TIRANË - Nga e hëna do të vendosen rregulla të reja në tregje, veçanërisht tek ata janë evidentuar grumbullime masive qytetarësh dhe mos respektim i distancimit social. Siç paralajmëroi kryeministri Edi Rama, në tregje do të vendosen kordon sanitarë, që konkretisht kanë të bëjnë me sinjalistikë me vetëm një kalim vendosur në formën e barrierave.

Kushdo që nga e hëna nuk do të respektojë radhën dhe distancën, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndëshkim deri në heqje lirie, pra në arrestim e dënim me burg, dhe jo më vetëm me gjobë.

Konsideruar "delja e zezë" e Tiranës, siç edhe kryebashkiaku Erion Veliaj e quajti, tregu i Kombinatit do të mbledhë prezencën më të lartë të policisë dhe të ushtrisë, për të garantuar respektimin e masave mbrojtëse dhe distancës mes qytetarëve.

Por situata mund të shkojë drejt një vendimi drastik nëse rregullat nuk respektohen dhe në tregje shihet sërish situatë kaotike. Veliaj paralajmëroi se tregu i Kombinatit do të mbyllet nëse qytetarët dynden pa respektuar distancën.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, bëri të ditur se vetëm ditën e sotme janë ndërmarrë 400 gjoba, teksa i bëri apel qytetarëve të respektojnë rregullat.

Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se janë në mbështetje  të pushtetit lokal me trupat e ushtrisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Veliaj: Kombinati 'delja e zezë', me hir apo me pahir do vihet në vijë

Me të shkuar ora 13:00 kur ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve, në tregun e Kombinatit aty ku ishte situata më problematike me qytetarë që nuk respektonin rregullat, u bë dezifektimi i ambienteve të jashtme dhe të brendshme të tregut. Në terren shkuan ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kryepolici Ardi Veliu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të parë nga afër vendosjen e rregullave të reja me sinjalistikë dhe me kordonë ndarës në mënyrë që qytetarët mos të jenë më pranë njëri-tjetrit por të ruhet distanca. Kryebashkiaku Veliaj e konsideroi tregun e Kombinatit 'delen e zezë', pasi në të gjitha zonat e tjera të Tiranës, tha ai, rregullat po respektohen.

"Nuk do jetë delja e zezë kombinati. Me hir apo me pahir do e bëjë edhe kombinati, siç e kanë bërë të tjerët. Policia do zhvendoset nga zonat e qeta dhe do vijë në Kombinat.  Shopingu sikur është viti i ri, është i tepërt. Me rregullat e reja do e vëmë në vijë edhe delen e fundit që na ka mbetur në Tiranë", tha Veliaj.

Veliaj mori shembullin e qytetit të Shkodrës, se si mos respektimi i rregullave dhe i masave kufizuese me qytetarët që ditët e para të shtetrrethimit dilnin shëtitje familjarisht e në grupe, solli përhapjen masivisht të të infektuarve me COVID-19 në këtë qytet.

Ora 14:27
Lleshaj: Tregjet që s'respektojnë masat do mbyllen! Kërkesë bankave të njohin ID e skaduara

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka bërë me dije se për shkak të mos respektimit të rregullave në disa tregje, do të merret masa drastike ndaj tyre që mund të shkojnë deri në mbylljen e tyre. Gjatë një inspektimi = në zonën e Vorës, në Kombinat dhe disa rrethina të Tiranës, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, Lleshaj theksoi se është shumë i rëndësisishëm zbatimi i masave, aq më tepër në një kohë kur pritet të jetë kulmi i kurbës së të infektuarve.

"Vlen po ashtu të theksohet konstatimi që disa tregje tërheqin vëmendje më të madhe të strukturave të Bashkive. Janë disa tregje të cilat nuk plotësojnë kushtet për të vepruar dhe për të ofruar shërbimin, për arsye të hapsirave të pamjaftueshme për qarkullimin e qytetarëve dhe meritojnë një trajtim, dhe një vëmendje të veçantë. Deri ndoshta edhe në mbylljen e ndonjë tregu, i cili nuk plotëson këto parametra të sigurisë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shifrat e fundit na tregojnë se pakujdesitë e vogla, ose papërgjegjshmëritë e vogla  sjellin pasoja të mëdha. Është përsëritur shpesh herë këto ditë se mjafton dhe një person i përgjegjshëm për ta ndërprerë një nga degët e përhapjes së virusit, ashtu sikur dhe nganjëherë mjafton dhe një person i papërgjegjshëm për t’i dhënë udhë një dege të re të zhvillimit të virusit", tha Lleshaj.

Ndërkohë, sa i përket kartave të Indentitetit që janë të skaduar, duke pamundësuar çdo veprim në këto ditë të vështira, ai ka bërë me dije se u është drejtuar bankave të nivelit të dytë me një kërkesë që t'i njohin ato.

"Dua të them me këtë rast që dje i jam drejtuar me një shkresë zyrtare Bankës Qendrore dhe të gjithë bankave të nivelit të dytë, me kërkesën që këto të njohin si të mirëqena të gjitha kartat e Identitetit, të cilat kanë skaduar në vitin 2020, duke synuar që qytetarët të marrin shërbimet duke përdoruar kartat aktuale, derisa ne të kemi mundësinë për t’i rihapur sportelet dhe për të vijuar prodhimin e kartave të reja identitetit", tha Lleshaj.