Çashku: Tallashi dhe algat si diversion ndaj problemeve të vërteta

Çashku: Tallashi dhe algat si diversion ndaj problemeve të vërteta

Eol Çashku

Disa aktorë dhe thuajse asnjë dramaturg dhe regjisor teatri, kanë zgjedhur si platformë faktorizimi “betejën” për mbrojtjen e një ngrehine e cila nuk ka qënë kurrë teatër. As kur u ndërtua para 80 vjetësh. Gjithashtu grupe politikanësh me përgjegjësi totale politike, morale ndoshta edhe ligjore mbi gjëndjen rokopuje ku ndodhet sot sistemi ynë artistik, marrin guximin të shfrytëzojnë politikisht një ngrehinë të shpartalluar e të amortizuar në pikën e moskthimit, nga ata vetë.

Godina sot por dhe qëkurse u ndërtua si qendër argëtimi për ushtrinë (estradë ushtari) nuk përmbush asnjëlloj kushti për t’u quajtur a për të qënë një Teatër fshati e aq më pak një Teatër Kombëtar. Në 75 vjet, artistët dhe krijuesit e artit skenik u lanë të krijonin artin e tyre të madh në kushte tërësisht çnjerëzore. Ky i joni duhet të jetë i vetmi “teatër” nga Maroku në Azerbajxhan, i cili nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë qëkurse u ndërtua, llozha aktorësh. I vetmi i cili nuk ka një garderobë dhe një rrobaqepsi të ndara nga njëra tjetra. Rrobaqepsia dhe graderoba janë një dhe për t’u veshur dhe zhveshur, aktorët duhet ta bëjnë këtë me rradhë. Sapo del nga rrobaqepësi/garderoba, diku në mes të korridorit të katit të dytë, ndodhet një tavolinë me pasqyrë me llampa gjysma prej të cilave të djegura. Mos u habisni, është “llozha” e grimit… Vazhdon pak më poshtë dhe zbret drejt shkallëve të amortizuara një po një jo, dhe hop, e gjen veten tek kavot e perdeve në kuinta tek dispaçi elektrik e dy metra më tutje, je në skenë. Skenografët shqiptarë nga më të mirët në rajon e pse jo në europë, historikisht kanë vuajtur e janë ankuar për pamundësinë e ndërtimit të thellësisë dydimensionale të skenografive të shfaqjeve që janë vënë në skenë, për faj të mungesës thuajse totale në gjatësi të fondalit të skenës. Marangozeria (ndërtimi i dekoreve) diku pas pishinës veç rrëmujës së paimagjinueshme është e reduktuar në minimumin strikt të hapësirave që nevojiten. Dhoma e aksesorëve po ashtu.

Gjatë një shfaqjeje, kur aktorëve u duhet të ndërrojnë krahun e hyrjes në skenë, u duhet të kalojnë në një tip tuneli poshtë skenës që qelb era lagështirë e urinë. Sistemi rotativ i skenës me gjasa manual i modifikuar, më mirë mos të përdoret se sado vaj e graso të ketë prap zhurmon pa limit decibelësh. Në banjot e “Teatrit Kombëtar” duhet të hysh me kurajo e kundragaz kur je publik i thjeshtë. Duhet të kesh kujdes kur lan duart në lavaman kur mbaron së kryeri nevojat, se mos të lagen këmbët ngaqë lavamani nuk ka sifon fare. Si aktor apo teknik, mund të lirohesh më mirë rrëzë mureve apo ndonjë peme jashtë gjatë entraktit, sesa në “banjën” e artistëve. Si spektator në dimër duhet të vish ose i pirë ose me një shishe raki për të përballuar të ftohtin e në verë nuk mund të shohësh shfaqje hiç nga i nxehti. Pasi ke mbaruar shfaqjen pastron grimin me një pambuk me ujë, e pas një kafeje me kolegë e dashamirës, djersën shkon dhe e heq me një dush të lumtur në shtëpi, pasi dushe “Teatri ynë Kombëtar” nuk ka dhe nuk ka patur. Ushtarët e 1939, pas argëtimit laheshin në dushet e kazermave të tyre. Godina e vetme(sot Kuvendii) që u projektua e u ndërtua për Teatër dhe e cila plotëson çdo kusht teknik, si gjërësinë dhe gjatësinë e fondalit(sot thellësia e fondalit përbën kafenenë e parlamentit) të skenës nuk shërbeu fatkeqësisht kurrë si e tillë. Gjatë diktaturës komuniste Teatri posedonte edhe të vetmen pishinë të Kryeqytetit deri në mes të viteve 80.

Sot nga ajo pishinë mbeten vetëm gojëdhënat sureale fëmijëve të artistëve(të vetmit që kishin të drejtë të laheshin në të) se si i madhi Roland Trebicka hidhej në pishinë me kokë dhe kur dilte kishte vetëm trupin të lagur dhe kokën të thatë. Të gjitha trupat e huaja që do të vijnë do u duhet të reduktojnë shkallën e ndërtimit të skenografive e të reduktojnë elementë dekori. Partia komuniste (por edhe disa prej forcave politike të sotme) kishte një raport më së paku të çuditshëm me objektet e alokuara për artin teatror. Kështu, salla e parlamentit të parë shqiptar në mënyrë semiotike tallëse u shëndrua në Teatër Kukullash. Salla e ndërtuar për teatër u bë parlament, dhe salla e argëtimit të ushtarëve fashistë u kthye në teatër. Sallat e kinemave u kthyen në bingo(dikur edhe salla e Teatrit Eksperimental të sotëm) dhe disko me emra nga më haluçinantët. Qendrat kulturore në bilardo. Kinostudio në telerepublikë. Absurdi semiotik nuk ndaloi deri në vitin 2013 kur SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) së fundmi Ansambli dhe Qendra Multimedia e Ushtrisë, u shëndërua nga një aset kulturor të gjithë shqiptarëve në aset në funksion të një partie(pjese) të shqiptarëve.

Nisur nga këto vuajtje treçerek shekullore, nuk kuptohet aspak se pse një minorancë artistësh që me vetmohim të nivelit të lartë janë strapacuar duke bërë artin e tyre në kushte ç’njerëzore, ata vetë por edhe gjeneratat e shkuara që prej 1945, nuk u ngritën kurrë për të drejta që lidhen me veçantinë e punës së tyre mes të cilave spikat dhe cilësia e ambienteve të punës krijuese. Shqipëria për fatin e keq ende sot nuk ka as edhe një sallë të vërtetë teatri, përfshi dhe sallat e rikonstruktuara vitet e fundit, në raport me standartet arkitektonike, urbanistike dhe teknike të cilat janë parametër i fiksuar nga praktika e evolucionit të sistemit teatror të botës së lirë prej shekujsh tashmë. Sot po manifestohet një protagonizëm i disa artistëve shqiptarë të cilët në emigracion përballen me mungesa dhe trauma të mëdha identitare duke punuar jashtë fushave të tyre të kompetencës. Siç rrëfente para pak kohësh artisti Leka Bungo i kthyer nga SHBA, në emigracion artistët shqiptarët u morrën me çdo punë por jo me art duke kuptuar pak ose asgjë nga sistemet kulturore të vendeve ku emigruan. Në Shqipëri vijnë dhe krenohen me suksese imagjinare në perëndim, me qëllim përfitimin e fondeve posteve apo dhe famës të cilën nuk patën kurfarë aftësie ta bënin në vendet pasaportat e të cilëve mbajnë në xhep. Aq më pak kuptohet përse shumë artistë të veshur herë pas here me pushtet legjistlativ e egzekutiv, nuk luajtën asnjëherë gishtin për të përmirësuar kushtet e punës apo për të ngritur një sistem të vërtetë autonom perëndimor për Teatrin por edhe për të gjithë zanatet e arteve.

Përse sot edhe kjo protestë shkon në drejtim të paditur, pikërisht në atë drejtim që i intereson politikës për të mbajtur në hije paaftësinë por edhe dashakeqësinë e saj 75 vjeçare ndaj artit dhe kulturës. Përse po kthehet në modë në shqipëri që protesta shoqërore të domosdoshme shkojnë në drejtimin e paditur të shfrytëzimit politik?! Në nëntor 2018, studentët e universiteteve shtetërore u ngritën në një protestë fare jo llogjike kundër Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili për herë të parë në Shqipëri i ktheu Universitetet nga shtetërore në publike. Në vend që të protestonin ndaj keqadministrimit dhe korrupsionit kompulsiv të drejtuesve dhe administratave universitare, u përdorën dhe u ndotën pikërisht nga këta të fundit në mënyrë që përgjegjësia e shpartallimit të Universiteteve shqiptare të faturohej tek qeveria dhe këta mjeshtra të kontrollit rotativ korruptiv të vazhdonin kapjen tashmë 30 vjeçare të universiteteve nga maja e mediokritetit, paaftësisë dhe korrupsionit të tyre ende të pandëshkuar. Artistët shqiptarë, sot më shumë se kurrë kanë nevojë për dinjitet në raport me veten, me tjetrin por dhe me shtetin. Jo vetëm për kushte cilësore pune por edhe për sistem social, ekonomik dhe financiar të mirfilltë. Teatri Kombëtar nuk është një sallë. Drejtori i Teatrit Kombëtar nuk është pronar apo administrator salle. Trupat dhe ekipet teatrore nuk mund të punojnë tre muaj për të përgatitur një shfaqje e cila shfrytëzohet 10 ditë dhe pastaj harrohet. Teatri Kombëtar është i kombit. Ai duhet të qarkullojë shfaqjet e tij në të gjithë Shqipërinë por edhe në shtetet fqinje ku më shumë se gjysma e kombit tonë jeton. Një pjesë e mirë e recetave financiare duhet duhet të administrohet nga vetë Teatri, biles dhe një pjesë e taksave shtërore të arkëtuara nga shfrytëzimi i veprave teatrore gjithashtu.

Teatri kombëtar duhet të jetë një strukturë autonome dhe tentakulare duke organizuar punën me qarqet dhe me fqinjët në mënyrë sistematike. Teatri kombëtar duhet të jetë vetë sistemi kapailar i formimit dhe kualifikimit të brendshëm nën shembullin perfekt të Komedisë Franceze tashmë 300 vjeçare e cila posedon disa salla dhe herë mbas here edhe i ndërron apo edhe sistemeve analoge Gjermane, Britanike apo dhe Italiane. Ndaj sot është koha që artistët të mos keqpërdoren më nga politika e cila vetëm duhet t’u shërbejë që ata të mund të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Në vend se t’ju këkojnë llogari atyre që po përpiqen të bëjnë, për herë të parë në 75 vjet, më të mirën për të gjetur zgjidhje të plota dhe win-win (vetëm të fituar) të kthejnë sytë e përgjegjësisë ndaj atyre që bënë keq ose nuk bënë asgjë sa ishin në pushtet. Dhe lista e këtyre të fundit në 75 vjet është tepër e gjatë. Në të bëjnë pjesë dhe njerëz me lidhje të forta familjare me artin dhe me teatrin në veçanti. Toka e teatrit, ku në 75 vjet arti u krijua art në kushte ç’njerëzore është e shenjtë. Teatri aktual është prova kokfortë e turpit ku e zhyti politika injorante shtërore, artin teatror që lindi në antikitet pikërisht diku në këto troje. Në Teatrin e ri të ngritur mbi këtë tokë të shenjtë patjetër duhet të ketë një hapësirë muzeale të dedikuar, ku veç kryeveprave të krijuara nga artistët tanë të mëdhenj ndërvite të ekspozohen patjetër edhe copëza të turpit strukturor, moral, politik e kulturor ku u reduktua Teatri Kombëtar shqiptar, sidomos në vitet e të ashtëquajturit tranzicion nga një e keqe në tjetrën.

Gjysma zgjidhje apo zgjidhje me një dorë kulaçin me tjetrën kërbaçin si qëmoti nuk duhet të ketë më. Kjo protestë e energji e shpenzuar një vit e gjysëm për tallshin, algat dhe vinovilin e vuajtjes 75 vjeçare të artistëve të Teatrit Shqiptar ngjan më shumë me reagime nën sindromën Stokholmit apo më mirë të themi me personazhin e Llukan Burgamadhit tek Kronikë në Gur e të madhit Kadare. Llukani sa herë që mbyllej burgu nga ndërrimi i pushtuesve, merrte dyshekun e qelisë mbi kurriz e qante rrugëve. Sapo rihapej burgu nga pushtuesi i rradhës shkonte e paraqitej vetë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Prova: 26/07/2019 23:07

    Brilante! Nje bravo eshte pak per ty Eol Cashku!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka