Covid, ulet numri i viktimave në Itali, 60 vdekje në 24 orët e fundit! Më shumë se 6 milionë raste infeksioni në botë

371,700 njerëz kanë humbur jetën në të gjithë botën nga infeksioni i koronavirusit.

Sipas të dhënave të azhornuara nga universiteti amerikan Johns Hopkins Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të viktimave: 104.356, ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 38.571 vdekje dhe Italia (33.415).

Janë mbi 6.15 milion raste të infeksionit të njohura në të gjithë botën nga të cilat rreth 1.8 milion në SHBA dhe mbi gjysmë milioni në Brazil. 598 vdekje të reja janë raportuar në 24 orët e kaluara ne SHBA.

Në Brazil jane raportuar 514.849 të infektuar me koronavirus, 16.400 prej të cilave janë regjistruar në 24 orët e fundit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri i vdekjeve brenda një.dite ishte 480 për një total prej 29314 që nga fillimi i pandemisë.

Me këto shifra Brazili renditet i katërti në botë pas SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:59
Covid, vazhdon të ulet numri i viktimave në Itali, në 24 orët e fundit regjistrohen 848 të shëruar dhe 60 vdekje

Vazhdon të ulet numri i viktimave në Itali. Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 60 viktima nga koronavirusi për një total prej 33 475 

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 848 persona teksa numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 158 335

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 178 raste të reja pozitiv për një total prej 233197

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 19 viktima nga koronavirusi për gjithsej 16131 që nga fillimi i pandemisë.

Gjithashtu sot u identifikuan 50 raste të reja pozitive (9 raste në Milano) për një total prej 89,018.

Në Repartet e kujdesit intensive ndodhen 167 pacientë (3 më pak se dje) dhe 3.085 pacientë në reparte të tjera (46 më pak se dje). Janë raportuar gjithashtu edhe 166 të shëruar nga infeksioni në harkun e 24 orëve të fundit.

Ora 14:43
Turqia rinis fluturimet e brendshme duke lehtësuar kufizimet në fuqi që nga marsi për të parandaluar Covid

Turqia rinisi fluturimet e brendshme, duke lehtësuar kufizimet në fuqi që nga marsi për të parandaluar koronavirusin e ri.

”Avioni i parë i pasagjerëve u ngrit nga Stambolli drejt kryeqytetit, Ankara”, shkroi në Twitter ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoglu, i cili ishte në bord.

Në aeroplanin e ”Turkish Airlines” ishin gjithsej 156 pasagjerë.

Vetëm një numër i kufizuar i fluturimeve po nisen nga Stambolli drejt Izmirit, Antalias dhe qytetit të Trabzonit nga Deti i Zi.

Ndër të tjera, aplikacioni i quajtur ”Hayat Eve Sigar” konfirmon që pasagjeri nuk është as i sëmurë dhe as i monitoruar për virusin.

Bagazhet e duarve janë të ndaluara, përveç laptopëve, çantave dhe karrocave.

Veshja e maskave është e detyrueshme dhe do të ketë kamera termike në hyrjen e aeroportit për të monitoruar temperaturat e njerëzve.

Ora 13:47
Covid, dy herë në javë Gjermania teston studentët për infeksionin e koronavirusit

Pas përmirësimit të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, shumë shtete në të gjithë botën kanë nisur lehtësimin e masave kufizuese.

Me lehtësimin e masave kufizuese janë hapur edhe shkollat, por duke respektuar protokollin e mbrojtjes ndaj koronavirusit.

Mësohet se në Gjermani, nxënësit e gjimnazeve po kontrollohen dhe po testohen dy herë në javë për simptomat e virusit.

Në një shkollë të mesme në Neustreltiz, në Gjermaninë veriore, të kthehesh në klasë do të thotë të futesh në provë. Dy herë në javë studentët e kësaj shkolle të mesme në Neustrelitz kontrollohen për Covid-19 – në të njëjtën ndërtesë ku ata studiojnë.

Nuk është argëtuese për studentët, por ata e gjykojnë të sigurt. “Falë provës, unë nuk po rrezikoj askënd. Familja ime gjithashtu mund të kontrollohet, gjë që është e rëndësishme, “tha një student. Testi është falas dhe rezultatet vijnë me e-mail ditën tjetër.

Testi nuk është i detyrueshëm, por pothuajse të gjithë nxënësit dhe mësuesit kanë marrë pjesë që kur shkolla u rihap në 6 maj

Ora 13:33
Covid-Pas 9 javësh në karantinë Moska çlirohet nga izolimi

Autoritetet në Moskë i lehtësuan masat e izolimit kundër koronavirusit, edhe pse numri i rasteve vazhdon të rritet.

Parqet dhe qendrat tregtare në kryeqytetin rus u rihapën dhe njerëzit u lejuan të dalin jashtë për shëtitje dhe ushtrime të kufizuara, për herë të parë në nëntë javë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha javën e kaluar se vendi i tij e ka kaluar kulmin e shpërthimit të koronavirusit.

Megjithatë, numri i të infektuarve është ende në rritje.

Të hënën, autoritetet ruse raportuan edhe për 9,035 raste të reja me koronavirus dhe për 162 viktima.

Në total, Rusia ka mbi 414,800 të infektuar - më së shumti në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit - dhe 4,855 viktima.

Zyrtarët thonë se numri i ulët i viktimave është për shkak të numrave të lartë të testimeve.

Kritikët, megjithatë, frikësohen se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.

Ora 11:45
Covid-Kinë, 16 raste infeksioni të importuara! Në Wuhan 60 000 teste, asnjë me koronavirus

Kina raportoi zero raste të reja të koronavirusit në vend teksa janë identifikuar 16 infeksione të importuara dhe 16 infeksione të tjera asimptomatike, nga të cilat zero në Wuhan edhe pse janë kryer 60 000 teste tampon në të gjithë krahinën Hubei, epiqendra e shpërthimit të pandemisë.

Nga infeksionet e importuara, sipas azhornimeve të Komisionit Kombëtar të Shëndetit, 11 kanë të bëjnë me Sichuan, tre me dhe dy me Guangdong.

Në mungesë të vdekjeve të reja, numri i përgjithshëm i viktimave mbetet i palëvizshëm në 4,634, ndërsa infeksionet totale janë 83,017 si dhe janë 78,307 të shëruar.

Infeksionet e importuara u rritën në 1,756, nga të cilat 1.694 kanë lënë spitalet ndërsa 62 janë ende duke u trajtuar. Asimptomatike janë 397, nga të cilat 34 të importuara dhe aktualisht janë nën vëzhgime mjekësore.

Ora 10:04
Covid, me më shumë se 38 mijë viktima, Britania e Madhe hap shkollat

Sot në Britaninë e Madhe ka rinisur mësimi në shkolla për nxënësit e moshave 4-6 vjeç dhe nga 10-11 vjeç.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ditë më parë kishte ka deklaruar planin për lehtësimin gradual të masave kufizuese me rihapjen e pjesshme të shkollave duke nisur nga 1 qershori, pas më shumë se dy muajve kufizim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

“Nxënësit e shkollave të mesme do të rifillojnë mësimin më vonë”, tha Johnson duke theksuar se studentët dhe mësuesit do të jenë në “kontakt” për t’u përgatitur për provime duke nisur nga 15 qershori.

Si në shumë vende, kushtet për rihapjen e shkollave janë bërë subjekt i polemikave në Britaninë e Madhe, vendi i dytë më i goditur nga COVID-19 me më shumë se 38500 të vdekur dhe 276 mijë raste infeksioni nga Covid. 

Ekspertët kundër hapjes së nxituar

Këshilltarët shkencorë të qeverisë britanike kanë paralajmëruar se rreziku i heqjes së izolimit në Angli, ndërsa Britania fillon fundjavën e fundit para ndryshimit të rregullave, është i madh. 
Profesori John Edmunds, thotë se vendimi për zbutjen e masave është politik ndërsa Jeremy Farrar, thotë se sistemi i testimit dhe gjurmimit të Shërbimit kombëtar të shëndetësisë, duhet të bëhet tërësisht funksional.

Sipas parashikimeve të zyrës kombëtare të statistikave, vetëm në Angli ka rreth 8 mijë raste në ditë të koronavirusit dhe këto nuk përfshijnë rastet në shtëpitë e kujdesit apo spitale. Për ekspertët, nivelet e koronavirusit janë ende shumë të larta dhe do të duhej të pritej ulja e rasteve para se masat të zbuteshin.

Nga sot, në të katër rajonet në Britani, Angli, Skoci, Uells, Irlandë e Veriut, do të ketë rregullore të reja më të zbutura. 

Ora 10:03
Covid, në Francë regjistrohen 34 viktima në 24 orët e fundit

Në 24 orët e kaluara në Francë u regjistruan 34 viktima nga infeksioni i koronavirusit.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme për Shëndetësi numri total i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 28.802.

Numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit në vend është rritur në më shumë se 189 mijë.

Gjithashtu shifra në ulje ka patur në repartet e kujdesit intensive ku janë raportuar 1318 pacientë më pak.

Ora 09:38
Princi belg, i infektuar me koronavirus, kërkon falje për ahengun

Një princ belg që u infektua me koronavirus, pasi mori pjesë në një festë-aheng në Spanjë, kërkoi falje dhe tha se “do t’i pranojë pasojat”.

“Më vjen shumë keq për veprimet e mia”, tha ai.

Princi Joachim, 28 vjeç, ka udhëtuar nga Belgjika për në Spanjë më 26 maj për një program të praktikës ushtarake.

Dy ditë më vonë, ai ka marrë pjesë në një aheng në qytetin Kordoba.

Sipas raporteve të mediave spanjolle, princi - nip i mbretit Philippe të Belgjikës - ka qenë në mesin e 27 njerëzve në aheng.

“Më vjen keq që nuk i kam respektuar të gjitha masat e karantinës gjatë udhëtimit tim. Në këtë kohë të vështirë nuk kam dashur të ofendoj askënd”, tha princi Joachim.

Rregullat e karantinës në Kordoba nuk lejojnë tubimin e më shumë se 15 njerëzve.

Policia spanjolle tha se ka nisur hetimet për ahengun.

Ata që konfirmohen se kanë shkelur rregullat e karantinës, mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10,000 euro.

Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në aheng thuhet se janë në karantinë. Princi Joachim thuhet se ka simptoma të buta të koronavirusit.

Ora 09:23
Covid, qeveria spanjolle do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se javën tjetër do të kërkojë nga parlamenti të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy javë të tjera.

Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas tij, duhet "për të përfunduar me pandeminë një herë e përgjithmonë".

Spanja vendosi një gjendje të jashtëzakonshme në 14 mars e cila përfshinte një bllokim të rreptë nën të cilin njerëzit mund të linin shtëpitë e tyre vetëm për të blerë ushqim, për të kërkuar kujdes mjekësor, ose për punë, nëse nuk mund të punonin nga shtëpia.

Nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri në Spanjë kanë vdekur rreth 27,000 persona, ndërsa 239,429 janë regjistruar si të infektuar.

Por, kryeministri Sanchez tha se gjendja me epideminë është përmirësuar.

Ndalimet dhe kufizimet janë lehtësuar në mënyrë selektive në rajonet e Spanjës, në varësi të numri të infektuarve.

Ora 08:48
Turqi, shkon në mbi 4 mijë e 500 numri i të vdekurve nga Covid-19


Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Turqi është rritur në 4.515, me 26 viktima të regjistruara në 24 orët e fundit.

Në llogarinë e tij në twitter, Koca po ashtu njoftoi se numri i rasteve të zbuluara është në 163.103, me 983 raste të reja të zbuluara.

Koca tha se 1.021 pacientë të tjerë janë shëruar nga virusi, me çka numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 126.984.

Gjithsej 649 pacientë po trajtohen në kujdes intensiv në spitale brenda vendit.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, pandemia ka marrë jetën e mbi 366 mijë personave, me pothuajse 5.9 milionë raste të zbuluara dhe mbi 2.5 milionë të shëruar.

I.C./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Nëse do t’ju jepej mundësia të jetonit në një vend tjetër, a do të largoheshit nga Shqipëria?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Baçi në Fier: Rama dhe Subashi po varfërojnë qytetarët! Të largohen zgjidhje tjetër me këta nuk ka