Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ripërsëriti të enjten në mbrëmje kërkesën për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, pas akuzave të deputetit Tom Doshi, duke theksuar se "dorëheqja e tij është standard euroatlantik".
I ftuar në një emision televiziv, Basha foli fillimisht për protestën e sotshme të opozitës, të cilën e konsideroi madhështore dhe demokratike. Sipas tij, "protestuesit që mbushën rrugët e Tiranës, nuk e bënë këtë për kauzën personale të Lulzim Bashës dhe PD-së, por e bënë për një Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni".
"Padyshim që kauza ka një denoncues që njihet se nuk është aleat i PD-së, por një kundërshtar i vendosur i PD-së. PD mban qëndrimet e saj për këtë akuzë skandaloze", tha Basha, duke e konsideruar këtë si akuzën më të rëndë në 25 vitet e fundit.
Sipas Bashës, në këtë rast kemi të bëjmë me një skandal të trefishtë, "atë të porositjes së vrasjes me pagesë, mbajtjes të fshehur të kësaj çështje për 6 muaj me radhë dhe përpjekjes për t'ia faturuar këtë opozitës".
Basha shtoi se, "moskallëzimi i krimit nga njerëzit që e kanë për detyrë me ligj një gjë të tillë, është vepër penale". "Kërkojmë që Ilir Meta të largohet nga detyra dhe të vihet në dispozicion të hetimit të thellë dhe objektiv. Kërkojmë shkarkimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kërkojmë një proces tërësor të dekriminalizmit", tha Basha.
Sipas Bashës, "nuk ka proces të besueshëm hetimi për sa kohë i akuzuari është numri dy i shtetit". "Prokuroria ka mbështetjen tonë të plotë, por nuk mund të hetohet duke pasur numrin dy të shtetit përballë. Nuk mund të hetohet kur kundër këtij hetimi janë investuar kryeministri dhe ministri i Brendshëm", vijoi Basha.
Kryetari i PD-së theksoi gjithashtu se, "zgjedhjet e parakohshme janë një nga opsionet kryesore që po mendon opozita". "Ekonomia është në kolaps, papunësia është e lartë, krimi dhe korrupsioni po ashtu. Ne jemi të gatshëm për një ofertë të re politike për shqiptarët. Ne jemi të angazhuar për të gjetur rrugën e  zgjidhjes dhe një nga opsionet kryesore janë zgjedhjet e parakohshme", tha ai./atsh/