BRUKSEL- Ministri i Jashtëm serb, Iviça Daçiç, ka deklaruar nga Brukseli se takimi rajonal i Ministrave të Jashtëm, ministrave të  Ekonomisë dhe Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e Komisionit Europian do të mbahet në Beograd.

Në një konferencë me shefen e diplomacisë europiane, Catherin Ashton, Daçiç nuk foli për shtyrjen e kësaj konference, sikurse shkruanin dhe mediat serbe. Shefi i diplomacisë serbe tha se kjo konferencë tregon se Beogradi është i përkushtuar për të ndjekur rrugën europiane.

Ai theksoi se të shtrëngonte dorën me kryeministrin e Kosovës nuk ishte e lehtë, por e bëri për përgjegjësitë që ka marrë vendi i tij për të qënë pjesë e BE.

“Serbia do vazhdojë në rrugën aktuale dhe do të implementojë atë që është rënë dakord me Prishtinën. Është në interes të popullit serb të Kosovës. Në fund të mandatit  të saj doja ta falënderoja në emër të gjithë Serbisë baroneshën Ashton. Dua t’i konfirmoj gjithashtu se Serbia do ndjekë rrugën evropiane që ka nisur. Kam dhe një dhuratë simbolike për baroneshën. Ia kam shpjeguar se çfarë është kjo dhuratë. Kjo është ikona më e mrekullueshme e kishës ortodokse serbe. Një ikonë që simbolizon mbrojtjen. Uroj që kjo ikonë t’i kujtoj Serbinë”, deklaroi Daçiç.

Ky është takimi i fundit mes Daçiç dhe Ashton, pasi vendin e kësaj të fundit e zë Federica Mogherini, ministre e jashtme e Italisë.