, janë gjithsej 472 persona
Vetëm rrogat e këtyre burokratëve të bashkisë do t’u kushtojnë qytetarëve të Tiranës rreth 18 milionë euro në vitin 2026. 18 milionë euro për zyra, tituj, drejtorë, nën-drejtorë, koordinatorë dhe struktura paralele, që nuk ofrojnë asnjë shërbim real për qytetarët.
Kjo është vjedhje e ligjshme përmes taksave. Kjo është zhvatje e qytetarëve për të ushqyer një administratë partiake. Kjo është fryrje e qëllimshme e pushtetit lokal për të shpërblyer militantë dhe për të blerë heshtje politike. Ndërkohë që qytetarët paguajnë taksa gjithnjë e më të larta, Tirana vuan nga mungesa e shërbimeve bazë, trafiku ka dalë jashtë kontrollit, ndotja rritet, hapësirat publike zhduken dhe investimet reale mungojnë.
Bashkia Tiranë nuk është më një institucion në shërbim të qytetarëve. Është kthyer në një ndërmarrje politike për të mbajtur në këmbë një aparat pushteti, që jeton nga djersa dhe xhepat e qytetarëve.Qytetarët e Tiranës nuk janë bankomat i qeverisë dhe as i bashkisë. Taksat e tyre nuk janë pronë private për qoka dhe klientelizëm. Kjo situatë kërkon llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi politike. Mjaft me zhvatjen, me fryrjen e administratës dhe me vjedhjen e parave të qytetarëve.
Komente









