Këtë mesazh do të doja ta kisha transmetuar privatisht, por vendosa ta bëj publik pasi nuk bëhet fjalë vetëm për mua dhe kolegët e mi. Dje, e premte 3 nëntor, është një ditë që do ta kujtoj përherë në historinë e Report TV, sepse përmbytjet që përfshinë shumë zona të Shqipërisë dhe mijëra qytetarë, prekën dhe televizionin tonë.  Kur ka ngjarje të kësaj natyre një media, normalisht, përmbush funksionin e saj natyral, që ka të bëjë me të qënit dëshmitarë për të treguar zhvillimet dhe për të ndihmuar në dhënien e ndihmës ndaj njerëzve në vështirësi. Dje na u desh ta tradhëtonim këtë mision. Këtë radhë ishim ne që patëm nevojë për ndihmë.  

Nën sytë e mi, të terrorizuar nga lumi i ujit që nga rruga po pushtonte në pak minuta redaksinë e Report TV të sapondërtuar, duke përmbytur magazinat, një studio, një regji, arkivat dhe kabinën elektrike, duke arritur të përhapej në newsroom-in e katit të sipërm, deri në këmbët e mia, ndodh një metamorfozë. Gazetarët, kameramanët, teknikët, shoferët, regjisorët, administratorja, financa, sanitaret, marketingu, spikerat, të gjithë protagonistë të punës së përditshme në një televizion dhe të rrëfimit të jetës së të tjerëve, u transformuan sa hap e mbyll sytë në protagonistë zemërgjerë të shpëtimit të Report TV.  Të gjithë, pa asnjë dallim, me këmbët në ujin që rriste gradualisht nivelin, me fshesa e kova po luftonin të shpëtonin ç’të mundnin. Në ankthin që po më rrethonte, ajo që po shihja ishte një skenë e mrekullueshme solidariteti që nuk do të mund ta harroj kurrë dhe për të cilën nuk do të lodhem së falenderuari.
  
Nëse dje, pas orë e orë tensioni të jetuara me sytë nga qielli drejt reve që kërcënonin një rrebesh të ri dhe mbi nivelin e ujit në studio që arriti gati në gjysëm metri, u preka deri në lot, nuk ishte për dëmet e pësuara, as për rrezikun e një përmbytje të dytë, por për atë akt dashurie të përbashkët që më përqafoi dhe më mbrojti. Mrekullia e popullit shqiptar zbulohet në momente të vështira: Këtë e kam ditur përherë, por dje e përjetova personalisht, ndoshta si kurrë më parë.  

Në operacionet e ndihmës morën pjesë në momente të ndryshme edhe forca të shpëtimit publik dhe i kuptoj vështirësitë e tyre për të përballuar e për t’u shpërndarë në qindra telefonata kërkesë për ndihmë. I falenderoj edhe ata për sa bënë dhe për ndihmën që na dhanë deri në mëngjes. Por të ndihmojnë njerëzit është profesioni i tyre, ndërsa për gazetarët, profesioni është një tjetër dhe pikërisht për këtë arsye falenderimi drejtuar kolegëve të mi ka një tjetër natyrë. 

Do ta kisha mbyllur këtu këtë mesazh, nëse gjatë natës nuk do të kisha lexuar rastesisht një titull të turpshëm të publikuar në portalin e televizionit të familjes Berisha: ''Ujërat e zeza ndërpresin propagandën/ Përmbytet kati i parë i TV së Bollinos''. Përveç gënjeshtrës së zakonshme për ta (nuk u përmbytëm nga ujrat e zeza, por nga shiu që nuk gjente rrugëshkarkim në kanalizimet e pamjaftueshme të qytetit), ai titull ishte si një shuplakë e patolerueshme në fytyrën e kolegëve të mi, të cilët pa kërkuar asgjë në këmbim, luftuan për të shpëtuar televizionin ku punojnë. Prej 30 vitesh jam mësuar me shpifjet dhe me abuzimet e familjes Berisha, por kurrë nuk kam lejuar që këto të prekin stafin tim. Ndryshe nga familja Berisha që pretendon akte publike besnikërie, nënshtrimi dhe gënjeshtrash nga vartësit (gazetarët apo politikanët e vet), unë nuk kam pretenduar kurrë një gjë të tillë nga kolegët e mi. Kush punon me mua e di mirë, nëse është nevoja mbrohem përherë vetë. Ndodh kështu prej 30 vitesh. Dhe në të njëjtën mënyrë nuk i jam imponuar asnjë gazetari çfarë të shkruajë apo të thotë. I vetmi pretendim profesional nga ana ime është të thonë të vërtetën dhe të mos bëjnë propagandë. Për askënd! Ja se përse Report TV mund të akuzohet se bën gabime, por kurrë se bën propagandë, që është një formë e sëmurë  informacioni, të cilin unë e refuzoj. Ekzaktësisht e kundërta e Sali Berishës, që e imponon si rregull.  

Ndaj, gjeja më e turpshme e atij titulli, është mungesa absolute e solidaritetit të paktën ndaj kolegëve të Report TV, të cilët duke mos mundur të bëjnë punë e tyre pasi televizioni ishte i fikur, qëndruan në redaksi deri natën, me dritat elektrike të vendosura në ballë, duke hequr ujin. Nëse një gazetar nuk arrin të tregojë respekt ndaj një gazetari tjetër, nuk do të ketë respekt as ndaj lexuesve dhe telespektatorëve të vet. Dhe kjo është forma më e lartë e tradhëtisë ndaj profesionit tonë. E kam fjalën për profesionin e gazetarëve, sepse shërbëtorët e familjes Berisha për fatin e tyre të keq bëjnë një tjetër zanat. Është zanati i ulët i shërbimit ndaj padronit dhe shpifjeve.