Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për dënimin me burg për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri. Ish-deputeti u dënua nga GJKKO me 3 vite burg, dënim që u reduktua në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të eksponentëve të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Prej muajit shkurt, Jurgis Çyrbja është liruar nga qelia pasi shleu dënimin.
GJKKO vendosi gjithashtu dënimin e Altin Hajrit, një personazh i dyshuar për krim të organizuar me 3 vjet burg, ndërsa për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha u caktua një dënim prej 2.6 vitesh burg. Në Apel Jurgis Cyrbja kishte kërkuar prishje të vendimit dhe rikthim për gjykim.
Altin Hajri kishte kërkuar pafajësi ose ricilësim të veprës penale nga korrupsion në ndikim të paligjshëm ndërsa Ahmet Masha pafajësinë. Sipas prokurorit Adnan Xholi, ish-deputeti Jurgis Çyrbja kishte konsumuar në tetë raste veprën penale tregtim i sekretit shtetëror, në pesë raste veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit si dhe korrupsion zgjedhor në mars të vitit 2021.
Të pandehurit Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha u arrestuan në tetor të vitit 2024, duke zbuluar lidhje të thella dhe bashkëpunim mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.
Komente











