/ATSH-AFP/ - Sulmet ajrore kundër grupit Shteti Islamik (ISIS) të zhvilluara prej dy muash në Siri nga koliaiconi i drejtuar nga SHBA-ja nuk e kanë dobësuar ISIS-in, vlerësoi ministri sirian i Punëve të Jashtme, Walid Mouallem.

Ai njoftoi gjithashtu se një dialog i mundshëm mes regjimit sirian dhe opozitës kërkon fillimisht kohë për t'u vendosur.
"A është ISIS-i më i dobët sot pas më shumë se dy muaj sulmesh nga koalicioni? Të gjithë treguesit paraqesin se nuk është", theksoi Mouallem-i në një intervistë të zhvilluar sot nga kanali televiziv panarab, Al Mayadeen, me qendër në Bejrut.

Sipas tij, këto sulme nuk kanë asnjë impakt për sa kohë Turqia fqinje, e akuzuar nga regjimi sirian se lejon të kalojnë xhihadistët, nuk do të fillojë të kotrollojë kufijtë e saj.

"Nëse SHBA-ja dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit në OKB nuk bëjnë një përpjekje reale për të detyruar Turqinë të kontrollojë kufirin e saj, edhe këto bombardime të koalicionit nuk mund të pengojnë ISIS-in", njoftoi ministri.

"Sulmet ajrore të kryera në Siri nga koalicioni që prej 23 shtatorit kanë vrarë 963 persona ku 838 xhihadistë, 72 të Frontit Al Nosra (degëzim i al Kaedës në Siri), 52 civilë dhe një rebel islamik", sipas Vëzhguesit Sirian të të Drejtave të Njeriut.

"Rusia kërkon një dialog ndërsirian largë ndërhyrjeve të jashtme. Është ajo që duam edhe ne por ky veprim kërkon fillimisht kohë, si dhe një rivlerësim të pozicionimit të më parshëm të opozitës", tha ai.

Ministri i referohet kërkesave kryesore të opozitës që prej fillimit të revoltës në mars 2011, ato për largimin e Assad-it nga pushteti, që Damasku e refuzon kategorikisht.

Negociatat e zhvilluara në Gjenevë në fillim të viti dështuan për gjetjen e një zgjidhje ndaj konfliktit që ka bërë rreth 200 mijë të vdekur në Siri.