Mediat britanike kanë publikuar videon tronditëse që tregon skenën kur Liridon Kastrati përndjek në rrugët e Skocisë një oficer policie ndërkohë që mban të ndezur një sharrë elektrike. Këto pamje u bënë elementë kyc në procesin gjyqësor që çoi në dënimin e tij me 10 vjet burg.

Ngjarja ka ndodhur më 6 maj 2024 në qarkun Renfrershire, pranë qytetit Glasgow. Kastrati përplaset me një makinë policie, tenton tw largohet nga vendi i aksidentit, por kthehet pak çaste më vonë, hap bagazhin e makinës dhe nxjerr prej andej një sharrë elektrike. 

Pamjet tregojnë momentin kur Kastrati duke bërtitur e sharë nis të vrapojë pas oficerit Gary Cowan. Oficeri shihet duke u larguar me vrap përgjatë rrugës, ndërsa Kastrati e ndjek këmba këmbës. Sipas vlerësimit të gjykatës, pamjet filmike dëshmojnë qartë rrezikun serioz për jetën e efektivit, i cili u detyrua të vraponte për një distancë të konsiderueshme nga frika se mund të sulmohej.

Gjykata e Lartë në Glasgow e dënoi 32-vjeçarin me 10 vjet burg për tentativë vrasjeje. Dënimi llogaritet duke nisur nga muaji maj 2024.

Gjyqtari i çështjes, William Gallacher, iu referua drejtpërdrejt pamjeve filmike gjatë shpalljes së vendimit, duke e përshkruar incidentin si një skenë “horror” dhe përdorimin e sharrës elektrike si një akt jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Kastrati reagoi me agresivitet në sallën e gjyqit, duke goditur bankën e të akuzuarve dhe duke fyer gjyqtarin në shqip dhe anglisht, përpara se të nxirrej jashtë nga efektivët e sigurisë.