COVID-19 /Në Galerinë e Arteve projektet e pezulluara rifillojnë në shtator, në vëmendje veprat e artisteve

Edhe Galeria Kombëtare e Arteve pas mbylljes për shkak të COVID-19, që prej muajit mars, ka pezulluar aktivitete kulturore, ekspozita edhe projekte kombëtare edhe rajonale. Për “ReportTV” GKA ndalet tek projektet që ishin planifikuar në periudhën janar-qershor, si mes tyre ekspozitat “Tirana Durim”,
“Urimet më të mira për 1999-n, koleksioni i Dibbets”, ekspozita e skulpturave të GKA-së, edhe projekti për edukimin për fëmijët.

Cilat janë projektet që kishit planifikuar deri në mbyllje të sezonit janar-qershor 2020?

Projektet që kishim planifikuar për periudhën janar-qershor kanë qenë ekspozitat “Tirana Patience” në linjën muzeale, “Urimet më të mira për 1999: Koleksioni Jan Dibbets” dhe ekspozita e skulpturave të koleksionit të GKA-së. Krahas ekspozitave do të zhvilloheshin projektet e edukimit për fëmijët e institucioneve të ndryshme arsimore, si dhe programi publik për profesionistët e artit, studiuesit e fushave të ndryshme dhe publikun artdashës.

Çfarë projektesh apo aktivitetesh të programuara nga institucioni janë pezulluar për shkak të COVID-19?

Për shkak të situatës COVID-19 janë pezulluar përkohësisht 4 projekte afatgjata që ne kishim me disa nga partnerët tanë në Shqipëri, në Kosove dhe në vendet e ulëta. Projektet kanë filluar në vitet 2018-2019 dhe do të kulmonin në vitin 2020, në periudhën maj-qershor. Këto projekte do të shtyhen për periudhën e dytë të vitit, pra shtator-dhjetor 2020. Aktivitete të tjera që janë pezulluar lidhen kryesisht me projektet e edukimit dhe ato që zhvillohen në kuadër të programit publik që shoqëron të gjitha ekspozitat tona siç e kam cekur edhe me sipër.

Sa është fondi i projekteve të pezulluara në total? Çfarë do të ndodh në këtë rast, si do të menaxhohen?

Projektet e pezulluara (afatgjatë) janë të mbështetura nga partnerët e huaj, dhe rrjedhimisht GKA nuk ka pezulluar asnjë fond për këto projekte. Pjesa tjetër e projekteve, pra ekspozita e skulpturave është përfunduar së ndërtuari pak ditë para mbylljes së GKA-së, ndërkohë që për aktivitetet e edukimit nuk ka ndonjë fond të pezulluar, pasi janë edukatorët në muze që i zhvillojnë ato me materialet që ne i kemi gjendje (edhe të ricikluara ndër vite), ose që i kemi blerë kryesisht në fillim të vitit. Sa i përket programit publik, ne nuk kemi lidhur kontratë me asnjë folës dhe nuk kemi detyrime financiare të mbetura pezull.

Cilat janë iniciativat e institucionit tuaj këtë periudhë për të qenë pranë publikut, edhe pse jo drejtpërdrejtë?

GKA po mundohet që të aktivizojë sa më mirë rrjetet e saj sociale (Facebook dhe Instagram), duke i prezantuar publikut vepra nga koleksioni i GKA-së, të cilat nuk janë të shfaqura në asnjë nga ekspozitat tona. Gjithashtu, hedhim foto dhe video nga projektet e zhvilluara në vitet e kaluara për një segment të publikut që jo gjithmonë ka pasur mundësinë t’i ndiqte për shkak të angazhimeve personale dhe profesionale. Një version 3D i GKA-së është tashmë online dhe publiku mund ta aksesojë fare lehtë për të eksploruar jo vetëm arkitekturën e GKA-së, por edhe ekspozitat që kanë qenë të hapura vitin e kaluar, veçojmë ekspozitën e artistit Kol Idromeno. Në kuadër të programit të edukimit dhe atij publik, përzgjedhim lidhje (links) të publikuara nga muze, hapësira arti, arkiva, galeri nëpër botë (intervista, artikuj mbi artin, simpoziume, leksione, vizita në studio të artisteve, shfaqje të dokumentarëve etj.) për të ushqyer mendjet kureshtare me informacione dhe dije rreth artit; ndërtojmë gjithashtu lojëra të ndryshme arti për fëmijët që mund të krijohen me materiale të thjeshta që atyre u gjenden në shtëpi. Kemi vënë re që gjatë kësaj periudhe, ndjekësit e GKA-së në rrjetet sociale janë shtuar dhe ndërveprojnë më shumë me postimet tona. Padyshim që vizitat dhe pjesëmarrja ne Galeri nuk mund të zëvendësohet vetëm me aktivizimin online, por ky është një dimension që ne po përpiqemi ta shohim pozitivisht për të tërhequr një audiencë shtesë sapo të hapemi.  

Nëse kjo situatë do të zgjatë a keni një plan rezervë?

Nëse kjo situate zgjatë, atëherë ne po mendojmë rikonceptimin e aktivitetin tonë vjetor për t’ia përshtatur situatës dhe shëndetit të publikut. Siç e kemi përmendur në fundvitin e kaluar, puna kryesore gjatë 2020s do t’i kushtohet koleksionit tonë, duke prezantuar skulpturat, por edhe vepra të tjera në pikturë. Dëshirojmë të veçojmë punën që po bëjmë për prezantimin e veprave të artistëve gra të cilat në numër janë shumë pak në raport me artistët burra në linjën aktuale muzeale.

Dhe së fundmi, pagat e punonjësve të institucionit tuaj (artistë apo administratë), janë prekur ( apo përgjysmuar) deri më tani nga iniciativat e qeverisë?

Punonjësit vazhdojnë të kenë të njëjtat paga dhe nuk janë prekur nga masat e qeverisë deri në këtë moment.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK