TIRANE - Qeveria në reagimin e saj, për pajisjen e familjeve në nevojë më dekodera thotë se garanton të drejtën e informimit dhe se në strategjinë e kalimit të transmetimeve televizive nga  analoge në numerike parahikohet subvencioni i një pjesë të popullsisë.
 
Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha se ky process po favorizon kompaninë “Digitalb”, qeveria thotë se, dekoderat nuk do të kenë përshtatësen për shërbimin me pagesë.
 
Sipas skemës së qeverisë, 84 mijë familjeve në nevojë do të pajisne me këtol lloj dekoderash dhe shuma e vënë në dispozicion është 2.5 milionë euro në total.

Reagimi i plotë:
 Nëpërmjet VKM-së nr. 758, dt. 16.09.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për kryerjen e procedurave të prokurimit për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë përfituese nga skema e ndihmës ekonomike”, garantohet e drejta kushtetuese e çdo qytetari shqiptar për tu informuar nëpërmjet mediave audiovizive edhe mbas dixhitalizimit të plotë të tyre.

Strategjia për kalimin nga transmetime analoge në transmetime numerike kërkon të parashikohet subvencionimi për një pjesë të popullsisë, duke dhënë vlera orientuese të shpenzimeve të nevojshme për disa skema subvencioni. Rreth 84 mijë familje në nevojë, përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, do të pajisen me dekodera (konvertues të sinjaleve analogë në sinjale numerikë) për të pasur akses të plotë në transmetimin e informacionit nga media audiovizive.

Deputeti Sali Berisha pretendon se në këtë proces po favorizohet kompania “Digitalb”, por faktikisht dekoderat të cilët do të shpërndahen qytetarëve në nevojë do të jenë të tipit bazë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë të pajisur me pajisje përshtatëse për dekodera me pagesë.

Ndërkohë, shuma e vënë në dispozicion nga buxheti për të bërë të mundur pajisjen me dekodera të 84 mijë familjeve në nevojë është 350 milionë lekë, pra 2.5 milionë euro në total. Pajisja tërësore e familjeve ne nevojë ekonomike me dekodera do të realizohet ne periudhën nëntor-dhjetor 2015 si dhe gjatë vitit 2016.


*Ne videon bashkangjitur lajmit jane debatet gjate seances parlamentare te se enjtes, mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministres se Inovacionit Milena Harito per procesin e dixhitalizimit

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)