Muajit e parë të këtij viti po shoqërohen me rritje të inflacionit në raport me vjet, për shkak të qirave dhe ushqimeve.
Raporti i fundit i Institutit të Statistikave tregon se inflacioni në shkurt ishte 2.5%, nga 1.9% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Por rritje e inflacionit në muajin e kaluar është regjistruar edhe në raport me janarin me 0.5%.
Rritja kryesore në shkurt ka ardhur prej shtrenjtimit të qirave, pasi INSTAT thotë se 1.06% e inflacionit u krijua nga grupi i qirave dhe energjisë elektrike. Më pas vijnë ushqimet me ndikim në inflacionin prej 0.6%.
Referuar raportit të gjitha grupet e mallrave regjistruan rritje në muajin e kaluar, por krahasuar me vitin 2025, shtrenjtimi më i madh u regjistrua tek qiratë, por edhe tek sigurimet, duke reflektuar rritjen e policave të sigurimit për mjetet me aksidente.
“Rritja vjetore e çmimeve në Shkurt 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 5,3 %, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,3 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Nga ana tjetër frika për një valë inflacioni me çmime të kripura, është më prezente se kurrë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, që ka rritur menjëherë çmimin e karburantit, që është reflektuar edhe në Shqipëri.
Ndërsa parashikimet e bëra nga Banka e Shqipërisë përpara se të niste lufta, fokusoheshin tek një inflacion në rreth 3.6% këtë vit, nga 3% që është objektivi i bankës.
Komente








