Cani tha edhe se lëvrimi i këstit të parë të huasë nga FMN-ja po zgjat vetëm për motive teknike, pas zgjidhjes së të cilave do të vendoset mënyra për të kaluar paratë nga Uashingtoni në Bankën e Shqipërisë. “Ne kemi bërë kërkesën përpara pesë ditëve, pasi kërkesa duhej bërë përpara pesë ditë pune dhe pas kësaj periudhë bëhet lëvrimi”, tha ai, duke shtuar se procedura nënkuptonte një miratim paraprak nga Kuvendi shqiptar.
Sipas Canit, kësti i parë është diku tek rreth 25-26 milionë euro. Deri në 31 mars janë shlyer 200 milionë dollarë borxhe të shtetit ndaj biznesit, edhe pa këto fonde të Fondit Monetar, sipas tij. “Ne jemi munduar që të përqendrojmë efektet në disa drejtime kryesore. Një efekt që deri tani nuk e kemi përmendur është ai i shlyerjes së detyrimeve nga njëra firmë tek tjetra. Efekt tjetër do të jetë shlyerja e detyrime që firma të ndryshme u kanë punëtorëve të tyre, që nuk u kanë dhënë pagën, ose furnitorëve të vegjël”, tha ministri.
Ndërkombëtarët
Cani deklaroi se “ne kemi hyrë në një marrëdhënie disi të veçantë me FMN-në dhe Bankën Botërore, për arsye se nuk jemi më në marrëdhënie kaq të ndërvarura, apo në marrëveshje të drejtpërdrejta kushtëzuese me njëri tjetrin. Por, në një farë kuptimi, edhe pse i kemi të relaksuara marrëdhëniet, ne kemi marrë hua nga FMN dhe nga Banka Botërore, pasi shpresojmë t’i kemi përmbushur të gjitha parakushtet, mendojmë që në fund të majit, Bordi i Bankës Botërore do të marrë një vendim pozitiv për të na e dhënë huanë”.
Që të marrësh një kredi, tha Cani, natyrisht që kredidhënësit duhet t’i japësh besimin se po ecën në rrugën e duhur, sepse nuk mund ta marrësh kredinë dhe të zhdukesh nga skena. Natyrisht që duhet t’i thuash ku është gjendja në nivelin e të ardhurave, në rritjen ekonomike. Patëm së fundmi një zhvillim të ri, që rritja ekonomike doli 0.4%. Ne dikur e menduam 1.2, pastaj 0.7% dhe si përfundim arriti 0.4%, pra ne kemi lëvizur pak për poshtë dhe ekonomia duket që kishte më shumë problem çfarë mendonim dhe doemos kjo duhet argumentuar. Pa u japim atyre një panoramë mikss se si dolëm me realizimin e të ardhurave, me shpenzimet me pagesën e detyrimeve të prapambetura.
Ecuria
Cani u shpreh optimist për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë shqiptare. Ndërkohë, lidhur me deklaratën e parapakkohëshme të tij se duhen rreth 100 milionë euro të tjera borxh për energjinë elektrike për këtë vit, kreu i Financave theksoi se “për këtë do të na duhet të dalim dhe njëherë tjetër më vonë, kur ne të ecim me bisedimet, sepse është shpejt që të dalim në publik për gjëra që i kemi ende në një fazë jo të pjekur”.
Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)