Ilirjan Celibashi mori sot zyrtarisht detyrën si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, pasi u votua në Kuvend të hënën me 106 vota pro.

Në një prononcim për medie ai ka thënë se do të punojë me paanshmëri e transparencë dhe se KQZ do të krijojë besim te qytetarët.

"Koha ka bërë që edhe aspekte të tjera të procesit të jenë po kaq të rëndësishme. KQZ ka një përbërje profesionistësh që do të krijojë besim te qytetarët dhe te forcat politike për paanësinë.

Do punoj me paanshmëri dhe transparencë. Unë mendoj se edhe në të shkuarën ka patur zgjidhje që jo vetëm janë pranuar nga palët, të paktën kemi 2 rotacione kushtetuese. Zgjedhjet e 2005 dhe të vitit 2013. Faktori ndërkombëtar ka patur vërejtje, por kjo nuk është një situatë kaq e zezë. Ka pasur zgjidhje që kanë marrë edhe vlerësim maksimal nga ndërkombëtarët.

Ka pak kohë por s'jemi këtu për t'u justifikuar pëor për të bërë gjithçka që mund të bjëmë. Do t'ia dalim me bashkëpunimin e të gjithë institucioneve", tha ai.

Për implementimin e dekriminalizmit ai tha se ky proces do të nisë me fillimin e regjistrimit të kandidatëve. "Me fillimin e procedurave të regjistrimit të kandidatëve edhe ky proces do të marrë jetë nëse mund ta themi kështu", shtoi Celibashi.

Celibashi është rikthyer në këtë institucion, duke zgjedhur në postin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me 106 vota pro, në  seancën plenare të së hënë. Në postin në Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, që sipas marrëveshjes propozohej nga opozita, u zgjodh Lealba Pelinku, drejtuese e departamentit të antikorrupsionit pranë PD, e cila mori 105 vota pro.

Nga ana tjetër edhe Pelinku në prononcimin e saj të shkurtër për media, ka deklaruar se do t'ja dalin në drejtimin e këtij institucioni, falë angazhimit maksimal. "Falë një angazhimi maksimal do t'ia dalim. Siç e thamë duhet që falë bashkëpunimit dhe vullnetit mes palëvete do të bëjmë një plan bashkëpunimi", shtoi ajo.