Cirroza e mëlçisë është një sëmundje serioze dhe kronike që dëmton funksionet jetike të këtij organi të rëndësishëm. Kjo sëmundje mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë konsumimin e tepërt të alkoolit, infeksionet virale, apo dhjamosjen e mëlçisë. Ajo përshpejton humbjen e funksionit të mëlçisë dhe mund të çojë në komplikime të rënda. Pavarësisht nga serioziteti i saj, cirroza mund të menaxhohet dhe në disa raste të ngadalësohet ose të parandalohen komplikimet, nëpërmjet masave të duhura. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në "Rreze Dielli" në Report TV, tregon se si bimët medicinale mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të mëlçisë dhe ofron mundësi alternative për trajtimin e cirrozës.

"Cirroza është një sëmundje që shkakton dëmtimin progresiv të mëlçisë. Kjo ndodh kur indi i saj i shëndetshëm zëvendësohet nga fibrozë (ind i ngurtësuar), duke e bërë organin më të fortë dhe me një strukturë të çrregullt. Pas këtij dëmtimi, mëlçia humbet aftësinë për të kryer funksionet e saj jetike, si pastrimi i trupit nga substancat e dëmshme, ruajtja e niveleve të balancuara të glukozës dhe prodhimi i bilës. Ky proces mund të çojë në pasojë të rënda për trupin, si çrregullime të tretjes, ruajtje të lëngjeve dhe ndikim në sistemin e gjakut. Mëlçia ka aftësi të rigjenerohet, por kur dëmtimi është i vazhdueshëm, procesi i shërimit është më i vështirë”, thekson Merja.

Shkaqet kryesore që çojnë në cirrozë të mëlçisë janë: konsumim i tepërt i alkoolit; hepatitet virale si B dhe C; dhjamosja e mëlçisë; medikamentet toksike për sëmundje të ndryshme, ankthi, stresi; çrregullimet metabolike.

Simptomat kryesore të Cirrozës dhe dallimi me mëlçinë e dhjamosur

Cirroza shpesh shoqërohet me simptoma të ndryshme që mund të ngatërrohen me ato të mëlçisë së yndyrshme. Simptomat kryesore të cirrozës përfshijnë:

* Lodhje e vazhdueshme

* Humbje e oreksit dhe rënie në peshë

* Enjtje këmbësh, rëndesë në këmbë

* Zverdhje lëkure dhe sysh

* Enjtje të barkut, ndjesi të rëndesës në stomak

* Gjakderdhje e lehtë nga goja

* Vështirësi në gëlltitje

* Konfuzion (encefalopati)

* Kruarje të lëkurës, gjurmë në lëkurë kur kruhet

* Gojë e thatë dhe e hidhur

Ndërsa mëlçia e yndyrshme shpesh nuk ka simptoma të rënda dhe mund të jetë një fazë e parëndësishme nëse zbulohet në kohë, cirroza është një fazë më e avancuar që ka nevojë për trajtim të menjëhershëm. Cirroza e avancuar është e pakthyeshme, por procesi ngadalësohet në rast se merren masat e duhura, thekson specialisti Ylli Merja.

Trajtimi alternativ i sëmundjes

Bimët mjekësore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rigjenerimin e mëlçisë dhe përmirësimin e funksioneve të saj. Mëlçia është i vetmi organ që mund të rigjerenohet, nëse dëmtimi ndalet në kohë.

“Mëlçia, ky laborator i heshtur që punon pa pushim pastron, ndërton, ruan balancën. Kur lodhet drita e saj zbehet, kur përkujdesemi ajo rilind me një fuqi të befasishme. Ka shumë bimë, të cilat qetësojnë inflamacionin, mbrojnë qelizat dhe e rigjenerojnë atë”, thotë Merja.

Si mund të ndihmojnë Bimët Mjekësore në trajtimin e Cirrozës?

Bimët mjekësore janë një mundësi e shkëlqyer natyrale për të mbështetur shëndetin e mëlçisë. Sipas Ylli Merjas, disa bimë mund të ulën inflamacionin, të përmirësojnë rrjedhën e bilës dhe të mbrojnë qelizat e mëlçisë nga dëmtimi. Disa nga bimët më të rekomanduara për trajtimin e cirrozës dhe rigjenerimin e mëlçisë janë:

* Lule Basani: Ul inflamacionin dhe është një antioksidant i shkëlqyer që mbështet detoksifikimin.

* Tambëlgjaku: Nxit lëvizjen e bilës dhe lehtëson ngërçet biliare.

* Gjembi i Gomarit: Stabilizon membranat e mëlçisë dhe mbështet rigjenerimin e saj.

* Angjinarja: Përmirëson metabolizmin e yndyrës dhe ndihmon në dhjamosjen e mëlçisë.

* Rozmarina dhe Rradhiqja: Nxisin qarkullimin e gjakut dhe përmirësojnë tretjen

* Rrënja e sanzës, ul dëshirën për alkool

* Lule murrizi: Mban ritmin e zemrës në ekuilibër, qetëson ankthin e stresin, rregullon tensionin e përgjithshëm, inflamacionin, murin e enëve të gjakut.

* Mendra e butë: Lehtëson spazmat e traktit tretës, përmirëson fryrjen, të përzierat. * Kurkumina dhe boronica: Antiinflamatore të fuqishëm, reduktojnë progresionin e fibrozës, pengojnë zhvillimin e mëtejshëm.

* Hirra e djathit ul dhjamosjen e mëlçisë, ndërsa rigoni dhe karafili janë anti-viralë të fuqishëm.  

Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, sinergjia bimore është shumë e rëndësishme.

Ja kombinimet më të mira për rigjenerimin e mëlçisë

Gjembgomari dhe angjinare – mbrojnë qelizat dhe përmirësojnë bilën

Rozmarina, boronica, kurkumina – shtylla të forta antioksiduese

Lulebasani, murrizi, bar blete – qetësojnë stresin, ulin inflamacionin

Mendra, rigoni, bar blete – harmonizojnë tretjen.

Siç thekson Merja, kombinimet e duhura bimore mund të ofrojnë mbrojtje të fuqishme për mëlçinë dhe të ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të saj. Kjo është një mundësi për ata që duan të mbështesin procesin e rikuperimit dhe të kujdesen për shëndetin e tyre në mënyrë natyrale, por sigurisht duke ndjekur dhe këshillat e mjekut specialist.