Çela: Berisha s'do heqjen
e imunitetit, fajëson Ramën

Çela: Berisha s'do heqjen<br />e imunitetit, fajëson Ramën
Ish-kreu i KLSH, ish-deputet i PD, Blerim Çela, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se Berisha nuk e do heqjen e imunitetit, ndërsa bën presion ndaj Ramës që t'i lërë fajin e dështimit. Ai thotë se problem është pandëshkueshmëria e zyrtarëve si në rastin e Gërdecit, 21 janarit. Çela flet dhe për mos heqjen e imunitetit të ministrave Ruli e Uka, ndërsa thotë se rotacioni politik duhet të përfshijë PD por e PS, duke shpresuar te koalicioni i FRD-AK me partitë e tjera për qeverisje të mirë.

Ka debat për heqien e imunitetit të deputetëve e zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Duket se më shumë po e kërkon mazhoranca..?
Ky debat tashmë nuk është teknik, por politik. Mazhoranca duke kërkuar heqjen e imunitetit pretendon se do luftojë më me shumë efikasitet korrupsionin dhe opozita duke qenë e pa mbrojtur, pretendon se do sulmohet nga mazhoranca e cila për hir të së vërtetës i ka të gjitha pushtetet në dorë të saj. Opozita nuk ka besim në drejtesinë e ngritjes së akuzave dhe vendimet e drejta e objektive të gjykatave. Ajo mendon se sulmet ndaj deputetëve të saj do jenë politike, por do të mbulohen nga mazhoranca me vellon e luftës antikorrupsion për të ulur tonet kritike ndaj saj dhe për të krijuar një fasadë opozite. Pra qëllimi i opozitës është i qartë. Ajo ka frikë nga një mazhorancë që s'ka lejuar pushtete të ekuilibruara veçanërisht në institucionet kushtetuese të pavarura e kryesisht ato të drejtësisë.

Por mazhoranca...?
Qeverisja e PD ose më mirë qeverisja e z.Berisha është një qeverisje autoritare që drejtohet vetëm prej tij dhe kjo mënyrë qeverimi reflektohet deri në institucionet më të ulta të shtetit. Gjithashtu, duke qenë se organet e drejtësisë në qendër e në bazë zgjidhen në rrugë politike nga institucione politike, ku vendin kryesor e zë parlamenti, anëtarët e KLD, Gjykatës së Lartë e të Kushtetueses, janë njerëz që janë përzgjedhur nga qeveria(dmth Berisha) e cila ka në dorë parlamentin, ky i fundit gjykatat dhe institucionet e pavarura kushtetuese dhe ato të larta. Ekuacioni është i thjeshtë. Po inatose Berishën, ke inatosur qeverinë dhe parlamentin dhe kur vihesh në shënjestër të tyre je vërtetë në rrezik si opozitë dhe opozitar, sepse nuk ke ku të ankohesh.

Po janë hequr imunitetet e disa deputetëve e zyrtarëve...?
Në fakt imunitetet i janë hequr mazhorancës si zotërinjve Lulzim Basha, Ilir Meta, Fatmir Mediu etj..., por pamë se asnjërit nuk i hyri ferrë në kembe, ashtu siç doli i pafajshëm nëpunësi i kryeministrisë që, sipas prokurorisë, kish zhdukur pamjet filmike të 21 Janarit. Nëse hiqen imunitetet, ka garanci qq tq akuzuarit e ardhshqm tq mazhorancqs do gjykohen seriozisht? Mendoj se s'ka asnjë shans të tille. Vijmë te opozita të cilës iu është hequr imuniteti deputetëve Doshi e Balla. Çfarë po bëhet me ta? Po del e drejta dhe e vërteta mbi akuzat që u janë bërë? Besoj se s'ka shanse. Prandaj mendoj se si mazhoranca dhe opozita si me imunitete, si pa imunitete, në nivelet e larta, nuk dënohen.
Lufta është thjeshtë politike, por politikë pa bereqet. Ne jemi një vend që aspirojmë të hyjmë në BE dhe na është ofruar statusi i kandidatit, ku perveç të tjerave duhet të heqim imunitetet. Për të patur drejtësi, duhet rregulluar i gjithë sistemi politik në Shqipëri, ndërsa gjyqësori të mos emërohet nga politika por të vendoset një sistem i përparuar siç e kanë vendet e zhvilluara e sidomos SHBA. Imuniteti duhet të hiqet, që të marrim statusin e vendit kandidat. Mazhoranca e opozita ta lënë lojën politike.

Keni qenë kryetar i KLSH, denoncuat në prokurori disa ministra ku u kërkua pa sukses heqja e imunitetit...?
Vullneti i z.Berisha në atë periudhë ishte që ish ministrave tu hiqej imuniteti që ti hapej rruga prokurorisë për vazhdimin e hetimeve, por opozita socialiste e asaj kohe për inat të Berishës votoi kundër heqjes së imunitetit të ministrave demokratë. Pra marrëveshjet për të ruajtur njëri tjetrin bëhen dhe kundër vullnetit të udhëheqësve të të dyja palëve, meqënëse gjendet gjuha pas kuintave. Politikanët po tallen me popullin. U mbyten më 9 Janar 2004 në një tragjedi të vertetë 10 të rinj në kanalin e Otrantos duke mos patur ndihmën e autoriteteve shtetërore dhe askujt nuk i hyri ferrë në këmbë. Ndodhi tragjedia e Gerdecit dhe u denuan vetëm zbatuesit e urdhërave dhe jo urdhërdhënësit, u vranë 4 vetë më 21 Janar 2011 në një protestë të dhunshme, por pa armë dhe askush nuk po dënohet, madje po falen. Bëhen denoncime nga organet e kontrollit e sidomos nga KLSH dhe nuk shohim asnjë zyrtar të lartë të gjykohet e të denohet. Flitet se po vidhen prona, toka, para nëpër tendera e askush s'denohet. Kush i pengon keto, imuniteti apo vullneti politik në radhë të parë i mazhorances? Mazhoranca ka për detyre ligjore e kushtetuese të pengojë, kapë, denoncojë e të këmbëngulë me prova në gjykatë që krimi të dënohet. Nga kush pret mazhoranca që të heqë a po të paktën të zbusë këtë të keqe, nga opozita?

Po çfarë të bëjë opozita...?
Atëherë, opozita përse nuk ia heq nga dora këtë argument fals mazhorancqs se gjoja po e pengoka të luftojë korrupsionin nga mos heqja e imuniteteve. A nuk e kupton zoti Rama se jo vetëm po pengon futjen e Shqipërisë në BE por dhe po bën lojën e zotit Berisha? Në fakt zoti Berisha nuk e do heqjen e imuniteteve, por po e bën lojën në atë mënyrë që faji t'i ngelet opozitës. Nëse kjo opozitë pretendon që në 2013 do vijë në pushtet, përse i frikësohet heqjes së imuniteteve? A mos valle nuk e ka të sigurtë fitoren e 2013? Po të jetë kështu, opozita duhet të rishikojë jo vetëm programin elektoral, por dhe udhëheqjen e saj që nuk u garanton socialisteve fitoren vitin e ardhshëm. Nëse opozita mendon se do marrë pushtetin në 2013 e heqja e imuniteteve do të pengojë vjedhjet e saj, më mirë të mos vijë në pushtet.

Po Kushtetuta...?
Kushtetuta nuk është një ligj që i bëhen amendamente sa herë dalin probleme. Prekja e saj është një ngjarje me shumë rëndësi e duhet kryer vetëm për çështje madhore. Problemi i imuniteteve, përderisa po ndërhyn dhe BE sëbashku me SHBA, mendoj se është një problem që duhet vlerësuar, por është mirë që sëbashku me to të bëhen dhe ndërhyrje për një reformim të thellë të sistemit të drejtësisë ku gjykatësit të zgjidhen me votime nga populli dhe gjyqtaret e lartë sëbashku me KLD të mos zgjidhen nga politika. Sa më shumë të ketë ndikim politika mbi gjykatat, aq më tepër do të ketë njëanshmëri politike si majtas, ashtu dhe djathtas. Nuk është problemi se është i keq Rama apo Berisha. Jo! Personalisht nuk kam pikën e besimit tek dy partitë e mëdha që kanë gatuar këtë çorbë, prandaj jam për rotacion politik që jo vetëm të ikë Berisha nga pushteti, por as të mos vije Rama në pushtet sepse do kemi vazhdimisht të njejtat probleme. Populli shqiptar duhet të hedhë sytë tek forcat e reja politike të cilat me sa kam parë e kam lexuar programet e tyre, janë të gatshme të sjellin një sistem politik të drejtë pa përjetësi kryetarësh e pushtetesh, me votime të ndershme, ndarje reale pushtetesh dhe pa konflikte.

Më mirë milionerë që hyjnë në politikë apo milionerët politikanë?
Milionerët që i kanë fituar paratë me trashëgimi a po me zotësinë e tyre pa i ndyrë duart në krim, qoshin politikanë apo jo, kanë të drejtë të futen në politike nëse duan e fitojnë pa përbërë ndonjë rrezik e pa u korruptuar nga pushteti që kanë apo do të marrin. Megjithatë, sipas meje jo gjithmonë milionerët janë të aftë në politikë, ashtu si dhe shumë intelektualë të fushave të ndryshme, mund të jenë të aftë në profesionet e tyre, por jo në politikë. Sa i përket politikanëve milionerë të pasuruar me korrupsion, ata duhen flakur nëpërmjet votës sepse sistemi politik e ai gjyqësor i mbron, vetëm se jo të gjithë politikanët e deputetët janë të korruptuar. Ke shumë deputetë që jetojne vetëm me të ardhurat nga rroga e deputetit e cila për hir të së vërtetës është e majme. Praktika e këtyre 22 viteve ka vertetuar se në fillimet e tyre partitë politike kanë qenë më idealiste.

Po reforma zgjedhore përmirësoi Kodin...?
Reforma zgjedhore? Asgjë nuk ndryshoi. Partitë e vogla do ngelen pa deputetë, votat e tyre do ti gllabërojnë të mëdhenjtë sipas kahut politik nga ato vijnë, KQZ mbetet përsëri i politizuar, kryetari do ti takojë përsëri mazhorancës, sistemi mbeti siç ishte ku kryetarët vendosin kë t'u dojë qejfi dhe jo mazhoritar ku bëhet luftë politike e tregohen vlerat e secilit deputet. Të gjitha këto për të qeverisur vendin të korruptuarit e të dyja poleve të medha. A duhen mbajtur më në pushtet këto dy parti? Jo!

Kanë dalë në skenën politike dy parti të reja FRD e Topit e AK e Spahiut. A e dëmtojnë këto Berishën ?
Keto parti nuk janë as të Topit e as të Spahiut. Kjo mund të thuhet për PD, e cila është e Berishës, por jo për partitë e reja që janë demokratike e nuk i përkasin emrave të përveçëm dhe të përjetshëm. Së pari z.Topi i cili e mbylli presidencen e tij me shumë sukses e me integritet të lartë moral e politik nuk u bë lodër në duart e Berishës. Ai u përpoq maksimalisht për zbatimin e Kushtetutës e ruajtjen e asnjanësisë politike në kushte të rënda përballë fyerjeve në Parlament, gazeta e nga vetë z.Berisha me një fjalor të padenjë e të padrejtë, madje dhe për prokuroren e Pergjitheshme zonjën e nderuar Ina Rama. Ka qenë Berisha që ka urdhëruar mosvotimin në Kuvend të kandidaturave të Topit për KLD, Kushtetuese e Gjykatën e Lartë vetëm se ato ishin kandidatura të afta e që sillnin ekuilibër në sistemin e drejtësisë, gjë që nuk i leverdiste zotit Berisha.

Ju mendoni se duhet një koalicion FRD-AK...?
Mendoj se koalicioni i FRD me AK do të jetë një ogur i mirë për shqiptarët, pasi këto janë forca të reja politike me vizione të qarta demokratike, me drejtues të ndershëm, të ditur e patriotë dhe me shumë mbështetës në të gjitha rrethet në radhët e rinisë, inteligjencës e të punëtorëve e fshatarëve të ndershëm që kërkojnë me ngulm ardhjen e forcave të reja politike për të pastruar kënetën politike që po qelbet nga uji i ndenjur. Mendoj se e ardhmja i takon këtyre dy partive të reja dhe votat që ata do marrin nuk do demtojnë vetëm Berishën por dhe Ramën. Nuk është vetëm Berisha që ka krijuar probleme për Shqipërinë, por dhe PS, veçanërisht gjatë periudhës kur ndenji 8 vjet në pushtet.

E mendoni një koalicion FRD-PS për të rrëzuar Berishën...?
PD e PS janë njëlloj. Prandaj mendoj se FRD s'do bëjë koalicion me opozitën se në vend të një Berishe numër një, do na vijë një Berishë numër dy. Nëse populli do të qeveriset me njerëz të tillë e ka shumë gabim. Kam besim se njerëzit janë aq të mençur sa ta kenë kuptuar që me këtë klasë politike nuk mund të ecë Shqipëria. Këtë e them se takohem me shumë demokratë e socialistë. Të dyja palët janë të pakënaqur me udhëheqësit e tyre.

A mendoni se koalicioni me LSI e dëmton PD apo i shton votat?
Berisha erdhi në pushtet falë patericës LSI në vitin 2009. PD i humbi zgjedhjet e 2009 përderisa gjatë mandatit të saj bëri punë të mira në infrastrukturë, në rritjen e rrogave e pensioneve, në luftën antikorrupsion, zvogëlimin e papunësisë, rritjen e të ardhurave buxhetore e sidomos rritjen ekonomike me nga 5-6 % të PBB çdo vit e suksese të padiskutueshme politike në fushën ndërkombëtare. Në bazën e këtyre sukseseve, PD duhej të merte të paktën 76 deputetë, ndërsa ajo mori vetëm 70 duke rrezikuar daljen në opozitë nëse përsëriteshin zgjedhjet, por ndihma që i dha koalicioni me LSI e mbajti në pushtet. Ky pushtet tashmë nuk ishte më i PD, por i Berishës e i klanit të tij, sepse ata e gatuan. Rënia e PD në 2009 ishte se PD në bazë u bë inekzistente. Ajo nuk pyetej për asgjë, kryetarët e kryesitë e degëve selektoheshin e zgjidheshin siç donte i deleguari i partisë për qarkun, që raportonte te Berisha. Vendet kryesore të punës e postet shtetërore jepeshin për të privilegjuarit e të deleguarit e qarkut e të kryesisë së vogël të PD ndërsa për Tiranën postet e punësimi ishin në dorë të sekretarit organizativ të emëruar nga Berisha ku shpesh vendoseshin njerëzit jo sipas meritave e kontributeve por lidhjeve klienteliste e nepotike. Pronarëve s'po u kthehej prona e toka, të persekutuarit politikë u lanë pas dore dhe nuk po dëmshpërbleheshin e trajtoheshin siç e meritonin. Pra mendoj se PD ndihmohet nga LSI por të keqen e ka brenda vetes dhe kjo ndihmë nuk do t'i vlejë më 2013.

Ka zëra se në PD do ketë largime drejt partisë se Topit.
Drejtuesit e FRD janë figura që kanë dhënë kontribut në politikën shqiptare, në PD dhe kanë mbështetës të shumtë. Ajo aktualisht drejtohet nga Oketa, një intelektual e politikan i admiruar nga njerzit dhe me shumë mbështetës, drejtues të PD dhe në rrethe. Kryetari i kesaj partie do të zgjidhet në kongresin e parë që zhvillohet në vjeshtë, me kandidatura alternative e jo më shumë se dy mandate. Zoti Topi ka deklaruar se do të vendosë shpejt për aderimin në parti. FRD do jetë një forcë e vërtetë konkuruese në zgjedhjet e 2013. Me sa di, në rradhët e kësaj partie do ketë dhe shumë të rinj e intelektualë e njerëz të paangazhuar në politikë, por dhe nga radhët e të majtës duke shpresuar të sjellin ndryshimin dhe rotacionin e shumëpritur jo nga PD në PS, por në drejtim të forcave të reja politike FRD e AK dhe aleatëve të saj.
(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!