Champions League, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë rikthehet sot me nëntë takimet e para të fazës së ligës për raundin e pestë. Duke nisur nga ora 18:45 në fushë zbresin Ajax - Benfica dhe Galatasaray - Royale Union SG.

Në orën 21:00 zhvillohen shtatë takimet e radhës. Në Londër, Chelsea luan kundër Barcelonës, që në kushte të tjera mund të ishte edhe një finale e këtij eventi, për vetë peshën që kanë këto klube në Champions.

Në Norvegji, Bodo/Glimt mund të 'ngrijë' Juventusin. Veç faktit që "Zonja e Vjetër" nuk ka asnjë fitore në katër ndeshje (ashtu edhe Bodo), ndeshja luhet në temperatura të ulëta (0 gradë) dhe me rrezik bore, një klimë që për torinezët mund të rezultojë ekstreme. Spalletti nuk do ketë të gatshëm emra si Bremer, Gatti, Milik apo Rugani.

Në Manchester, City i Guardiolës luan kundër Bayer Leverkusen. Për "Qytetarët" nuk janë të gatshëm Kovacic, Phillips dhe Rodri. Dortmund luan kundër Villarreal, Napoli pret Qarabag, ndërsa Marseille luan kundër Newcastle.  

Për momentin, Bayern Munich, Arsenali dhe Interi janë në krye me 12 pikë.

Champions League, faza e ligës - raundi 5-të:

E martë, 25 nëntor 2025

18:45

Ajax - Benfica

Galatasaray - Royale Union SG

21:00

Bodo/Glimt - Juventus

Chelsea - Barcelona

Dortmund - Villarreal

Manchester City - Bayer Leverkusen

Marseille - Newcastle

Napoli - Qarabag

Slavia e Pragës - Athletic Bilbao

E mërkurë, 26 nëntor 2025

18:45

FC Copenhagen - Kairat Almaty

Pafos - Monaco

21:00

Arsenal - Bayern Munich

Atletico Madrid - Inter

Eintracht Frankfurt - Atalanta

Liverpool - PSV

Olympiacos - Real Madrid

PSG - Tottenham

Sporting - Club Brugge

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:18
Ndeshja kundër Barçës, Maresca: Chelsea duhet t’i marrë ndeshjet me radhë

Chelsea po përgatitet për një nga periudhat më të vështira të sezonit, teksa sot do të përballet me Barcelonën në Champions League dhe më pas me Arsenalin në Premier League. Trajneri Enzo Maresca kërkon qetësi dhe fokus te çdo sfidë, pa u ndikuar nga ngarkesa e kalendarit.

Maresca pranon se është një periudhë e mbushur me sfida të mëdha, por thekson se ekipi nuk duhet të humbasë përqendrimin.

“Është një javë e madhe, por më pas kemi Leeds në transfertë, Bournemouthin në transfertë, Atalantën në transfertë… pra vjen një tjetër javë e madhe. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme dhe secila vlen tre pikë. Sigurisht, Barcelona dhe Arsenali janë të veçanta për arsye të ndryshme, por mendoj se gjëja më e mirë për ne është t’i marrim sfidat me radhë”, u shpreh trajneri italian.

Chelsea renditet aktualisht në vendin e 12-të në grupin e Champions League me 7 pikë pas katër ndeshjeve, po aq sa Barcelona, e cila është një pozicion më lart. Në kampionat, skuadra e Marescës mban vendin e dytë, gjashtë pikë pas Arsenalit kryesues.

Ora 14:40
Edon Zhegrova, sfidat dhe pritshmëritë! Edhe sot projektohet në stol, Spalletti rotacion në Champions

Formacioni i mundshëm i Juves

Sot Juventusi luan në acarin e Norvegjisë kundër Bodo/Glimt, sfidë që fillon në orën 21:00. "Zonja e Vjetër" kërkon me çdo kusht tri pikët, gjë që nuk e ka bërë në katër ndeshjet e para të këtij sezoni në Champions League, në të kundërt renditja mes 24 të parëve do ishte diçka e pamundur.

Nëse në fillim të sezonit pritshmëritë për Edon Zhegrovën ishin të mëdha, duket se ai do e fillojë sërish sfidën nga stoli. Sipas mediave italiane, Zhegrova nuk pritet të jetë titullar as në këtë sfidë, me trajnerin Spalletti që ka preferuar më shumë portugezin Conceiçao.

Formacioni i mundshëm:

Bodo/Glimt (4-3-3): Haikin; Sjøvold, Bjortuft, Aleesami, Bjorkan; Evjen, Berg, Brunstad Fet; Auklend, Hogh, Hauge.

Juventus (3-4-2-1): Perin; Kalulu, Kelly, Koopmeiners; Cambiaso, Locatelli, Adzic, Joao Mario; Conceiçao, McKennie; Openda.

Ora 12:17
Bodo/Glimt - Juventus, sfidë në temperatura të acarta pranë Rrethit Arktik

Juventusi do të luajë sot në mbrëmje në transfertë ndaj Bodo/Glimt për raundin e pestë të Champions League, në një sfidë që pritet të zhvillohet në kushte shumë të vështira klimatike. Ndeshja do të zhvillohet në 'Aspmyra Stadion' të Norvegjisë, rreth 300 kilometra pranë Rrethit Arktik, ku temperaturat do të jenë tepër të ulëta dhe reshjet e borës shumë të dendura.

Parashikimet e motit flasin për reshje intensive bore gjatë orarit të ndeshjes, që nis në orën 21:00 dhe erëra të forta polare. Temperaturat do të luhaten midis -1°C dhe +1°C, por me ndjesinë termike që mund të zbresë deri në minus 10 gradë për shkak të erërave.

Kushtet e vështira pritet të ndikojnë në lojën dhe strategjinë e të dyja ekipeve, duke e bërë këtë përballje një sfidë edhe ndaj natyrës për skuadrën bardhezi. Vendasit janë mësuar me këto kushte dhe nuk është çudi për ndonjë rezultat surprizë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?