SHKODËR -  Një debat i pazakontë ka ndodhur mes deputetes Rudina Hajdari dhe një djali të ri të 'kamufluar' si nxënës, por që në fakt rezultoi aktivist i Partisë Demokratike, teksa kryetarja e grupit parlamentar demokrat po mbante fjalë në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, "Shejnaze Juka', në qytetin e Shkodrës në kuadër të ditës të gjuhëve të huaja.

Teksa deputetja fliste në sallën e mbushur me nxënës, Fatjon Mani, 20 vjeç, anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, është ngritur në këmbë duke ju drejtuar: "A e njeh Azem Hajdarin? Ai ka luftuar për demokracinë, ti je duke kthyer komunizmin. Ti je shtojcë e Edi Ramës, je një turp".

Mënyra e reagimit të deputetes Rudina Hajdari, vajza e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, ishte gjithashtu e pazakontë. Nuk ka zgjedhur t'i heqë të drejtën e fjalës 20-vjeçarit, por ka debatuar me të. Madje i ka afruar edhe mikrofonin me dorën e saj, që fjalët e tij të dëgjoheshin tek gjithë të pranishmit.

Rudina Hajdari e ftoi vetë të riun t'ia thotë mendimin e lirë përballë dhe pasi e dëgjoi acarimin e tij tha që është kjo pikërisht ajo çka po bën politika, po ndanë njerëzit në të djathtë dhe në të majtë. E gjitha sa ndodhi u përshëndet nga nxënësit e shkollës, të cilët nisën të duartrokasin duke thërritur në kor emrin e Rudina Hajdarit.

Shqiptarja.com mëson se Fatjon Mani nuk është nxënës i shkollës "Shejnaze Juka", pra është një person që ka ardhur nga jashtë në këtë aktivitet, me qëllimin për të krijuar situatën që ndodhi. As mosha e tij nuk korrespondon me atë të një gjimnazisti. Anëtari i FRPD-së është pjesë e grupit të militantëve demokratë, që në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, i vunë flakën shkollës "Shejnaze Juka" pasi do të shërbente si KZAZ. E njëjta shkollë që Rudina Hajdari dhuroi 400 libra pas aktit të rëndë.

Debati i plotë
Rudina Hajdari: Të dashur nxënës, të dashur mësues, me qetësi...
(I riu ndërhyn duke folur)
Rudina Hajdari: Hajde, hajde, hajde këtu, hajde ma thuaj këtu
I riu: Shko pas Edi Ramës, Shkodra është e PD-së 
Rudina Hajdari: Ti je djalë i ri dhe nuk duhet të merresh me politikë
I riu: E njeh ti Azem Hajdarin? 
Rudina Hajdari: Më vjen mirë që e njeh Azem Hajdarin
I riu: Unë e njoh por nuk e njeh ti. 
Rudina Hajdari: Tani besoj se ...
I riu: Ai ka luftuar për të sjellë demokracinë, ti je duke kthyer komunizmin, shtojcë e Edi Ramës, je turpi i shqiptarëve...
(Ndërhyn Halit Valteri për ta larguar)
Rudina Hajdari: Të dashur nxënës
(Ovacione në sallë për Rudina Hajdarin)

Në përfundim të këtij aktiviteti, deputetja Rudina Hajdari zgjodhi të mos i japë rëndësi asaj çka ndodhi me të riun, duke e përqendruar fjalën e saj para gazetarëve, tek nevojat e domosdoshme për një arsim me cilësor. Madje bëri të ditur se edhe shkolla me emrin e babait të saj në Shkodër "Azem Hajdari", rrezikon të mbyllet si pasojë e mungesës së kushteve.

"Sot jam te shkolla "Shejnaze Juka'' për të festuar ditën e hapjes së kësaj shkolle, 26 shtatorin, po ashtu u takuam edhe me mësuesit dhe nxënësit. Incidente ka gjithë andej, por kjo nuk na shqetëson fare ne i përballim shumë mirë, u kënaqëm shumë me nxënësit. Por infrastruktura e shkollës është shumë e dobët, cilësia e arsimit ka rënë shumë dhe mendoj se problematika kryesore është kjo. Duhet të bëhet më shumë për cilësinë e mësimit dhe infrastrukturën për të ndihmuar studentët tanë që të përgatiten për një të ardhme më të mirë. Nuk duhet t'i mbyllim dhe braktisim shkollat. Shkollat në 9-vjeçare janë 13 mijë nxënës më pak pasi emigrimi është rritur shumë dhe kjo është për të ardhur keq. Me largimin e shqiptarëve duke e braktisur edhe arsimin e shikojmë më të dobët. Ne duhet të bëjmë akoma më shumë për arsimin, duhet të rrisim buxhetin. Qeveria nuk e ka plotësuar premtimin se buxheti duhet të jetë 5% tani është 3.1%. Qeveria nuk ka vëmendje ndaj arsimit. Do të shkoj të shikoj shkollën "Azem Hajdari", pasi ka rrezik të mbyllet. Të hënën do të jemi në parlament për të folur për këto probleme" tha Rudina Hajdari.

Zjarri ne shkollen Shejnaze Juka me 18 qershor nga militantet e PD-se

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:45
Debati me Hajdarin/ Kush është i infiltruari i PD, pjesë e grupit që i vuri flakën KZAZ-së në shkollë (FOTO)

Shqiptarja.com mëson identitetin e djalit të ri që debatoi me Rudina Hajdarin sot në një gjimnaz në Shkodër. Ai është Fatjon Mani dhe është aktivist i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Ai ishte qëllimisht në aktivitetin në shkollës "Shejnaze Juka", për të debatuar me Hajdarin dhe për ta akuzuar atë si shtojcë të kryeministrit Edi Rama që nuk e do demokracinëdhe kërkon të kthejë komunizmin.

I riu nuk është nxënës i kësaj shkolle, edhe pse është futur në ambientet e shkollës i kamufluar si nxënës i gjimnazit. në rrjetin social ai ka foto me Partinë Demokratike teksa shpërndan të gjitha aktivitetet e liderit demokrat, Lulzim Basha. Rudina Hajdari ruajti qetësinë, madje i dha dhe mikrofonin anëtarit të irrituar të Forumit Rinor të PD. Por më pas nxënësit duartrokitën për zonjën Hajdari.

Fatjon Mani ka qenë i proceduar penalisht më parë, për protestat e djegien të po kësaj shkolle e cila në zgjedhjet lokale të 30 qershorit u dogj nga militantë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike. Rudina Hajdari pasi dënoi këtë akt, dhuroi 400 libra për shkollën të cilës ju vu flaka, pasi do të shërbente si KZAZ.

Ora 13:36
Rudina Hajdari ja merr valles së Tropojës (VIDEO)

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari është bërë njësh me nxënësit e shkollës "Shejnaze Juka", teksa ka kërcyer valle me ta. E shoqëruar edhe nga deputeti i opozitës së re Halit Valteri, të dy kanë kërcyer vallen e Tropojës me nxënësit e shkollës, disa prej të cilëve mjaft të talentuar të veshur edhe me kostume popullore. Deputetja në këtë video që sjell Shqiptarja.com shihet teksa shkëputet nga rreshti i valles dhe kërcen në mes të nxënësve vallen e Tropojës, qytetit prej nga është me origjinë. Këto momente festive u mbajtën pas debatit që Rudina Hajdari pati me një djalë të ri, jo nxënës i kësaj shkolle, që mori pjesë në aktivitet për të ndërhyrë duke e shigjetuar Hajdarin si "shtojcë të Ramës që nuk do demokracinë e vendit".

1569498034_rudinakecen.jpg