Covid, në Itali 420 viktima. Donald Trump: Të injektohet dezinfektues në trup për të vrarë COVID! Një tjetër vaksinë testohet në verë

Në botë që nga fillimi i pandemisë prej koronavirusit, numri i rasteve të testuar pozitiv nga Covid-19 është më shumë se 2.7 milionë. Prej infeksionit në rang global kanë humbur jetën gati 191 mjë njerëz, më shumë se një e treta e të cilëve janë regjistruar vetëm në SHBA.

Në 24 orët e fundit, në Shtetet e Bashkuara, ka patur 3176 vdekje nga koronavirusi për një total viktimash prej rreth 50 mijë.

Ndër vendet e goditura më fort nga pandemia, pas SHBA është Italia e cila deri tani ka regjistruar rreth 190 mijë raste pozitive dhe 25 549 viktima.

Spanja ka tejkaluar tashmë Italinë në renditje. Në vend ka patur më shumë se 213 mijë raste infeksioni dhe 22 157 viktima.

Në Francë autoritetet kanë raportuar një numër prej rreth 160 mijë të prekurish nga infeksioni dhe 21 889 vdekje.

Në Gjermani numri i vdekjeve është 5557 për një total rastesh pozitivë prej rreth 153 mijë.

Në Britaninë e Madhe ka patur deri tani rreth 140 mijë të identifikuar të prekur nga infeksioni për një total vdekjesh prej 18 971.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Covid-19, në Itali 420 viktima nga koronavirusi dhe 2922 të shëruar

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar       420 viktima nga koronavirusi, për një total prej  25969  vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është  2922 për një total prej 60 498

Autoritetet raportuan gjithashtu edhe për 3121 raste të reja pozitiv nga Covid-19

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 94  pacientë më pak se dje për një total prej 2173

Në Lombardi sot ka patur 166 vitkima të Covid-19 dhe 1091 raste të reja infeksioni.

Infeksionet janë rritur përsëri në qytetin metropolitane të Milanos ku ka në total 17.689 pozitive me një rritje prej 412 raste të reja, nga të cilat 246 vetëm në Milano.

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit, Silvio Brusaferro ka deklaruar se kurba e pandemisë nga koronavirusi po tregon se po zvogëlohet numri i personave të prekur si dhe ditët e fundit është rritur numri i testeve të tamponit të kryera te rastet e dyshuara por është rritur numri i asimptomatikëve dhe ata me shenja të moderuara të infeksionit.

Silvio Brusaferro tha se “Situata e epidemiologjike është përmirësuar qartë por ekziston ende qarkullim i virusit” dhe se “ nuk duhet ulur vigjilenca dhe kujdesi duhet të jetë në rritje për të ndaluar ripërhapjen”.

Ora 16:57
Covid/Austri, duke kërkuar koronavirusin në ujërat e zeza... Sigurohen informacione për kontrollimin e infektimit

Kërkimi shkencor nëpër botë po përshpejton studimet e koronavirusit në çdo drejtim, me shpresën që të njohim gjithnjë e më mirë mekanizmat e përhapjes së pandemisë. Në Austri, universitetet e Vjenës dhe Innsbruck po studiojnë praninë e gjurmëve të Covid-19 në ujërat e zeza, për të zhvilluar një ekzaminim që mund të ndihmojë ata në kontrollimin e infektimit.

Heribert Insam, mikrobiolog dhe drejtues i projektit tha se "Nëse konstatojmë sasi në rritje të gjurmëve virale në ujërat e zeza, kjo mund të na tregojë që numri i të infektuarve po rritet përsëri, dhe për këtë arsye ne do duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat. Ose anasjelltas: nëse ka më pak gjurmë te virusit në ujërat e zeza, ekipet përgjegjëse mund të lehtësojnë edhe më shumë masat e izolimit dhe bllokimit. Kjo është me më shumë leverdi krahasuar me mijëra e mijëra prova individuale që duhet të kryejmë".

Megjithëse nuk janë në gjendje të identifikojnë raste individuale pozitive me koronavirus, analiza e ujërave të zeza, në të cilat treten mikroelementet virale pa ngarkesë agresive, lejon të ketë me lehtësi informacione për praninë e virusit në zona të mëdha të territorit, duke iu siguruar autoriteteve të dhëna të vlefshme për kontrollin sanitar të territorit.

Ora 15:28
Covid, Franca do shpërndajë maska falas për popullatën duke filluar nga 4 maji. Po fëmijët?

“Qeveria Franceze do të shpërndajë maska për popullatën duke filluar nga data 4 maj”- kjo u njoftua nga Nënsekretari francez për ekonomi Pannier-Runacher në një intervistë për Les Echos.

"Shteti do t'u sigurojë qytetarëve maska sa më shpejt të jetë e mundur përmes kanaleve më të përshtatshme të shpërndarjes duke filluar nga 4 maji", shpjegoi ai.

"Janë identifikuar metoda të ndryshme të shpërndarjes. Gama e mundësive është shumë e gjerë dhe ne po shqyrtojmë të gjitha hipotezat”.

Ministri francez i shëndetësisë, Olivier Véran tha sot se është "shumë e komplikuar" që fëmijët të veshin maska dhe se nuk ka "rekomandime shkencore" në këtë drejtim.

Duke iu përgjigjur mikrofonave të ‘France Inter’ në rihapjen e shkollave, Véran tha është "shumë e ndërlikuar t’i kërkosh një djali 10 ose 11 vjeç në shkollën fillore të mbante një maskë gjatë gjithë ditës, brenda, jashtë, për të luajtur në shesh lojërash kur temperatura është mbi 30 gradë ”.

Ministri francez tha, megjithatë, se "ai mbetet i kujdesshëm" sepse "për disa javë shkencëtarët kanë ndryshuar mendimin e tyre, kështu që edhe ne jemi duke e përshtatur politikën tonë".

Ora 15:09
Covid-19, vazhdon debati se si do të udhëtojmë me avion ndërsa do bashkëjetojmë me koronavirusin

Disa linja ajrore po planifikojnë të udhëtojnë duke i mbajtur vendet e mesit bosh në aeroplanë, duke siguruar kështu distancën sociale, por a do të funksionojë kjo gjë?

Ndërsa më shumë vende mendojnë për heqjen e masave të pandemisë Covid-19, linjat ajrore po mendojnë se si mund të rikthehen në punë kur koha të jetë më e qetë. Mendohet se besimi i pasagjerëve do të jetë një nga pengesat kryesore për t’u kapërcyer, megjithatë, shumë prej tyre shqetësohen edhe se si të krijojnë një distancë mes udhëtarëve të tyre.

Disa linja ajrore janë duke menduar që vendet e mesit në aeroplan të qëndrojnë bosh dhe kështu do të shmanget fakti që pasagjerët të ulen afër njëri-tjetrit. Kjo ishte një ide e kompanisë ajrore EasyJet, por linja të tjera ajrore si Alaksa Airlines dhe WizzAir e kanë kundërshtuar këtë ide.

Por a mund t’i ndihmojë kjo procedurë?

“Tani për tani, ne kemi nevojë për këtë mënyrë. Nevoja urgjente për të ngadalësuar përhapjen e infeksionit ka përparësi në përgjithësi, edhe nëse zgjidhja nuk është e përsosur. Megjithatë kjo nuk do të jetë ekonomikisht e qëndrueshme, “shpjegon Daniel Baron, menaxheri i kompanisë LIFT Aero Design për BBC.

Gjatë gjithë kohës avionët janë munduar të përshtaten për të mbajtur sa më shumë njerëz në hapësira të vogla. Sot, pothuajse të gjitha linjat ajrore që fluturojnë në aeroplan, pavarësisht nëse udhëtimi është i gjatë ose i shkurtër, ndenjëset janë vendosur ngushtë e ngushtë në avion dhe i gjithë avioni ka minimalisht dhjetë rreshta ndenjësesh.

Distanca e përgjegjshme sociale në kohën e Covid-19 do të thotë të qëndrosh i sigurt nga të paktën 2 metra larg njerëz të tjerë. Por kjo është e pamundur në një aeroplan modern, ku vendet janë rreth 45 cm të gjerë, kështu që lënia e sediljes së mesme bosh ju mban thjesht 45 cm larg nga pasagjeri tjetër. Ju duhet të jeni më shumë se katër vende larg për të mbajtur distancën 2 metra larg.

Jason Rabinowitz, drejtues i të dhënave në Ndërmarrjen e Botimeve Tarifore të Airline, një kompani që ofron të dhëna për çmimet, thotë se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin.

“Për sa kohë që ngarkesa e fluturimeve mbetet e ulët, linjat ajrore do të jenë në gjendje të vazhdojnë të bllokojnë vendet në mes pa asnjë problem. Fluturimet që funksionojnë ende sot po e bëjnë këtë gjë edhe pse ata kanë shumë pak pasagjerë dhe nuk kanë nevojë të marrin masa ende,” shpjegon ai.

Pra, kur fillojmë të fluturojmë përsëri, mos u çuditni nëse do të ketë një ndryshim në rregulloren e qëndrimit në avion dhe të fluturimeve. Jo të gjitha linjat ajrore janë duke mbrojtur qasjen e vendeve bosh në mes. Michael O’Leary i kompanisë ajrore Ryanair vë në dyshim efektivitetin e kësaj metode sepse pasagjerët duhet të ndahen që në tokë.

Daniel Baron i LIFT Aero Design tregon se ka një numër masash të tjera që linjat ajrore mund të përdorin për të provuar dhe për të bërë udhëtimin më të sigurt.

“Gjithçka është e rëndësishme në udhëtim, largësia e udhëtarëve, disifektimi i avionit dhe maskat e dezifektantët. Kështu që të ndërthurura bashkë do të ndihmojnë fluturimet,” shton ai.

Shumë linja ajrore gjithashtu po mendojnë të anulojnë shërbimin e ushqimit dhe pijeve, për të zvogëluar ndërveprimet në bord. Covid-19 tashmë ka ndryshuar botën tonë, në mënyra të shumta dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë ndërsa njerëzit, duhet të gjejnë mënyra për të shpëtuar

Ora 14:32
Covid-19, Austria rihap shumicën e shkollave duke filluar nga 4 maji


Në Austri, shkollat do të rihapen nga 4 maj, për momentin vetëm për ata nxënës që duhet të përballen me provimet përfundimtare. Kjo u njoftua nga ministri i arsimit Heinz Faßmann.

Ministri austriak tha se “Nga mesi i muajit maj, ai do të rifillojnë mësimet për fëmijët e moshës gjashtë deri në 14 vjeç. Në fazën e tretë, me siguri më 29 maj, studentët e shkollave profesionale dhe institutet politeknike do të kthehen në shkollë.

Heinz Faßmann tha gjithashtu se klasat do të jenë me nga 14 nxënës dhe mësimi do të zhvillohet me turne.

Gjithashtu Austria do t’i zbusë akoma më shumë masat e bllokimit për shkak të koronavirusit, pasi nga 15 maji do të lejohen që të hapen restorantet dhe kafenetë si dhe shërbimet fetare të rifillojnë. Kështu ka njoftuar kancelari Sebastian Kurz -  “Ne po shkojmë më shpejt sesa vendet e tjera drejt diçkaje që është normaliteti i ri”, ka thënë Kurz, duke shtuar se “bizneset e gastronomisë” do të rihapen nga data 15 maj dhe do të lejohen të punojnë deri në orën 23:00.

Austria ka vepruar menjëherë në fazën e parë të shpërthimit të virusit duke mbyllur para më shumë se një muaji restorantet, kafenetë, teatrot, shitoret joesenciale dhe të gjitha vendet ku mund të kishte grumbullime të njerëzve. Në ndërkohë, që të gjithë qytetarët janë këshilluar të rrinë në shtëpitë e tyre dhe nëse është e mundur të punojnë po ashtu nga shtëpitë.

Por, ka qenë edhe ndër vendet e para që ka filluar t’i zbusë masat e bllokimit duke lejuar shitoret, qendrat dhe shitoret që kanë më pak se 400 metra katrorë të rihapen një javë më parë. Qendrat tregtare, shëtitoret më të mëdha dhe sallonet e bukurisë do të rihapen më 1 maj.

Dyqanet që janë rihapur duhet të kufizojnë numrin e konsumatorëve që lejojnë të futen brenda dhe duhet të kenë maska. Kurz ka thënë se mbajtja e maskës në fytyrë do të jetë pjesë e “normalitetit të ri”.

Sipas autoriteteve në Austri deri tani në vend janë regjistruar 15 mijë persona të identifikuar pozitiv me Covid si dhe 522 viktima.
 

Ora 14:06
Covid-19, Spanja plot shpresë, regjistrohet numri më i ulët i viktimave në harkun kohor të 24 orëve

Spanja ka regjistruar numrin më të ulët të viktimave nga koronavirusi, në harkun kohor të 24 orëve, në më shumë se një muaj.

Kështu, në ditën e fundit janë regjistruar 367 viktima duke e cuar numrin e përgjithshëm të personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në 22,524.

Nga ana tjetër, Spanja ka regjistruar një rritje të rasteve të personave të prekur. Sipas autoriteteve shëndetësore në 24 orët e fundit ka pasur 6740 persona të infektuar me Covid-19, ndërsa deri në këto momente vendi iberik numëron 219 mijë persona pozitivë me koronavirusin e ri.

Qeveria spanjolla ka nisur me lehtësimin e masave. Kryeministri, Pedro Sánchez njoftoi se pas 27 prillit do të nisë lehtësimi i regjimit të lëvizjes për fëmijët ndërsa gjendja e jashtëzakonshme do të lehtësohet gradualisht për qytetarët e tjerë pas 11 majit.

Ora 12:54
Covid/Itali, Instituti i Lartë i Shëndetit: Në të gjitha rajonet po ulen shifrat e të infektuarve (VIDEO)

Në Itali, Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit, Silvio Brusaferro ka deklaruar se "Kurba e pandemisë nga koronavirusi po tregon se po zvogëlohet numri i personave të prekur nga koronavirusi si dhe ditët e fundit është rritur numri i testeve të tamponit të kryera te rastet e dyshuara por është rritur numri i asimptomatikëve dhe ata me shenja të moderuara të infeksionit.

“Gjithashtu po ulet edhe numri  i pacientëve të shtruar në terapi intensive por pacientët me sëmundje të tjera të mbartuar janë në rrezik për jetën”, - tha Silvio Brusaferro

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit tha se “Situata e epidemiologjike është përmirësuar qartë por ekziston ende qarkullim i virusit” dhe se “ nuk duhet ulur vigjilenca dhe kujdesi duhet të jetë në rritje për të ndaluar ripërhapjen”.

Për Ministrin e Shëndetësisë, Roberto Speranza "Emergjenca shwndetwsore që po përjetojmë është një fakt epokal që do të hyjë në librat e historisë si ngjarje që ka mërzitur jetën e secilit prej nesh. Koronavirusi është risia më e madhe në nivel planetar pas Luftës së Dytë Botërore. Ne duhet të rindërtojmë Italinë dhe të mendojmë për rilindjen e saj. Kur Italia thotë ‘do ta bëjmë e bën’

Fal rënies së numrit të pacientëve në kujdesin intensiv, spitali i Codogno (Lodi), ku u konstatua rreth dy muaj më parë rasti i parë i koronavirusit në Itali, ka mbyllur një prej reparteve të terapisë intensive dhe ia ka rikthyer atë departamentit të ortopedisë. "Ky është një hap thelbësor drejt kthimit në normalitetit, i cili, megjithatë, është ende larg", tha kryetari i Bashkisë Francesco Passerini.

Ora 12:31
Covid/Itali, ja si mund të jenë e reja të transportit të udhëtarëve në Fazën 2

Ndërsa Italia po përgatitet të futet në Fazën 2 të pandemsisë, pasi ka regjistruar rënie në numrat e rasteve të rinj të identifikuar pozitiv nga koronavirusi krahas rënies së mprehtë të numrit të pacientëve të shtruar në kujdesin intensiv dhe jo intensiv si dhe rritje të numrit të të shëruarve, prej disa ditësh po qarkullojnë projeksione se cilat do të jenë masat e reja që do të ndërmarrë qeveria italiane e kryeministrit Giuseppe Conte.

Nuk do të ketë më kontroll për bileta në trena, dorashka dhe maska për këdo që do të udhëtojë me avion. Në avion do të matet temperatura e pasagjerëve në hyrje dhe dalje dhe do të ketë hapësira sanitare, ndërsa në stacione po mendohet për kalime me sens unik. Janë këto disa nga masat që pritet të miratohen nga Ministria e Transportit

Përsa i përket transportit publik, do të ruhet distanca dhe do të ketë kalime të ndara për hyrjen dhe daljen nga mjetet dhe në stacione. Gjithashtu po mendohet vendosja e dezinfektantëve dhe zëvendësimin i biletave prej letre me ato elektronike. Gjithashtu do të ketë tabela që shpjegojnë se si duhet të sillen udhëtarët me paralajmërimin se kush nuk i zbaton rregullat mund të çojë në ndërprerjen e shërbimit për motive të sigurisë sanitare dhe personi shkelës i rregullave do gjobitet.

Në metro mendohet se do të ketë sisteme inteligjente për të monitoruar fluksin dhe në qytete të mëdha, gjithashtu po mendohet për hyrje dhe dalje të veçanta në metro dhe mbajtjen e distancës dhe në shkallët elektrike.

Edhe udhëtimi në avion do të ndryshojë.Me shumë mundësi pasagjerët në hyrje dhe në dalje do t’i nënshtrohen matjes së temperaturës me termoskaner. Mes masave është dhe ruajtja e distancës mes pasagjerëve, të cilët gjithashtu duhet të mbajnë maska dhe dorashka.

Në rastin e transportit me taksi po mendohet lejimi i më së shumti dy pasagjerëve, ose vetëm një nëse nuk kanë maskë. Ndalohet ulja e pasagjerit pranë shoferit, i cili gjithashtu duhet të ketë mjetet e mbrojtjes personale.

Ora 11:55
Bullgaria mbyll kufirin me Turqinë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit

Bullgaria ka mbyllur kufirin e saj me Turqinë për të parandaluar që turqit-bullgarë të hyjnë në vend gjatë ditëve të para të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë vlen nga mesnata e 23 prillit deri më 27 prill, në përpjekje për të parandaluar udhëtimin, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ramazani ka filluar më 24 prill.

Më shumë se 300,000 qytetarë bullgarë jetojnë në Turqi. Shumica e tyre janë turq etnikë, me origjinë bullgare, që ikën në Turqi më 1989 për shkak të diskriminimit nën regjimin ish-komunist.

Mbyllja e kufirit erdhi si përgjigje e informacionit që shumë turq bullgarë në Turqi kishin planifikuar të vizitonin të afërmit në Bullgari.

Turqia ka regjistruar rreth 100,000 të infektuar nga koronavirusi dhe 2.491 vdekje, duke e bërë atë një nga vendet më të goditura në botë.

Autoritetet në Turqi kanë zbatuar një bllokim katër-ditor në 31 qytete, përfshirë Ankaranë dhe Stambollin. Xhamitë do të qëndrojnë të mbyllura gjatë Ramazanit për të frenuar përhapjen e virusit.

Bullgaria ka 1,097 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 52 vdekje.

Zyra e Myftiut në Bullgari njoftoi se xhamitë do të mbeten të mbyllura gjatë Ramazanit dhe lutjet do të transmetohen në internet.

Me rekomandimin e Bashkimit Evropian, Bullgaria në fund të marsit mbylli kufijtë e jashtëm të BE-së për shtetasit e vendeve të treta.

Ora 11:14
Covid/Koreja e Jugut nuk raporton asnjë vdekje nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit

Në Korenë e Jugut nuk është raportuar asnjë viktimë nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

Kjo është dita e parë pa viktima përgjatë një muaji.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (KCDC) gjithashtu raportoi për vetëm gjashtë raste të reja të të infektuarve.

Kjo është shifra më e ulët që nga 18 shkurti.

Vendi përdori masa agresive të gjurmimit dhe testimit për të gjetur pacientë të infektuar, izoluar dhe trajtuar ata.

Deri më tani 240 njerëz kanë vdekur, por kjo është akoma një shkallë e ulët fataliteti në krahasim me vendet e tjera.

Ora 09:18
Covid/'Recovery Fund', BE i hap rrugën financave në ndihmë të shteteve më të goditura nga pandemia. Conte: Fitore e madhe për Italinë (VIDEO)

Në fund të samitit të jashtëzakonshëm të BE, liderët e Unionit, të mbledhur për të diskutuar mbi mekanizmin finaciar në ndihmë të shteteve më të goditura nga pandemia e koronavirusit, si Italia, Spanja dhe Franca, i kanë lënë detyrë Këshillit Europian, organi që përfshin krerët e shteteve dhe qeveritë e Unionit, që të paraqesë propozimin e tij mbi Fondin e Rimëkëmbjes brenda datës 6 maj.

Për kryeministrin italian Giuseppe Conte, më shumë se i zemëruar më parë me qëndrimin e Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Finlandës dhe Danimarkës të cilët ishin kundër propozimit për një borxh të përbashkët të unionin i cili do të përdorej në përballimin e krizës, tha pas samitit se Italia është e para që do të përfitojë nga ky fond dhe se ky instrument i ri dhe i pa imagjinueshëm deri tani, do ta bëjë pergjigjen europiane ndaj krizës ekonomike për shkak të Covid, më solide dhe të kordinuar.

Fondi i rimëkëmbjes tha kryeministri italian ishte një fitore e madhe për Italinë dhe vendet që e mbështetën. Ai tha se në vetëm disa javë BE ka arritur më shumë rezultate sesa në të gjitha vitet e fundit dhe se Fondi do të jetë në shërbim të shëndetit, mjedisit, biznesit dhe punës.

Spanja kërkon që Fondi i rimëkëmbjes të jetë 1.5 trilion euro dhe transferimet finaciare të jenë të pakthyeshme për vendet anëtare, po a do të jetë vërtetë kështu? Kjo mbete për tu parë më 6 maj

Recovery Fund do bëj të mundur që vendet më të prekura të mbrojne strukturën e tyre social ekonomike dhe do të jetë i madhësisë që të jetë i bollshëm të mbulojë kërkesat e këtyre vendeve. Ai do jetë i financuar nga kontribute të mëdha që do derdhë secili shtet në buxhetin e Bashkimit Europian, i cili mund të lëshojë letra me vlerë dhe të mbledhë para në tregj dhe pastaj tjua japë ato vendeve më në vështirësi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se jo të gjithë u pajtuan për gjithçka dhe se mbetet ende e paqartë si do të financohet fondi, me  subvencione apo kredi, me hua apo të papagueshme dhe se ai duhet të lidhet me buxhetin e ardhshëm europian për shtatë vitet e ardhshme. Kurse presidenti Macron, duke mbështetur qëndrimin italia tha se ne kemi nevojë për transferime burimesh në vendet e BE më të prekura nga kjo

Fondi i Rimëkëmbjes duket se është një përparim i madh dhe realizim i asaj që deri dje ishte e paimagjinueshme. 27 vendet njohën nevojën e mjetit të ri finaciar dhe vendosën që urgjentisht ai të funksionojë për të siguruar rimëkëmbjen europiane pa lënë pas askënd

Ora 09:02
Covid/Donald Trump: Dritë dielli, rreze ultravjollcë ose dezinfektues të injektohet në trup për të vrarë koronavirusin

Dritë dielli, rreze ultravjollcë ose dezinfektues që të injektohet në trup për të vrarë koronavirusin.

Është ky sugjerimi që vjen nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u përballur me infeksionin e Covid-19.

Sipas Trump rrezet ultravjollcë, lloje dezinfektuesish dhe zbardhuesish mund të testohen te njerëzit për të parë nëse ata mund ta vrasin koronavirusin.

Porpozimet e presidentit amerikan kanë shkaktuar menjëherë një ‘dush’ polemikash nga shumë ekspertë që i konsiderojnë propozimet e Donald Trump si të Papërgjegjshme dhe të rrezikshme pasi mund të shtyjë shumë njerëz të injektojnë në shtëpitë e tyre dezinfektues vrasës

Trump, gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë  gjithashtu tha se ai nuk pajtohet me super ekspertin Anthony Fauci që thotë se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në kryerjen e testeve në masë për popullsinë. Trump tha se ‘shumë vende në botë duan testet tona. Ne jemi ata që bëjmë më shumë se të tjerët në luftë kundër koronavirusit”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • TRUMPI IDJOT: 25/04/2020 00:53

    SHIKONI SE ÇFAR DEBIL ËSHTË TRUMPI ÇFAR XHEVAHIRESH NXJER KY NJERI I RJEDHUR NGA TRURI PO TI BËJN NJERZIT KËSHILLAT E TIJ DHKOJ PËR LESH KARI. O ZOT CE KA GJET AMERIKËN MA TRAMPIN TRAP.

    Përgjigju
  • Besimi: 24/04/2020 13:54

    Trumpi eshte trump koke e kembe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet