Darka e fundvitit do ti kushtojë më shumë qytetarëve këtë vit për shkak se çmimet e shportës bazë janë më të kushtueshme se vjet. Sot në tregjet e vendit çmimi mesatar me të cilin po tregtohet gjeli apo pula e detit varjon nga 1000 lekë deri në 1200 lekë. Produktet e mishit janë nga 50 lekë deri në 200 lekë më të shtrenjta se vjet.
Por edhe mallrat e tjera të shportës janë më të kushtueshme, ku veçojmë çmimi mesatar i djathit të bardhë sipas INSTAT është mbi 900 lekë kilogrami, apo qumështi e kosi të cilat arrijnë deri në 200 lekë.
Por sa të përballueshme janë këto çmime për xhepin e qytetarëve?
“Ekstrem shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat dhe jashtë shtetit.
Sa mund t'i shkojë një darka e fundvitit mesatarisht?
Kalon 200 vetëm një darkë familjare thjesht në shtëpi. Normale që shumë sepse po ta llogarisësh rroga minimale është 400 dhe i thotë gjysma e rrogës. Domethënë një një familje e thjeshtë, një në shtëpi do të punojë 15 ditë për një darkë që është shumë”, thotë një qytetare.
“Me thënë të drejtën ne jemi dy pensionistë për ne çmimet janë shumë të larta, me vitet e kaluara shumë më tepër”, thotë një pensioniste.
Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli pohon se këto çmime stratosferike janë për faj të disa faktorëve.
“Sigurisht që nuk janë të gjitha të përballueshme. Për shembull qytetari kur sheh çmimin e shtrenjtë të gjelit të detit apo të pulës së detit do jetë i detyruar për pastaj të bëjë një zgjidhje alternative. Unë gjykoj se është pikërisht tek prodhimi bujqësor, sidomos ai blegtoral ku qëndron problemi. Mungesa e prodhimit vendas, është reflektuar te këto çmime”, thotë Çoçoli.
Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoci thotë në Report TV se në tregun shqiptar ndodh e kundërta e asaj që përjetohet jashtë. Në kohën kur çmimet duhet të jenë ekonomike për shkak të kërkesës së lartë, tregtarët vendosin të abuzojnë.
“Nëse ne marrim krahasim vendet e zhvilluara që gjithmonë në periudhë festash duke patur një kërkesë më të lartë, atëherë kanë gjithmonë një ofertë ose një çmim më të ulët për produkte të ndryshme. Pra nuk është se ofertat janë për të gjitha produktet, në mënyrë që ky qytetari të blejë më tepër, të plotësojë kërkesat e tija dhe nga ana tjetër kompania, pra biznesi përfiton të ardhura të mjaftueshme nga sasia që e në mënyrë shumë të thjeshtë për qytetarët. Nëse do ulësh çmimin atëherë do të shesësh më shumë produkt dhe shitja e më shumë produkteve do të të japë ndoshta dhe një të ardhur më të lartë sesa ajo nëse ti shet më pak me çmime dhe më të lartë”, thotë Nunaj.
Madje tregtarët nuk kanë reflektuar në çmimin e produkteve të importuara as zhvlerësimin e valutave e sidomos të euros.
“Ne kemi një element pozitiv, kursin e këmbimit për të gjitha produktet bujqësore që ne i importojmë që nën kuptohet këto produkte bujqësore kur ne i importojmë, i blejmë një treg të huaj në euro. Ne kur i konvertojmë në lekë i kemi blerë më pak, më lirë kjo gjë duhet të reflektohet në treg dhe çmimet duhet të jenë më të lira”, thotë ekspertja.
Njëjtë si cmimet e produkteve të mishit apo bulmetit, edhe frutat e perimet po kushtojnë më shumë në treg. Sipas ekspertëve jo vetëm në raport me vitet e kaluara, por edhe po ti krahasojmë me nëntorin ato janë më të shtrenjta për shkak të abuzimeve në treg.
“E kemi titulluar edhe vjedhja e fundvitit sepse realisht çmimet për shkak të kërkesës më të lartë duhet të bien dhe jo të qëndrojnë madje artificialisht edhe të rriten diçka. Ne e dimë që sot që flasim në të gjitha këto produkte mesatarisht ke një rritje të paktën 5 deri në 6% në krahasim me vitin e kaluar. Kështu që gjykoj se darka e vitit të ri do të jetë më e shtrenjtë për fat të keq sesa ajo e vitit të kaluar. Edhe po t'i krahasosh këto artikuj me një muaj më përpara, do i kesh 20% më të shtrenjtë? Ku është arsyeja?”, shprehet Çoçoli.
Ekspertët vlerësojnë se kontrollet dhe monitorimet e tregut nuk duhet të përqendrohen vetëm në fundvit por të shtrihen përgjatë gjithë vitit, në mënyrë që çmimet të mos vendosen në moment të fundit siç i duan tregtarët
“Unë i bëj thirrje jo ndjeshmërisë së bizneseve sepse e kemi parë deri tash në këto dy dekadat e fundit edhe tre dekadat e fundit se sa të ndjeshëm janë tregtarët tanë të dashur, por i bëj thirrje atyre inspektorëve të vendit tim që i mbajmë me taksat tona, shkoni dilni të qëndroni aty, sepse është momenti që të mbrojmë qytetarin”, thotë Çoçoli.
“Unë parimisht nuk besoj tek aksionet atë kok nënkuptohet që aksioni e fundvit apo aksionet e festave. Pra në qoftë se neve do ta lëmë kontrollin e tregjeve, mbrojtjen e konsumatorit vetëm në periudhat pikë të kërkesës, që është kërkesa më e lartë siç mund të jenë në këtë rast festat e fundvitit, por edhe festa të ndryshme përgjatë gjithë vitit, atëherë në këtë rast çdo rezultat që do jetë do jetë i pjesshëm. Unë besoj te të punuar gjatë gjithë vitit atëherë në këtë rast neve mund të kemi rezultat”, thotë Nunaj.
Shtrenjtimi i ushqimeve po u kushton shumë familjeve shqiptare të cilat shpenzojnë afro 40% të të ardhurave të tyre për bukë, perime, produkte mishi e bulmet. Për të blerë produktet bazë të shportës, një familje shqiptare me mesatarisht 3.1 anëtarë, duhet të shpenzojë të paktën 36,879 lekë në muaj, gati 3 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Si paradoks, Shqipëria vend bujqësor në 75% të bashkive në vend, e me synim fuqizim të eksportit të këtyre produkteve, rezervon çmime të kripura për qytetarët, për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm dhe abuzimeve.
Komente











