/ATSH/.- Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Romë vazhdoi takimet duke takuar zyrtarë të shtetit italian.
Sipas KosovaPress, ministri Çollaku u prit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Benedetto Della Vedova, nga i cili është siguruar mbështetja e Italisë ndaj perspektivës së qartë për integrimin evropian të Kosovës.
Ai shprehu mbështetjen e plotë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asoocim, në bazë të përkushtimit të deritanishëm si në zbatimin e reformave, performancës së përgjithshme, dhe përkushtimin e Kosovës për përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Della Vedova gjithashtu shprehu mbështetjen e Italisë për përmbylljen e shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, bazuar në përmbushjen e kritereve.
Gjatë ditës, ministri Çollaku u takua edhe me ish kryeministrin italian, tani president i Fondacionit "Italiani Europei", Massimo D'Alema, më të cilin diskutoi për arritjet e Kosovës dhe kontributin që ka dhënë Italia në periudha të ndryshme.
Ministri Çollaku falënderoi D'Alemën për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës e veçanërisht në kohën sa ishte kryeministër kur edhe mbështeti ndërhyrjet gjatë luftës në Kosovë.
Vizita e Çollakut në Itali është përmbyllur me një prezantim publik në Institutin për Çështje Ndërkombëtare (Instituto Affari Internazionali), me temë "Energjizimi i procesit integrues të Kosovës në BE".