Qeveria zhvilloi sot, mbledhjen e saj të radhës, ku miratoi vendime të rëndësishme për sektorë të ndryshëm.

Ndër këto vendime ishte miratimi i modelit të financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe transparent për institucionet kërkimore publike (mes tyre universitete, agjenci, ose institucione të tjera që merren me kërkime. 

Sipas këtij vendimi përfshihet:

1. Financimi bazë, që do mbulojë nevojat minimale, si pagat dhe shpenzimet e përditshme, për të siguruar funksionimin e tyre.

2. Financimi sipas performancës që do të shpërndahet bazuar në rezultatet.

3. Financimi për projekte konkurruese që do të jepet për projekte kërkimore përmes garës.

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit  vlerëson performancën e institucioneve dhe shpërndan fondet për projektet konkurruese.

Institucionet e reja të kerkimit do të financohen fillimisht vetëm me financim bazë për 3 vite, dhe më pas do të përfshihen në skemën e financimit sipas performancës.

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E MODELIT TË FINANCIMIT TË BUXHETIT PËR SHKENCËN DHE KËRKIMIN SHKENCOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e modelit të financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe të matshëm të financimit të kërkimit shkencor, i cili zbatohet për të gjitha institutet dhe njësitë e veçanta publike kërkimore, në varësi të ministrive dhe institucioneve qendrore të administratës shtetërore.

2. Modeli i financimit të kërkimit shkencor përbëhet nga këto instrumente:

a) Financimi bazë institucional (FBI);

b) Financimi i orientuar nga performanca (FOP);

c) Financimi për projekte kërkimore konkurruese (FPK), pjesë e të cilit është edhe fondi për infrastrukturën kërkimore dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

3. Financimi bazë institucional (FBI) dhe financimi i orientuar nga performanca (FOP) sigurohen me fonde të buxhetit të shtetit, që shpërndahen nëpërmjet buxheteve të ministrive apo të institucioneve qendrore përkatëse, që kanë propozuar krijimin e tyre.

4. Fondi për projektet kërkimore konkurruese (FPK) sigurohet me fonde të buxhetit të shtetit, i cili administrohet dhe shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (në vijim AKKSHI).

5. AKKSHI-ja ushtron funksionet e vlerësimit teknik, verifikimit të të dhënave, llogaritjes vjetore të koeficientëve K₁, K₂, K₃ dhe K₄ dhe të indeksit të performancës (IP), si dhe publikon çdo vit tabelën zyrtare përkatëse për financimin e orientuar nga performanca (FOP), sipas përcaktimeve në              aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

6. Financimi bazë institucional (FBI):

a) përbën instrumentin kryesor të financimit publik për institutet dhe njësitë e veçanta publike kërkimore;

b) ka për qëllim garantimin e funksionimit minimal dhe të qëndrueshëm të tyre;

c) garanton mbulimin e detyrimeve për paga, kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe shpenzimet e funksionimit të tyre, bazuar në strukturën organike të miratuar dhe kostos për funksionimin minimal;

ç) planifikohet dhe shpërndahet nga institucionet krijuese të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor.

7. Financimi i orientuar nga performanca (FOP):

a) është një instrument financiar shtesë, i cili synon të stimulojë rritjen e cilësisë, produktivitetit dhe ndikimit të veprimtarisë kërkimore të instituteve dhe njësive të veçanta publike kërkimore;

b) bazohet në indeksin e performancës (IP), që është treguesi i përbërë sasior, i llogaritur nga AKKSHI-ja, sipas metodologjisë së përcaktuar në aneksin 1, i cili pasqyron në mënyrë krahasuese performancën e instituteve dhe njësive të veçanta publike kërkimore dhe shërben si bazë për shpërndarjen e financimit të orientuar nga performanca (FOP);

c) shpërndahet 100% proporcionalisht me indeksin e performancës (IP) mbi bazën e koeficientëve K₁–K₄, të llogaritur nga AKKSHI-ja, sipas formulës:

IPᵢ = 0.4K₁ᵢ + 0.3K₂ᵢ + 0.2K₃ᵢ + 0.1K₄ᵢ;

FOPᵢ = FOP_total × IPᵢ / ΣIP.

Në aneksin 1 jepet shembull ilustrues për llogaritjen e tij.

8. Pragu minimal i indeksit të performancës (IP) përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për shkencën. Institucionet me indeks performance (IP) nën pragun e përcaktuar me udhëzim nuk përfitojnë FOP-in për atë vit. Nëse IP-ja i një institucioni bie më shumë se 20% krahasuar me vitin pararendës, pjesa e FOP-it për atë institucion ulet në mënyrë proporcionale me normën e rënies.

 9. Në rast se në një institucion krijues ka vetëm një institucion ose njësi të veçantë kërkimore, financimi i orientuar nga performanca (FOP) aplikohet mbi bazën e vlerësimit të arritjes së objektivave të përcaktuar në kontratën e performancës dhe treguesve të miratuar paraprakisht.

10. Financimi i orientuar nga performanca (FOP) për institutet dhe njësitë e veçanta publike kërkimore aplikohet vitin e katërt, nga viti i krijimit ose i riorganizimit të tyre, pas përfundimit të një periudhe fillestare 3-vjeçare konsolidimi dhe ndërtimi kapacitetesh.

11. Gjatë periudhës së parë 3-vjeçare nga krijimi ose riorganizimi këto institucione financohen vetëm nëpërmjet financimit bazë institucional (FBI) dhe, kur është e zbatueshme, nëpërmjet financimit konkurrues për projekte (PK).

12. Financimi konkurrues për projekte (PK) është një instrument financiar që përdoret për mbështetjen e projekteve mbi bazë thirrjesh të hapura dhe procedurash konkurruese.

13. Institucionet e arsimit të lartë, institucionet e krijuara me ligj të posaçëm, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor financohen nga fondi i programeve konkurruese, në bazë të projekteve konkurruese në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor. Përzgjedhja dhe vlerësimi i projekteve konkurruese bëhet sipas procedurave dhe kritereve të vlerësimit, të përcaktuara në udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për çështjet e shkencës dhe kërkimin shkencor, sipas një metodologjie të publikuar paraprakisht.

14. Financimi për zhvillimin e kapitalit njerëzor kërkimor përfshin mobilitetin shkencor, formimin e avancuar, shkëmbimet ndërkombëtare dhe trajnimin në standardet e zonës evropiane të kërkimit (ERA), me synim forcimin e kapaciteteve të kërkuesve dhe integrimin e tyre në rrjetet ndërkombëtare.

15. Projektet kërkimore mund të bashkëfinancohen nga buxheti i shtetit, donatorë kombëtarë ose ndërkombëtarë dhe entitete private, vendase ose të huaja. Bashkëfinancimi formalizohet përmes një marrëveshjeje të posaçme, e cila përcakton:

a) instrumentet financiare të përdorura;

b) përqindjen e kontributeve të secilës palë;

c) kategoritë e shpenzimeve të pranueshme;

ç)  procedurat e auditimit dhe kontrollit.

16. Pragu minimal i bashkëfinancimit të kërkuar duhet të jetë i përcaktuar në shpalljen e thirrjes nga AKKSHI-ja, përpara aplikimit nga subjektet. Mosrespektimi i marrëveshjes së bashkëfinancimit përbën shkak për ndërprerjen e financimit dhe kthimin e fondeve.

17. Institucionet përfituese dorëzojnë raporte teknike dhe financiare, sipas formateve të standardizuara, të miratuara nga AKKSHI-ja dhe në përputhje me legjislacionin për menaxhimin financiar dhe kontrollin. Monitorimi kryhet përmes vizitave në terren, verifikimit të planit të punës, analizës së treguesve të performancës dhe mekanizmave të monitorimit. Në rastet kur objektivat nuk realizohen, zbatohen masa, si reduktimi i fondeve, riorientimi i burimeve ose penalitete të tjera, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kontrollin dhe menaxhimin financiar.

18. Në rast të pjesëmarrjes së shtetit shqiptar në një konsorcium evropian të infrastrukturës së kërkimit (ERIC), financimi i këtij konsorciumi duhet të plotësojë të gjitha kërkesat, modalitetet dhe procedurat e përcaktuara në  rregulloren mbi kuadrin ligjor të komunitetit për një konsorcium evropian të infrastrukturës kërkimore (ERIC) nr.723/2009, datë 25 qershor 2009, të ndryshuar, dhe zbatohen rregullat e përcaktuara në këto rregullore.

19.  Dispozitat e shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, nuk zbatohen për institucionet e krijuara me ligje të posaçme.

20. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe kërkimit shkencor, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta, që ushtrojnë veprimtari në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.