Media greke Kathimerini raportoi se Athina zyrtare nuk ka pranuar të firmosë një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare te BE për Shqipërinë për çeljen e negociatave, për shkak të çështjes ‘Beleri’. Duke folur për Report Tv, gazetari Edmont Guri nga Athina thotë se Greqia nuk do të heqë dorë nga çështja e Belerit dhe do të vijojë të këmbëngulë që ai të betohet si kryebashkiak i Himarës. Greqia nuk ka bërë ende njoftim zyrtar mbi lajmin e Kathimerimit për ‘bllokadën’, por gazetari Guri thotë se raportet qeveritare dhe diplomatike mes dy vendeve për momentin janë të ‘ngrira’.

“Një njoftim zyrtar nuk kemi, por marr lajmin dhe artikullin e Kathimierini. Greqia nuk heq dorë lidhur me çështjen Beleri. Artikulli ka si bazë lirimin apo dhënien e mundësisë që Beleri të betohet si kryebashkiak i Himarës për të drejtuar këtë bashki. Raportet Shqipëri-Greqi për momentin janë të ngrira, janë në situatë të vështirë në disa aspekte, qoftë në sens diplomatik apo qeveritar”, tha Guri për Report Tv.  

Në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Guri thotë se këtë situatë të krijuar mes dy vendeve e ndjejnë më shumë shqiptarët emigrantë në Greqi.

“Edhe ne si shqiptarë që jetojmë këtu e ndjejmë ftohtësinë e institucioneve greke. Greqia ka përdorur si metodë kalimin e Kakavijës, si mjet presioni ndaj Shqipërisë, kemi edhe vonesat e dhënies së leje qëndrimeve. Raportet komunitet-bashki shumë herë janë të vështira për të gjetur komunikimin, bashkëpunim. Marrëdhëniet janë të ftohta”, vijoi Guri.