Drejtoresha e Përgjithshme  e Prodhimit statistikor në INSTAT, Elona Sevrani, në një intervistë për Report TV jep detaje nga censi 2023 i cili nis sot me mbledhjen e të dhënave.

Të anketuarit do të trokasin deri në tre herë në banesën e qytetarit për të marrë informacionin. Ndërkohë në të gjitha bashkitë e vendit janë hapur dhe zyra të përshtatshme ku qytetarët mund të shkojnë të regjistrohen nëse nuk kontaktohen dot nga i anketuari.

Sa i takon emigrantëve apo familjarëve që mund të ndodhen jashtë Shqipërisë apo në një qytet tjetër gjatë kohës së mbledhjes së të dhënave, anketuesit do të marrin informacion nga familjarët e tjerë që do të jenë në banesë.

Por çfarë ndodh me ata qytetarë që nuk kontaktohet nga asnjë anketues i Censit për një arsye apo një tjetër?

Sevrani thotë se stafi është trajnuar të grumbullojë sa më shumë informacion. Madje në rastet e banesave me dyer të mbyllura do të pyeten administratorët e pallateve, apo fqinjët. Megjithatë autoritetet  vënë theksin në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Drejtoresha Elona Sevrani u bën thirrje qytetarëve që të regjistrohen pasi këto të dhëna do të shërbejnë për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuarit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. 

Për emisionin "Sot live në Shqipëri" me gazetarin Nertil Agalliu, Sevrani zbulon se marzhi i gabimit është 3%.

Intervista e plotë

Report Tv: Si do të procedohet me ata qytetarë që ndodhen jashtë Shqipërisë?

Elona Sevrani: Pyetësori ka 9 module dhe një prej tyre është dhe informacioni mbi anëtarët e mëparshëm të familjes. Nëse familja do të deklarojë se ka fëmijë emigrantë do të vijojë të merret informacion i mëtejshëm duke iu referuar periudhës kohore 2011 – 2023.

Report TV:  Po për ata që për një arsye apo një tjetër nuk ndodhen në fshatin apo qytetin por ndodhen në një?

Elona Sevrani: Është dhënë udhëzimi që të përgjigjen familjarët.

Report TV: Nëse anketuesi nuk arrin të kontaktojë dot me një qytetar dhe ai nuk shkon për ta plotësuar formualin çfarë ndodh me të?

Elona Sevrani: Do merret informacion edhe nga administratorët e pallatit, fqinjët. Do mundohemi të mbledhim të gjithë informacionin e nevojshëm.

Popullata duhet të jetë e vetëdishme që të regjistrohet. I bëjmë thirrje popullsisë ti hapë dyert në rast pamundësie të interesohet vetë pranë zyrve të bashkisë.

Anketuesit do të trokasin deri në tre herë në banesë në kohë dhe ditë të ndryshme. Po kështu janë hapur dhe zyra pranë bashkive. Individët mund të shkojnë të regjistrohen pranë tyre. Zyrat janë të hapura nga ora 09:00 – 20:00 në çdo bashki.

Report Tv: Si identifikohen anketuesit

Elona Sevrani: Anketuesit do të kenë veshje identifikuese, bexh, jelek me logon e censit 2023

Report Tv: Nëse një qytetar jeton me qera në Tiranë por banon në Dibër?

Elona Sevrani: Regjistrimi do të bëhet aty ku është rezident pasi në modul do të jetë dhe pyetja nëse jeton me qera apo në banesën e tij

Report Tv: Kush do i përgjigjet pyetjeve të Censit 2023?

Elona Sevrani: Persona mbi 18 vjeç

Report Tv: Sa është marzhi i gabimit?
Elona Sevrani: Pas censit zhvillohet anketa e pascenstit që do të zhvillohet marzhi i gabimit por nuk i kalon 3 %. Nuk e kalon.