Cila është në të vërtetë arsyeja kryesore e thërrmimit të opozitës dhe a vlen për ta metoda japoneze e ngjitjes së thyerjeve

Cila është në të vërtetë arsyeja kryesore e thërrmimit të opozitës  dhe a vlen për ta metoda japoneze e ngjitjes së thyerjeve

Vazo qeramike e ngjitur me ar

Është një fenomen i çuditshëm që po verifikohet përditë e më shumë në Shqipëri: Sa më shumë ditë kalojnë në pushtet të Partisë Socialiste, aq më shumë qytetarë shqiptarë, sipas sondazheve të ndryshme të pavarura, shprehen se nuk do të votonin opozitën aktuale. Është gati, gati një fenomen i panatyrshëm për një shoqëri e cila pas 11 vitesh me socialistët në drejtim, të paktën duhet të shprehte distancime më të thella ose dëshirë për rotacion, apo thjeshtë mërzi. Asgjë nuk po duket se do të shkaktojë lëvizje të forta të elektoratit tani për tani, as “lideri” i ngujuar nga drejtësia në katin e 8 të kullës së tij në zemër të kryeqytetit, gjë që në një vend tjetër, do të ngrinte të madh e të vogël në këmbë.

Çfarë po ndodh? Dhe sidomos, përse po ndodh kjo në Shqipëri?

Ndonëse në media dhe në analizat televizive anashkalohen reflektimet objektive, duket se shqiptarët i bëjnë vetë dhe më qartë si llogaritë ashtu dhe analizën e gjendjes në vend. Nëse shumë gazetarë mendojnë se “shtëpia luksoze e Sali Berishës dhe e familjarëve të tij me disa apartamente në pronësi në kullën në rrugën “Mustafa Matohiti”, në një prej lagjeve luksoze të Tiranës, në pallatin e oligarkut që ka marrë konçensione pafund nga vetë Berisha në vite, nuk u bën përshtypje shqiptarëve, realiteti po tregon totalisht të kundërtën”. Ai pallat-kullë me projekt arkitekturor “futurist”, por i realizuar keq kushedi se përse, largon jo vetëm shqiptarë, qytetarë të thjeshtë që do ta shihnin si “jetësore” dhe si padrejtësi ngujimin e Berishës nga drejtësia, por largon gjithashtu edhe vetë të djathtë shqiptarë që në atë rrugicë nuk kanë për të kaluar kurrë.

Edhe pse padrejtësisht mendojmë se shqiptarët nuk reagojnë, në këto kohë, bashkëatdhetarëve tanë u ka takuar një reagim i çuditshëm, i panatyrshëm: Të refuzojnë pa fjalë, të braktisin, të distancohen nga ata që ua kanë numëruar vilat, oxhakët në Gjirin e Lalzit, pronat e blera nga veriu në jug e të vendosura në emra shokësh, familjarësh apo të vdekurish. Shqiptarët ua kanë bërë mirë llogarinë të gjithëve dhe duam nuk duam ne, po reagojnë.

Me të drejtë një politikan i djathtë si Gazmend Bardhi kërkon bashkimin e copëzave të Partisë Demokratike. Do të ishte një mrekulli të mundte të bashkonte copëzat e thyera të kësaj partie si të një qeramike delikate japoneze: Kintsugi quhet metoda që me fletë ari dhe argjendi bashkon dhe ngjit copëzat e thyera. Por, a ka mbetur ar e argjend për të bërë këtë ngjitje? A do të mjaftonte? Apo është konsumuar me babëzinë e ngritjes së pallateve, kullave, vilave, shtëpive nëpër Europë e në botë?

Kërkojnë shkaqe, fajtorë, komplote, komplotistë poshtë e lart për fatkeqësitë e opozitës, ndërsa shqiptarët i kanë bërë shpejt e shpejt llogaritë: Sa më e lartë kulla, aq më e madhe distanca, sa më e madhe vila, aq më e madhe braktisja, sa më të shumta kullat, aq më larg do të qëndrojnë njerëzit që prisnin përmirësimin e jetëve të tyre, jo të roof-eve dhe zyrave me pamje nga Dajti e Lana të liderit të tyre historik.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen