Maja Koçijançiç
TIRANË, 9 Prill /ATSH/ -Bashkimi Europian pret që rasti i deputetit Mark Frroku të hetohet në mënyrë të paanshme, për të hedhur sa më shpejt dritë mbi ngjarjen.
Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikën e Jashtme, Federika Mogherini, bëri të ditur në një konferencë për shtyp se, prokuroria shqiptare po ndjek hapat e duhura që duhen pasuar edhe nga instancat e tjera.
"Presim një proces të shpejtë, të plotë dhe të pandikuar. Një hetim të plotë ndjekur nga veprimet e duhura nga ana e prokurorisë dhe gjykatës. Duke qenë se kjo është një çështje ndërkombëtare, nevojitet një bashkëpunim i plotë me institucionet dhe vendet anëtare", tha ajo.
Në lidhje me procesin e dekriminalizimit, Koçijançiç theksoi se, është e rëndësishme që të gjitha palët t'i qendrojnë strikte marrëveshjes së dhjetorit, që i dha fund bojkotit të opozitës, pasi u nënshkrua me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
"Për sa i përket Shqipërisë, dhe dekriminalizimit të parlamentit, kjo është e lidhur ngushtë me sundimin e fortë të ligjit dhe presim që ky të jetë edhe parimi kyç që do të udhëheqë komisionin e ngritur për këtë çëshjte. Gjithashtu është tmerrësisht e rëndësishme që të zbatohet marrëveshja e dhjetorit", theksoi Koçijançiç. /gj.m/ /a.g/