Covid-19, në Itali 575 vdekje! SHBA 4591 viktima në 24 orë...Wuhan korigjon bilancin, shton edhe 1290 të vdekur të tjerë

Në të gjithë botën numri i të infektuarve nga koronavirusi është 2.159.267 kurse numri i viktimave është rritur në 145.563. Gjithashtu janë shëruar nga infeksioni i Covid 3.420.394 persona.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka shënuar një rekord të padëgjuar më parë, 4,591 viktima në vetëm 24 orë, thuajse dyfishi i numrave të rekordit të mëparshëm.

Përkundër kësaj, presidenti Donald Trump ka prezantuar planin e tij për të rihapur Amerikën me qasje me faza dhe të matura për t’iu rikthyer aktivitetin normal.

Do ta rifillojmë jetën së​risht“, tha zoti Trump gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp. “Po fillojmë përsëri ringjalljen e jetës ekonomike”, tha ai duke shtuar se “ky do të jetë një proces gradual”.

Sipas tij çdo shtet mund të heq bllokadën që nesër nëse plotësohen disa kritere ndër të cilët më themelori është që për 14 ditë rresht të regjistrohen numra në rënie përsa i përket të shtruarve në kujdesin intensiv dhe rasteve të reja pozitive.

Trump tha gjithashtu se vendimet i takojnë t'i marrin guvernatorët e shteteve.

Por edhe pse Trump planifikon rihapjen, guvernatori i New York-ut, demokrati Andrew Cuomo, ka shtyrë me një muaj, deri më 15 maj kufizimet dhe bllokimet në shtetin e tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:12
Ministri i Shëndetësisë: Në Gjermani të prekurit me COVID humbin fuqinë e infektimit

'Epidemia në Gjermani tani është nën kontroll'. Këtë deklaratë e bëri ministri i Shëndetësisë gjermane Jens Spahn i cili shpjegoi dhe hapat që do të ndiqen për një hapje graduale, të dyqaneve të vegjël dhe shkollave. "Tashmë e themi me siguri se masat e forta të ndërmarra në aspektin ekonomik dhe social kanë qenë të suksesshme" tha ai. Kjo është një deklaratë më optimiste se ajo e kancelares gjermane Angela Mergel gjatë konferencës për shtyp të së martës pas video-konferencës që pati me kryeministrat e landeve gjermanë. Gjatë kësaj mbledhje kancelaria kishte folur për rezultate aspak të sigurta dhe se nuk dihej kur do të kapërcehej emergjenca e pandemisë. Mergel iu tha qytetarëve gjermanë që do të duhej të bashkëjetonin me koronavirusin deri ditën që do të kishte një kurë dhe një vaksinë.

Ndërkohë që optimizmi i ministrit të Shëndetësisë gjermane u mbështet edhe nga drejtori i institutit Robert Koch, Lothar Wieler që i cilësoi shumë të mira rezultatet parciale të strategjisë që po ndjek qeveria gjermane. Sipas Lothar Wieler lajmi i ditës është numri i të infektuarve, përqindja e riprodhimit të virusit, pra numri që mund të infektojë një njëri me virus, në Gjermani është ulur nga 1 në 0-7. Këto të dhëna tregojnë që numri i të infektuarve dhe mbi të gjitha i vdekjeve  nuk po rritet më. Rastet pozitivë në gjermani kanë arritur në 138 mijë dhe 4 mijë të vdekur. Por lajmi i mirë është që Gjermania duke iu referuar të dhënave të publikuara nga ministri i Shëndetësisë regjistron një numër më të lartë të të shëruarve se të të infektuarve.

Ora 22:37
Të dhëna optimiste nga Italia/ Çdo person me COVID-19 infekton mesatarisht një person më pak

Përqindja e infektimit nga koronavirusi në Itali ka zbritur në 0,8. Këtë deklaratë e bëri presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetësisë, Franco Locatelli gjatë konferencës për shtyp të mbrojtjes civile.  Kjo do të thotë që çdo person bartës i virusit infekton mesatarisht një person më pak. Një objektiv që pritej të arrihej sa më shpejt. Kjo e dhënë e Italisë është vetëm një pikë më pak se ajo që ka regjistruar Gjermania, 0,7. Për ta mbajtur në këto nivele ,por edhe për të arritur rezultate më të mira, shtoi Locatelli duhet të zbatohen 4 instrumente: Ndjekja e kontakteve të dyshuara, bërja e sa më shumë testeve, rritja e mbrojtjes individuale qëndrimi sa më pak i pacientëve me COVID-19 në spital, shpërndarja e  ilaçeve më sukses në të gjithë territorin dhe mbi të gjitha përgjegjshmëri të lartë të sjelljes individuale.

"Në Itali janë rreth 160 mijë persona pozitivë me COVID-19. Ndërkohë që çdo ditë ulet numri i të infektuarve në nivel kombëtar".  Këtë deklaratë e bëri presidenti i institutit Shëndetësor të Italisë, Silvio Brusaferro gjatë konferencës për shtyp për COVID-19. Brusaferro tha se të dhënat po na tregojnë çdo ditë që po ulet numri i pacientëve pozitivë në nivel kombëtar.

Masat e ndërmarra nga qeveria në të gjithë territorin ndaloi përhapjen në shumë zona të italisë. Silvio Brusaferro shtoi se kurba e të infektuarve është ulur edhe në lombardi rajonin më të prekur nga virusi dhe theksoi se duhet pasur shumë kujdes për fazën 2 të hapjes.

"Të ridimensionohet sjellja ditore e gjithkujt. Duhet të mendojmë ta organizojmë ndryshe jetën tonë në punë kur marrim transportin publik  dhe gjatë përditshmërisë. Duhen evidentuar të gjitha dobësitë në çdo vend pune duke gjetur dhe instrumente për të siguruar distancimin social duke vendosur barriera fizike mes njëri tjetrit. Ky skenar pritet të marrë formë në javët e ardhshme duke evidentuar të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e virusit. Faza e dytë do të përqendrohet me izolimin e njerëzve në shtëpi. Sistemi po përgatitet për këtë qasje", tha Brusaferro.

Ora 17:58
Covid-19, në Itali 575 viktima nga koronavirusi dhe 2563 të shëruar

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 575 viktima nga koronavirusi, për një total prej 22 745 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është 2563 për një total prej 42 727.

Autoritetet raportuan edhe për 3493 raste të reja pozitiv nga Covid-19, shifra që e rrisin numrin e përgjithshëm të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në172 434.  

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 124 pacientë më pak se dje për një total prej 2812.

Në konferencën për shtyp të organizuar nga Instituti i Lartë i Shëndetit në Itali, epidemiologu Giovanni Rezza, drejtor i departamentit të sëmundjeve infektive të Institutit tha se ajo që shihet si piku i epidemisë është “një kulm artificial”, i gjeneruar nga masat e bllokimit dhe izolimit. Ulja e numrit të rasteve është e dukshme, tha Rezza, por virusi nuk po zhduket.

“Shpesh flasim për infeksione të reja, por në të vërtetë ato janë njoftime të vjetra”. Rezza gjithashtu sqaroi se koronavirusi tenton të jetë infektues para se të shfaqen simptomat dhe më pas infektimi ka tendencë të zvogëlohet. Është, një virus i ri i cili sillet ndryshe nga koronavirusi SARS i vitit 2003”, dhe shtoi se “në fazën 2 do të jetë e rëndësishme të forcohet veçanërisht kontrolli i territorit me identifikimin e shpejtë të shpërthimeve epidemike, testeve, gjurmimeve dhe izolimin e kontakteve”.

Ora 17:17
Covid-19, Pashkë të blinduara në Bullgari nga frika e pandemisë

Në Bullgari koronavirusi, sipas numrave zyrtarë, ka filluar të përhapet me shpejtësi. Frika është aq e madhe dhe kryeqyteti Sofje është kthyer në një zonë e kuqe me rastin e Pashkëve Ortodokse, këtë fundjavë.

Kufizime të tjera mbeten në fuqi dhe masat pengesë, të tilla si ruajtja e distancës fizike, janë më shumë sesa rekomandime.

Restorantet, baret dhe qendrat tregtare tani janë mbyllur për të shmangur tubimet e mëdha. Turizmi është sektori më i prekur nga anulimet massive të prenotimeve.

Papunësia tashmë është rritur me 2% dhe qeveria është kritikuar për ngadalësi në administrimin e epidemisë dhe pasojave të saj.

Bullgaria ka rreth dyzet vdekje nga koronavirusi dhe një mijë të infektuar, por ka parë ditët e fundit rritje të numrit të personave të infektuar.

Dy lagje të mëdha rome në Sofje janë karantinuar ndërkohë që për Pashkët fjalëkalimi mbetet: Shmangni udhëtimet e festës.

Ora 15:41
Bilanc i rëndë në Britani, 1 në 3 të testuar rezulton pozitiv me COVID-19

Mbretëria e Bashkuar ka raportuar përsëri shifra të larta sa i përket rasteve të reja dhe viktimave nga COVID-19.

Sipas të dhënave të Departamentit të Shëndetit Publik, numri i rasteve të infektuara është rritur me 5,599 këtë të premte, pothuajse 1 mij më shumë se dita e djeshme.

Nga ana tjetër i lartë ka qenë edhe numri i viktimave. 847 vetëm në 24 orët, 14 më pak se dje.

Aktualisht Mbretëria e Bashkuar ka kofirmuar 108,692 raste të prekura me koronavirusin e ri nga të cilët 14,576 kanë ndërruar jetë.

Sipas të dhënave në Britani janë testuar deri  tani rreth 341 mijë persona. Kjo është një shifër shqetësuese sepse do të thotë se të paktën 1 në 3 persona të testuar në vend rezulton i prekur nga virusi.

Ora 15:16
Covid-19, vajza e El Chapo dhe kartelet meksikane shpërndajnë ndihma për të goditurit nga kriza e pandemisë (FOTO)

Një nga vajzat e mbretit famëkeq të drogës, Joaquin "El Chapo" Guzman dhe kartelet meksikane po shpërndajnë pako me ndihma për familjet e varfëra dhe ata që kanë mbetur të papunë nga kriza pandemike teksa numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Meskikë ka nisur të rritet me shpejtësi.

Alejandrina Guzman është duke përdorur kompaninë e saj, El Chapo 701, për të paketuar dhe shpërndarë pako me ushqime, maska, sapun dhe furnizime të tjera në rrethinat e Guadalajara.

Pakot e ndihmave, si dhe maskat, dorezat dhe mjete të tjera mbrojtëse, kanë të stampuar imazhin e El Chapo.

Kompania, të cilën Guzman e përdor ligjërisht për të shitur veshje dhe pije, ka postuar foto të ndihmave që po shpërndan.

Në faqen e Facebook të kompanisë shkruhet se “Ne po punojmë dhe kontribuojmë. Një kënaqësi e madhe për të vizituar shtëpitë tuaja dhe t'ju ndihmojmë”.

Frymëzimi për emrin e markës ‘El Chapo 701’ buron nga një listë e Forbes e vitit 2009 që e renditi mbretin e drogës si nja nga njerëzit më të pasur në botë me një vlerë pasurie prej 1 miliardë dollarë.

Meksika po shkonte drejt një recesioni të vështirë dhe të thellë me 486 vdekje nga koronavirusi dhe 6.300 raste të konfirmuara positive.

Ndërsa rastet e infeksionit rriten, kartelet e dhunshme meksikane janë bashkuar në fushata ndihme për familjet dhe individët e dëmtuar më shumë nga kriza, duke postuar fotografitë e tyre në mediat sociale.

Guzman është duke vuajtur dënimin me burg  në Kolorado të SHBA

Ora 14:55
Covid-19, Danimarka vazhdon daljen nga izolimi prej koronavirusit

Danimarka do të lejojë edhe disa biznese, të tilla si parukeritë, sallonet e bukurisë dhe auto-shkollat, të rihapen nga data 20 prill.

Ato dhe të tjera janë mbyllur tash e sa javë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Askush nuk dëshiron ta mbajë Danimarkën të mbyllur më shumë seç është e nevojshme”, tha kryeministrja Mette Frederikse.

Vendimi vjen pasi disa vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, kanë bërë publike masa të ngjashme për dalje nga izolimi.

Të mërkurën, Danimarka ka rihapur edhe çerdhet dhe shkollat fillore, pasi lakorja e të infektuarve me koronavirus në këtë vend është rrafshuar.

Megjithatë, kufijtë, restorantet dhe baret atje do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë.

Danimarka ka rreth 7,000 të infektuar me koronavirus, ndërsa 321 pacientë atje kanë humbur jetën.

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

  • Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:
  • Transmetimi duhet të kontrollohet;
  • Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
  • Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
  • Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
  • Rastet e importuara menaxhohen;
  • Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".
Ora 14:00
Covid-19, aplikacioni ‘Immuni’ do gjurmojë të infektuarit me koronavirus në Itali

“Immuni” është aplikacioni që në Itali do të gjurmojë të infektuarit me koronavirus.

Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte ka firmosur tashme kontratën me kompaninë projektuese ‘Bending Spuns’.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Itali, aplikacioni i gjurmimit të rasteve të infektuar do të jetë mjaftë i rëndësishëm për Fazën 2 të emergjencës nga koronavirusi.

“Immuni” fillimisht do ekperimentohet në disa rajone, kryesisht në very të vendit dhe më pas do të aplikohet në të gjithë Italinë.

Ministrja e Inovacionit, Paola Pisano ka thënë se ‘Aplikacioni për gjurmimin e kontaktit nuk ka për qëllim gjeolokimin, por rindërtimin e çdo kontakti mes njerëzve.

Po si funksionon “Immuni”?

Pisano, tregon mënyrën italiane për të luftuar koronavirusin në ditët e telefonave inteligjentë.

Aplikacioni regjistron sinjalet e afërsisë falë Bluetooth dhe wi-fi, dhe paralajmëron ata që kanë rënë në kontakt me një person që është pozitiv nga Covid-19.

Në rast se dikush dëshmohet pozitiv, operatori mjekësor i cili duhet të jetë i autorizuar, përmes një kodi identifikimi anonim do të dërgojë një mesazh alarmi për të informuar të gjithë ata përdorues, të identifikuar gjithmonë në mënyrë anonime, të cilët kanë rënë në kontakt me atë që ka kontaktuar më parë virusin.

Aplikacioni funksionon mbi një regjistër mbi gjendjen e shëndetit të personit dhe simptomat e tij të mundshme. Asnjë nga të dhënat e mbledhura nuk do të shpërndahet para se pacienti, nëse preket nga covid-19, ka vendosur të jap dakordësin e tij.

Paola Pisano tha se "qëllimi është të zvogëlojmë mundësinë e infektimit, por nuk do të jetë një aplikim i vetëm që do të zgjidhë gjithçka.
Sidoqoftë, problemi i vullnetarizmit mund të rrezikojë efektivitetin e këtij mjeti pasi personat janë të detyruar të deklarohen në momentin e instalimit të aplikacionit apo në pyetësorët në internet.

Eshtë e vërtetë që të gjitha këto sisteme janë vetëm një pjesë për të luftuar pandeminë, por ato janë gjithashtu të rëndësishme "të frenojnë koronavirusin pa aplikimin e karantinës në masë- thotë një studim i Universitetit të Oksfordit, botuar në revistën Science.

Sipas studimit, nga një e treta deri gjysma e  transmetimeve të koronavirusit ndodhin nga individë asimptomatikë. Kjo është arsyeja pse një aplikacion mund të çojë në kontroll të epidemisë dhe gjithashtu të lejojë vendet të rifillojë funksionimin për sa kohë që aplikacioni përdoret nga shumica e qytetarëve.

"Ne jemi në një fushë eksperimentale që mund të ndihmojë në luftimin e virusit dhe në të njëjtën kohë mund të mos jetë i pagabueshëm", thotë Paola Pisano, “se për të arritur rezultate të prekshme rruga mund të jetë akoma e gjatë."

Ora 13:40
Covid-19/Belgjikë, rritet sërish bilanci i viktimave dhe të infektuarve

Belgjika është vendi i parë i BE-së për sa i përket numrit të vdekjeve që lidhen me Covid-19 në krahasim me popullsinë.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Belgjikë numërohen mbi 5,000 persona (ekzaktësisht 5,163), të cilët kanë humbur jetën nga infeksioni i koronavirusit.

Sot në një konferencë për media, autoritetet shëndetësore thanë se janë regjistruar 313 viktima në 24 orët e fundit. Rastet e reja të prekur nga infeksioni janë 1,329 për një total të infektuarish prej 36,138.

Gjysma e viktimave janë regjistruar në shtëpitë e pleqëve dhe gjysma tjetër në spitale.

Ora 13:08
Covid-19, në Spanjë mbi 19 mijë viktima, 585 raste të reja vdekjesh në 24 orët e fundit

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë ka shkuar në 19315 me 585 raste të reja vdekjesh të regjistruara në 24 orët e fundit kurse numri I përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në rreth 185 mijë ndërsa i të shëruarve është në pragun e 75 mijë.

Tre ditë më parë, autoritetet spanjolle kanë lejuar rifillimin e punës për disa aktivitete. Por, dyqanet dhe shërbimet me pakicë duhet të qëndrojnë të mbyllura dhe ata që punojnë në zyre, duhet të vazhdojnë të punojnë nga shtëpitë.

Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, tha se “Ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë datat kur izolimi mund të përfundojë”.

Ora 12:03
Koronavirusi në Gjermani/ 4 mijë viktima dhe 140 mijë të infektuar nga Covid-19

Agjencia e kontrollit të sëmundjeve në Gjermani, Instituti Robert Koch ka raportuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri, COVID-19 në vend kaloi shifrën 4.000, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara arriti në pothuajse 140 mijë.

Të paktën 289 vdekje të tjera nga virusi u regjistruan gjatë 24 orëve të kaluara, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 4.093, sipas Institutit të Teknologjisë Risklayer dhe Karlsruhe, që përpilon të dhëna në kohë reale nga afro 400 autoritete lokale. Me 3.382 infektime të reja në 24 orët e fundit, numri i personave të infektuar me virus deri më tani në Gjermani u rrit në 138.135.

Gjermania ka numrin e pestë më të lartë të infeksioneve të raportuara COVID-19 në botë, duke u renditur pas SHBA-së, Spanjës, Italisë dhe Francës. Por, numri i vdekjeve në Gjermani mbetet shumë më i ulët se në vendet e tjera. Përveç testimit të gjerë për COVID-19, Gjermania gjithashtu ka ngritur ndjeshëm kapacitetin e reparteve të kujdesit intensiv në spitale: nga 28.000 në gati 40.000.

Në Gjermani, alarmi po rritet për përhapjen e koronavirusit në mesin e personelit shëndetësor. Sipas studimit, numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar këtë javë është 6 përqind më i lartë se javën e kaluar.

Qeveria e kancelares Angela Merkel dhe shtetet federale u dakorduan të zgjasin masat e bllokimit të koronavirusit deri më 3 maj, me zbutjen e masave për dyqane të vogla dhe dyqane me hapësira të shitjes me pakicë prej më pak se 800 metra katrorë. Restorantet dhe kafenetë do të qëndrojnë të mbyllura deri në njoftimin e mëtejshëm.Disa shkolla gradualisht do të rihapen pas 4 majit.

Ora 11:27
Covid-19, te 141 persona rishfaqet infeksioni. Autoritetet: Nuk ka ri-infektim por riaktivizim për shkaqe imunitare


Në Korenë e Jugut në dy ditët e fundit ka patur 141 raste te të cilët është rishfaqur infeksioni, edhe pse në testët e fundit të tamponit ata kishin rezultuar negative.

Por Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka hedhur poshtë një mundësi ri0infektimi dhe ka deklaruar rishfaqja e koronavirusit te këta persona nuk do të thotë ri-infektim por riaktivizim i infeksionit.

Po sipas autoriteteve, shkaqet e aktivizimit janë kryesisht për shkaqe imunitare.

Ri-infektimi do të ishte shumë shqetësues pasi do të hidhte poshtë idenë se kalimi i sëmundjes krijon patjetër imunitet te të prekurit.

Ndërkohë kjo shpjegohet edhe me faktin se sipas studimeve të ndryshme, koronavirusi dëmton qelizat T që luajnë një rol qendror në sistemin imunitar të trupit dhe në aftësinë për të luftuar infeksionet.

Ora 09:34
Covid-19, autoritetet në Itali: 90% e italianëve nuk kanë rënë në kontakt me virusin. Shkollat nuk hapen në muajin maj

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë, Silvio Brusaferro tha se prej disa ditësh kurba në Itali është në rënie. Por pavarësisht kësaj alarmi mbetet, duke shtuar se mbi 90% e italianëve nuk kanë rënë në kontakt me virusin. Kjo do të thotë se një pjesë shumë e madhe e popullsisë është akoma e ndjeshme”.

“Për të pasur imunitetin e tufës, - tha ai- do të ishte e nevojshme që rreth 80% e njerëzve të kishin rënë në kontakt me Covid”, dhe shtoi se “nëse nuk tregohemi të kujdesshëm në miratimin e rekomandimeve qarkullimi i koronavirusit mund të rifillojë edhe më intensivisht”.

Deklarata e kreut të Institutit të Lartë të Shëndetësisë vjen në një kohë kur rajonet e veriut të Italisë po kërkojnë nga qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte të shikojë mundësinë e rihapjes graduale të aktiviteteve të prodhimit duke filluar nga data 4 maj.

Në lidhje me shkollat, Ministrja e Arsimit Azzolina ka deklaruar se ato nuk do të rihapen në muajin maj. Sipas saj heqja e bllokimit për shkollat do të ishte shumë e rrezikshme pasi ende numri i vdekjeve nga koronavirusi është i lartë. Ajo tha gjithashtu se mësimi në distancë ka shpëtuar ripërsëritjen e vitit shkollor

Nëse në Itali nuk do të ishte aq i lartë numri i të vdekurve, të dhënat do të ishin të gjitha pozitive. Rënie e mprehtë e numrit të pacientëve në kujdesin intensiv, rritja e numrit të të shëruarve dhe niveli i infeksioneve të reja që janë duke u ulur.
Raporti midis testeve të tamponit të bëra dhe rasteve të identifikuara pozitiv është 1 pacient për çdo 16.1 teste të kryera.

Në Itali deri tani numërohen 22 170 vdekje nga Covid-19 dhe 168 941 të infektuar që nga fillimi i pandemisë.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 525 viktima nga koronavirusi. Autoritetet raportuan edhe për 3786 raste të reja pozitiv nga Covid-19.

Ora 08:52
Wuhan korigjon numrin e të vdekurve, shtohen edhe 1290 viktima (VIDEO)

Qyteti i Wuhan, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit, çuditërisht ka rishikuar numrin e infeksioneve dhe vdekjeve, duke i rritur ato me 325 më shumë të infektuar për një total të ri prej 50,333 dhe duke shtuar gjithashtu 1.290 vdekje të tjera për një total të ri viktimash prej 3,869.

Ndryshimet në bilancin e luftës kundër Covid nga ana e autoriteteve shëndetësore vendore u tha se u bënë "në përputhje me ligje dhe rregullore, dhe me parimin e të qenurit përgjegjës për historinë, njerëzit dhe të ndjerit".

Mesa duket këto ndryshime do ti japin shtysë të mëtejshme polemikave mbi besueshmërinë e të dhënave.

Sot Presidenti francez, Emanuel Macron ka shprehur publikisht dyshimet e tij për situatën reale të koronavirusit në Kinë duke thënë se është skeptik lidhur me menaxhimin e sëmundjes dhe shifrat e publikuara atje.

Në një intervistë për Financial Times, Macron tha se nuk duhet të jemi naiv dhe të themi se Kina e trajtoi me sukese epideminë.

‘Atje kanë ndodhur gjëra që ne nuk i dimë”- tha presidenti francez.

Shumë here presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Pekinin zyrtar se nuk ka thënë të vërtetën mbi epideminë në Kinë dhe se ka manipuluar numrin e vdekjeve dhe infeksioneve. Ai bile ka shkuar edhe më tej teksa ka deklaruar se Pekini ka fshehur me qëllim epideminë në fillimet e saj dhe ka informuar Perëndimin kur gjërat kishin nisur të përkeqësoheshin dhe infeksioni kishte mbërritur në shumë vende të botës pasi ende nuk ishin mbyllur kufijtë dhe nuk ishin pezulluar udhëtimet për dhe nga Kina.

Dje gazeta prestigjoze amerikane Washington Post ka shkruar se Kina ka përgjegjësi ligjore për dëmet pandemike që ka shkaktuar, teksa numri total i amerikanëve që kanë mbetur pa punë që nga fillimi i krizës pandemike ka shkuar në 25 milion dhe recesioni po kërcënon seriozisht ekonominë e botës. Sipas gazetës, në SHBA kohët e fundit shumë kompani dhe biznese kanë ngritur paditë e para kundër Partisë Komuniste Kineze. Gjykimi i çështjes mund të çojë në sekuestrimin e pasurive tregtare kineze, përfshirë çdo të ardhur nga eksportet kineze kudo në botë.

Mesa duket, me korigjimin e shifrës së të vdekurve në Wuhan, sapo është gërvishtur vetëm sipërfaqja e të vërtetës pandemisë në Kinë.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • usa: 17/04/2020 20:48

    Terrorist te dashur qe zoti ka per tju djegur te gjalle, po pse nuk thoni qe ne micmiçigan te Amerikes populli ka dal ne rruge dhe i ka thene qeveritarve te vet pederaste qe te shkojne dhe ta bejne nga mbrapa? Mbani mend qe hesapet keni per ti paguar shtrenjt per keto krime, ndyrsira

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj