Mungesa e meritokracisë në punësim, që sipas Alban Dacit është një nga arsyet pse të rinjtë largohen nga Shqipëria, u bë temë debati me nënkryetaren e Kuvendit, Evis Kushi, në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV.

Daci kritikoi mungesën e transparencës në konkurse dhe lidhjen e dobët të universiteteve me tregun e punës, ndërsa Kushi tha se po punohet për një sistem më të mirë meritokracie në administratën publike, duke paralajmëruar vlerësim të drejtorëve dhe ndryshime aty ku kërkohet një frymë e re.

Për Dacin, problemi nuk është vetëm te kushtet e studimit, për të cilat kërkoi buxhete më të mëdha, por edhe te mundësitë që u ofrohen të rinjve pasi përfundojnë universitetin. Ai tha se bashkëpunimi me sipërmarrjen nuk duhet të kufizohet te praktikat formale, por duhet të krijojë mundësi reale punësimi.

“Problemi i këtyre të rinjve në Shqipëri është që nuk ka asnjë proces meritokracie në asnjë nivel punësimi. Unë dhe shumë të tjerë kemi përfunduar jashtë dhe jetojmë jashtë se s'ka transparencë për konkurset, meritokracinë dhe punësimin”, tha Daci.

Në përgjigje, Kushi tha se synimi është që punësimi dhe karriera në administratë të mbështeten më shumë te merita dhe rezultatet. Ajo bëri të ditur se çdo drejtor do të vlerësohet për punën e bërë, ndërsa ndryshimet do të prekin ato pozicione ku shihet e nevojshme më shumë energji dhe një frymë e re.

“Ne duam të kemi një sistem të përmirësuar të meritokracisë, edhe për punësimin në administratën publike, por edhe për karrierën. Për secilin prej drejtorëve do të ketë vlerësim dhe ata që e meritojnë dhe kanë dhënë rezultate do të vazhdojnë. Aty ku pritet më shumë energji dhe një frymë e re do të ketë ndryshime. Ajo që ne po punojmë për të arritur është një sistem i përmirësuar për të garantuar më shumë meritokraci që në momentin e parë të punësimit”, tha Kushi.


Lajmi kryesor:

'Personat e dhunshëm janë paguar' Evis Kushi për protestat: Ka financim nga krimi i organizuar dhe ndërhyrje të huaja! Dialogu është rruga drejt zgjidhjes