TIRANË- Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi në detyrë Adriatik Ago, zv/drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA. Numri dy i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, doli para komisionit të Vettingut 5 ditë më parë, ku nuk iu konstatua asnjë shkelje në të trija kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit përjashtoi nga rradhët e uniformave blu shefin e sektorit të ankesave pranë SHÇBA-së, Oltion Shehun për shkak se nuk justifikonte pasurinë.

Për kreun e sindikatës së policisë, Sadedin Fishta, Vettingu në polici po jep efektet e para.

“Vettingu do japë rezultatet e saj. Ai sapo i ka dhënë, por besoj se rezultatet e tij do jenë edhe befasuese në vazhdimësi dhe për individë të veçantë, drejtues policie, për të cilët edhe ne kemi rezervat tona si Sindikatë”, tha Fishta.

Fishta tha se Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit i ka kërkuar Sindikatës informacionet që ata disponojnë për cilindo efektiv policie që do të vetohet. “Komisioni kërkon nga Sindikata informacion të vërtetueshëm për mënyrën funksionale për secilin drejtues, qofshin ata të shërbimit të kontrollit të brendshëm apo të Policisë së Shtetit. Dhe për këtë ne kemi edhe obligimin edhe detyrimin, të drejtën edhe ligjore edhe morale që të shprehemi për secilin në lidhje me performancën, në raportet që ka me ligjin dhe me zbatimin ligjor në të gjitha detyrave që ai ka ushtruar në funksionet që mbulon”, shtoi ai.

Sipas Fishtës, për cilindo rast që do të ketë konfirmim në detyrë nga Komisioni, e ndërsa Sindikata ka prova kundër tyre, do i kërkojë Komisionerit Publik të kryej ankimim në institucionet përkatëse.

Adriatik Ago