Pas gati dy vitesh opozita jashtëparlamentare do të hyjë në kuvend me mandatin e dhënë për Oerd Bylykbashin si anëtar në komisionin e posaçëm për ngritjen e KQZ së re. 

Gjithashtu palët politike do të ulen në tryezën e Këshillit Politik për të vijuar diskutimet mbi listat e hapura.

Në një intervistë për Report Tv, Bylykbashi u shpreh se ndryshimi i formulës së koalicioneve parazgjedhore është vija e kuqe që nuk duhet kaluar për opozitën e bashkuar.

"Së pari themi që ndryshimet kushtetuese ku ato mbledhje të këshillit ishin për ti dhënë ramës një lustër. Këshillin politik ai tentoi ta përdorte si fasadë. Do të ketë një debat të madh për të risistemuar sistemin. Ashtu sic janë afatet kohore ne do të kemi një afat qesharak. Vetëm një proces, më parë ka dashur dhe 2 muaj për tu kaluar dhe dakordësuar. Ndryshimi i formulës aktuale së koalicioneve për ne është vija e kuqe. Do luftojmë që koalicionet të mbeten në kodin zgjedhor kështu siç janë. Është një përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës që të zvogëluar sa më shumë humbjen e tij. Përsa i përket listave debati do jetë i fortë. Ne kemi kërkuar që listat të jenë 100 përqind të hapura" - u shpreh Bylykbashi.

Bylykbashi u shpreh se opozita e bashkuar po vijon punën për aplikimin e kandidatëve për nënkomisionerin e KQZ. Ai thotë se po bëhet kujdes për të përjashtuar kandidatët që do sillnin politizim të KQZ-së.

"Procesi është i ndërtuar në bazë aplikimesh që bëjnë kandidatët. Roli i opozitës është specific përsa i përket nënkomisionerit dhe është një proces përjashtues përsa i përket komisionerit. Ky është një proces politik që opozita po e zhvillon për të përcaktuar se kush do të jenë ata profesionistë me integritet që do të marr rol të rëndësishëm në KQZ dhe për të përjashtuar kandidatë që qartazi do të sillnin politizimin dhe njëanshmëri në KQZ në favor të qevrisë" - deklaroi Bylykbashi.

Gjithashtu i deleguari i Opozitës së Bashkuar në Kuvend tha se KQZ nuk garanton domosdoshmërisht zgjedhje të lira ndaj ngulmon në hartimin e një formule të re të saj.

Ai thotë se me formulën ekzistuese, KQZ-ja u kthye në një çetë militante të PS-së.

"Asnjëherë ligji nuk është formuluar që garanton që çdo institucion do të jetë gartanti përfundimtar. Gjatë reformës që u bë dhe u përmbyll me marrëveshjen e 5 qershorit dhe më pas me aprovimin në parlament kemi menduar se kjo formulë e KQZ do të sjellë zhvillime të reja. Formula ekzistuese KQZ u kthye në një çetë militante të PS e cila arrin dhe guxon të marrë rolin e Gjykatës Kushtetuese apo akoma më keq të organizojë zgjedhje që u zhvilluan në kundërshtim me interesin e zgjedhësve. E kam fjalën për zgjedhjet e 30 qershorit. Është një komision që ka degraduar dhe shpresojmë që ky komisioni ri të japë një formë të re organizimi ky secili prej tre organeve të ketë role të ndara" - tha Bylykbashi.