Të konsideruar si mjeti më i fortë propagandistik, filmat e realizuar gjatë diktaturës, janë më të rrezikuarit nga filtri që synon të bëjë Parta Demokratike, përmes Projektligjit të Dekomunistizimit. Në mendime që ndahen, artistët e konsiderojnë këtë masë si ekstreme dhe absurde.

“Deputetët tanë ‘të nderuar’, që janë me shumicë, e që ‘dinë shumë’, kanë marrë përsipër të ngrenë dorën që të ti bllokojnë këta filma. Le ti bllokojnë, por nuk ka sens, nuk ka logjikë që ti bllokosh filmat. Ai që do ta shikojë, e çon stacionin, nëse nuk i pëlqen shikon filma amerikanë. Njësoj për atë që lexon një roman, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, apo që e shikon dhe film, po si pëlqeu ndryshon stacion. E njëjta gjë edhe me piktorët, janë emra si Namik Prizreni, Sali Shijaku, janë me dhjetëra autorët që nuk ke të drejtë  tua bllokosh krijimtarinë”, thotë regjisori Saimir Kumbaro.  

“Unë e quaj pastrim të mjedisit. Ato që konsiderohen vepra të realizmit socialist janë në tërësinë e tyre vepra propagandistike. Institucionet që i kanë bërë, kanë qenë të gjitha të financuara në shërbim të diktaturës”, thotë studiuesi Çelo Hoxha, Drejtor i ISKK-së.

Në projektligj, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është menduar si autoriteti qendror, që do të merret me zbatimin e tij.

Vetëm prodhime filmike, të realizuara nga viti 1945 në vitin 1990, rezultojnë 4024, çka do të donte një numër ekspertësh të konsiderueshëm, që do të përbënin grupet e punës që parashikohen të ngrihen në rast miratimi.

“Autoriteti që krijon, apo që ngarkon me detyra një institucion ka edhe përgjegjësinë, besoj edhe vetëdijen për të ofruar edhe burimet e nevojshme financiare, njerëzore etj. Origjina e realizimit është baza ligjore, nëse ke bazën ligjore thjesht ndiq procedurat edhe bëje”, thotë Çelo.

“Këto grupet e punës më duken si iftaret e dikurshme. Por nuk arsye pse ti ndalojnë! Arsyeja që japin ëhstë absurde. A nëse flasim për filma dokumentar që i bëjnë fresk komandatit Hoxha, partisë etj, dakord. “, thotë Kumbaro.

Ndërkaq, studiuesi Hoxha për mënyrën e pastrimit të artit e kulturës nga veprat me porosi lë të hapur edhe të tjera alternativa. Çështja, nëse arti e kultura e prodhuar në diktaturë, duke iu përmbajtur ideologjive të sistemit, përbën sot rrezik potencial për indoktrinimin e brezave të ardhshëm, gjen përgjigje kontradiktore.

“Mund të bëhen edhe me shpjegim me pulla etj. Por për mua në mënyrë kategorike ato duhet të trajtohen njësoj si veprat propagandistike të regjimit komunist. Të merret përvoja gjermane çfarë u bë me to. A jepen më në televizor të pakontrolluara ato mashtrime?! Por, ka edhe disa gjëra  që është gjynah që po jepen, kur luftojnë italianët me llastiqe. Tregon se ç’lloj vulgariteti ka qenë niveli i krijimtarisë”, shprehet Çelo.

Sa i përket filmave Kumbaro e vë theksin tek dallimi mes fictionit dhe dokumentarit historik. Shoqërimi me shpjegim, është alternativë e pranueshme edhe për artistët.

“Fiction është trillim! Une jam kurioz edhe pyes ndonjëherë brezin tuaj, i them ç’mendim keni ju për filmat. I shikojnë me humor edhe tregojnë se u ajo që i tërheq janë veshjet, bulevardet e Tiranës etj. dhe jo ideologjia”, thotë regjisori .

Edhe rëndesa që do të kishte për krijuesit, heqja nga qarkullimi, ndalimi apo dënimi për shfaqjen e filmave, që përmbajnë ideologji komuniste, shihet ndryshe.

“Prodhimtaria e periudhës komuniste është e jashtëzakonshme, sepse ka investuar shteti. Ata i kanë shërbyer regjimit e janë paguar për atë punë. Pra ata janë detyruar nga regjimi, por kanë bashkëpunuar”, thotë studiuesi.

“Sa mirë do ishte të ishim paguar. E vetmja pagesë e jona ka qenë që vinte një farë Bajrami, që shfaqte filmat në bllok dhe ne me zemër në dorë i thonim: Hë ç’tha komandanti Enver Hoxha. Kur thoshte se kish qeshur, ne qetësoheshim! Filmat i kemi bërë pa shpërblim, por me pasion!”, shprehet regjisori.

Por, duke pasur parasysh se prodhimi filmik nga ’90 deri sot është thuajse 10 fish më pak, aktorët e përfshirë tregojnë nëse një hap i tillë do t’i rëndonte historisë së kinematografisë shqiptare.

“Historia nuk fshihet, por ajo ka qenë një industri që përdoret në dëm të shoqërisë shqiptare. E ka përdorur vetë shoqëria shqiptare për të shkatërruar veten e vet!”, thotë studiuesi.

“Më vjen keq që të përdoret ky film ‘ndalim i filmave’, sepse do binim në një censurë krejt tjetër. Nga ajo ish komunistja, në një neo komunizëm të ri”, shprehet Kumbaro.