Ish-kreu i SHIK (Shërbimit Informativ Kombëtar), Fatos Klosi, është shprehur në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, se është e arsyeshme që Çështja e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë të zgjidhet nga një Gjykatë Ndërkombëtare.

“Rama ka në dorë t’ua japë grekëve atë që ata kërkojnë. Nuk ka në dorë gjë tjetër. Kështu që unë shikoj që është një zgjidhje e arsyeshme që Çështja e Detit të shkojë në një gjykatë ndërkombëtare”, tha mes të tjerash Klosi.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi tha se nga qëndrimi që mbajti ditën e sotme kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Greqi, duket se do të ketë një marrëveshje për Çështjen e Detit.

Sipas Muçit, marrëveshja mund të mbyllet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, pa shkuar fare në Gjykatë Ndërkombëtare.

“Nëse pala shqiptare bie dakord, atëherë ratifikohet dhe mbaron muhabeti. Por ajo që mendoj unë se duhet bërë, në radhë të parë duhet marrë me argumentat teknike dhe të shihet nëse qëndrojnë apo jo. Nëse këto argumenta qëndrojnë, unë jam dakord që të shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare. Nëse ne mendojm që nuk qëndrojnë ato si argumente, edhe mund të themi se nuk e pranojmë një marrëveshje dhe vazhdojmë përpara. Por nga qëndrimi që mbajti Rama, duket qartë se ka ndërmend ta bëjë marrëveshjen dhe s’ka për ta çuar fare në Gjykatë Ndërkombëtare. Sepse që ta çosh në gjykatë duhet të jesh i bindur që ke të drejtë”, tha mes të tjerash Muçi.


Lajmi kryesor:

Guri nga Athina: Ligji i Luftës dhe ‘Deti’ në tryezën e negociatave Greqi-Shqipëri, ka vullnet për zgjidhje! Haklaj: S'ka Traktat Miqësie, përderisa Çështja Çame përjashtohet nga bisedimet