Deputeti i kuvendit, Myslim Murrizi ka reaguar pas deklaratave të shumta të ambasadores amerikane, Yuri Kim, duke uruar që zoti t'i japë mundësi e fuqi për të ndihmuar 5 milionë shqiptarë për një demokraci të munguar prej 30 vitesh.

Përmes një statusi ai thotë se deklarata e djeshme e saj është realiteti politik shqiptar prej 30 vitesh e pazaret e pista të politikanëve në kurriz të shqiptarëve. Sipas Murrizit, edhe Reforma në drejtësi e zvarritur dhe mosbesuese në sytë e shqiptarëve, i ka rrënjët tek pazaret e ndyra të palaçove pazarli(politkanëve).

Statusi i plotë i Murrizit:

Mirëse erdhe në Shqiperi Zj.ambasadore e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim. Deklarata juaj e djeshme është realiteti politik shqiptar prej 30 vitesh pazaret e pista të 4-5 palaçove në kurriz të shqiptarëve janë një realitet i hidhur që kanë kapur prej fyti dhe mbajnë peng jashtë Europës një komb në mes të Europës. Reforma Zgjedhore reale është nyja gordiane që qëndron e lidhur në qafën e sovranitetit të votës së shqiptarëve. Ne si popull kemi vuajtur 45 vjet mohimin e zgjedhjes me votë por nga prilli 2008 përsëri shqiptarët nuk zgjedhin me votë, demokracia lind nga vota dhe vdes kur mohohet vota. Sovraniteti i popullit është zgjedhja me votë, jo votimi formal për listat e dy pazarxhinjve që bëjnë sikur shkelin njëri tjetrin me fadroma mbi trupa, por kanë 20 vjet që kanë shkelur mbi shqiptarët. Edhe reforma në drejtësi e zvarritur dhe mosbesuese sot në sytë e shqiptarëve, i ka rrenjët tek pazaret e ndyra të palaćove pazarli “ baballarët dhe mamallarët” e hartimit të reformës në drejtësi, të zgjedhjes së 27 individëve vetingues me integritet të dyshimtë e të munguar, është pazar i pistë mes 4-5 palaćove politikë që të njollosin reformën dhe t'i kenë nën komandë vetinguesit pa integritet.

27 vetinguesit janë votuar me 101 vota pro me datë 17 qershor 2017 nga të treja palët e politikës PS PD LSI falë pazareve të ndyra reciproke për individë me plot probleme në karakter, profesion dhe ligj. Kombi shqiptar është një komb pro amerikan, por politika e pazareve e ka mbajtur larg saj prej vitit që u rrëzua diktatura. Ju uroj mbarësi në misionin tuaj të filluar dje në Shqipëri dhe besoj shumë se do të kontribuoni në të mirë të shqiptarëve duke denoncuar pazaret e një grushti të vogël politikanesh tinëzare, hipokritë, servile kur janë përballë jush e të pa besë pas krahëve, hajdut të rëndomtë të miliarda eurove të taksave të qytetarëve shqiptarë që t'i njohësh më mirë, duhet t'i takosh sa më pak tako me shumë shqiptarë të tjerë për të njohur me rrënjë e dhëmballë këta “pengmarrës” të demokracisë. Shumica e atyre që shqiptarët i presin të jenë subjekt i drejtësisë së re, ishin në ceremoninë e mirëseardhjes tuaj formale-juridike-diplomatike në hotel Rogner.

Për rreth 5 milion shqiptarë dhe një ndër ta edhe unë, ju zj.ambasadore Yuri Kim dje më datë 22 maj 2020 keni filluar punën dhe misionin fisnik por dhe të vështirë të ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqiperinë reale të politikes hipokrite dhe tinëzare. Ndaj me shumë sinqeritet dhe plot shpresë ju uroj punë të mbarë dhe mirëseerdhe në Shqipëri Zj.Yuri Kim ambasadore e SHBA zoti të dhëntë mundësi e fuqi që të ndihmosh 5 milionë shqiptarët për një demokraci të munguar dhe të shumëpritur e të kërkuar prej 30 vitesh.