Ceremoni rivarrimi për 5 Dëshmorë të Atdheut, Balla: Policia të shtojë përpjekjet për të fituar besimin e publikut

Policia e Shtetit duhet të forcojë përpjekjet e të rrisë e konsolidojë rezultatet, për të fituar sa më shumë besimin e publikut. Ky ishte apeli i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në ceremoninë e rivarrimit të 5 Dëshmorëve të Atdheut, ish-punonjës të Policisë të rënë në detyrë vite më parë.

"Jemi në vitin mbarëkombëtar të 80-Vjetorit të Çlirimit, ku Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, organizojnë këtë ceremoni rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, ku kanë rënë heorikisht në krye të detyrës e janë sot në altarin e kombit, duke përmbushur njëherësh, një detyrim ligjor që ishte harruar për të prehur në Varrezat e Dëshmorëve, këta heronj. I kemi bashkuar në një ditë, 5 Dëshmorët e Atdheut, pasi edhe procedurat për rrivarrimin kanë qenë më specifike dhe sot jemi këtu në 26-vjetorin e rënies në detyrë të Lulzim Sadikajt, ndërsa nesër 11-vjetori i përkujtimit të dëshmorit Selman Lena dhe po ashtu edhe ditët në vijim edhe të dëshmorëve të rënë në detyrë të Zylfi Sulmataj, Qazim Duka dhe Edmont Çuka. Pasnesër përkujtojmë të gjithë Dëshmorët e Atdheut", nënvizoi ministri Balla.

Ai shtoi se Policia e Shtetit është organizata që gjatë këtyre 33 viteve e ka paguar me shtrenjtë vendosjen e rendit dhe sigurisë publike.

"Humbja e dëshmorëve nuk është shkaktuar nga pushtues të huaj dhe kjo na bën të gjithëve të reflektojmë, shoqërinë të reflektojë, për domosdoshmërinë e përkujtimit të veprës së tyre. Reflektimi nuk duhet të vijë vetëm nga shteti, por mbi të gjitha nga shoqëria dhe asnjë shtet nuk krijohet, zhvillohet dhe forcohet, pa dëshmorët e vet", u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme.

Balla foli gjithashtu për nevojën për rritje të mbështetjes për familjet e të rënëve, të cilët kanë nevojë për strehim, punësim, përkujdesje shtetërore për fëmijët e të rënëve.

"Duhet të punojmë më fort që këto gjëra të mos përsëriten më, të mos kemi më të rënë në krye të detyrës për gabimet tona, apo strukturave të tjera, e bëj këtë apel në emër të sakrificave që këto vajza e djem, burra e gra, punonjësit e Policisë së Shtetit  bëjnë çdo ditë në emër të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në vend", theksoi ministri.

"Më vjen mirë të konstatoj që sondazhet publike, tregojnë një rritje të vazhdueshme të mbështetjes ndaj Policisë së Shtetit dhe ndaj gjitha masave apo operacioneve që ka ndërmarrë Policia e Shtetit. Më vjen mirë po ashtu të ndaj edhe rezultatet me publikun, i cili mbetet një partner i besueshëm i qytetarëve, por edhe agjencive ligjzbatuese. Në vitin 2023 ne shënuam së bashku rezultate tepër të mira, por gjatë këtij viti duhet të vazhdojmë t’i konsolidojmë këto rezultate, sepse vetëm kështu ata që na shohin nga lart, Dëshmorët e Atdheut të ndihen krenarë për punën që po bëjmë në emër të tyre", e mbylli fjalën e tij, ministri Balla.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Një dash në vend të trofeut, sportisti i Teutës fiton në Mundjen Tradicionale

Një dash në vend të trofeut, sportisti i Teutës fiton në Mundjen Tradicionale