Dekriminalizimi-Balla prezanton draftin, Bylykbashi: Socialistët, mungesë vullneti

Mazhoranca dhe opozita,  as gjatë seancës së sotme plenare, nuk kanë arritur konsensusin e nevojshëm për një draft të përbashkët për dekriminalizimin.
Deputeti socialist Taulant Balla, në emër të mazhorancës bëri të ditur disa ndryshime në draftin e propozuar nga Partia Demokratike.
"Kemi marrë 90 përqind të shqetësimeve të PD në draftin tonë dhe nuk kemi dashur ta bëjmë qesharak këtë proces dhe të nisim t'u kërkojmë kandidatëve shenjat e gishtërinjëve. Ç'lidhje ka kjo?! Shenjat e gishtërinjëve çdo qytetar i lë tek pasaportat dhe policia e Interpoli mund t'i verifikojnë", tha Balla.
Ndërsa Kreu i Komisionit për dekriminalizimin, deputeti i PD-së,  Oerd Bylybashi  akuzoi socialistët për mungesë vullneti për të ndaluar persona të inkriminuar në marrjen e mandatit më 21 Qershor.
"Propozojmë që të gjithë personat që janë dënuar për kryerjen e një krimit të rëndë, qoftë edhe korrupsion, apo edhe vepre të tjera që nuk përbëjnë krim të rëndë të jenë të përfshirë në amendament. dhe bllokimi i tyre të jetë për 20 vite. dhe për ata të dënuar me një krim të kryer me dashje, të pengohen derisa nuk janë rehabilitua. Propozojmë që personat që kanë ende llogari të hapura me drejtësinë edhe në vendet e BE, ka masë sigurie arrest apo janë në kërkim ndërkombëtar, të jenë pjesë e këtij ndalimi", tha Bylykbashi.
 
Më poshtë Projekt-Ligji i plotë i propozuar nga deputeti, Taulant Balla:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. ______/2015
PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008 "KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË", I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81 pika 2, 83, pika 1, dhe 84, pika 4, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.10019, datë 29.12.2008 "Kodi i Zgjedhori Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, bëhen shtesat si vijon:
Neni 1
Pas nenit 184, shtohen nenet 184/1, 184/2 dhe 184/3, me përmbajtje si më poshtë vijon:
"Neni 184/1
Kushtet për kandidim dhe për t'u zgjedhur për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015
1. Për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015, nuk mund të kandidojnë e as mund të zgjidhen personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79 shkronja "c?", 79/a, 79/b dhe 79/c, 109, 109/b, 110/a, 111, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 244, 245, 248, 259, 260, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 te? Kodit Penal;
b) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
c) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat"a"dhe "b" të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015, nuk mund të kandidojnë e as mund të zgjidhen edhe personat për të cilët është në fuqi një urdhër kërkimi ndërkombëtar, brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë, për veprat penale te parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Për personat që parashikohen në shkronjën"a" të pikës 1 të këtij neni, ndalimi për kandidim apo zgjedhje zgjat 20 vjet, nga momenti i kryerjes së dënimit me burg.
4.Për personat që parashikohen nga shkronja "b" e pikës 1 të këtij neni, ndalimi për kandidim apo zgjedhje zgjat 10 vjet nga momenti i kryerjes së dënimit me burg.
5. Për personat që parashikohen nga shkronja"c" e pikës 1 të këtij neni, ndalimi zgjat nga momenti i kryerjes së dënimit me burg deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.
Neni 184/2
Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave të kandidatëve
1.Çdo person që kandidon për kryetar apo këshilltar të njësisë së qeverisjes vendore në zgjedhjet vendore të vitit 2015 ka detyrimin që së bashku me dokumentacionin për kandidim të parashikuar nga ky Kod, të plotësojë një formular vetëdeklarimi me anë të të cilit deklaron pasjen ose mospasjen e një vendimi gjyqësor penal në ngarkim të tij, për veprat penale të parashikuara në pikën 1 dhe 2 të këtij neni.. Mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje. Modeli i formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Afati i paraqitjes së formularit të vetëdeklarimit në KQZ është brenda datës 10.05.2015.
2. Deklarimi i rrethanave të rreme apo të pavërteta në përputhje me këtë nen përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal.
3. Vetëdeklarimi i parashikuar nga pika 1 e këtij neni dorëzohet pranë KQZ dhe administrohet prej saj. Këto deklarime mund të bëhen publike në çdo kohë dhe pa asnjë kufizim para dhe pas datës së zgjedhjeve, me kërkesë të subjekteve zgjedhore. Rregullat për plotësimin, dorëzimin, administrimin dhe publikimin e vetëdeklarimeve miratohen me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
4. KQZ nis verifikimin pranë organeve kompetente që mbajnë të dhënat e gjendjes gjyqësore të shtetasve shqiptarë, jo më vonë se 15 ditë pas administrimit të tyre. Çdo organ shtetëror ka detyrimin që të bashkëpunojë me KQZ-në në verifikimin e gjendjes gjyqësore të shtetasve që kandidojnë në zgjedhjet për një nga organet e pushtetit vendor. Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar përbën vepër penale në përputhje, sipas rastit, me nenet 248 dhe/ose 301 të Kodit Penal.
5. Organet kompetente, përfshirë KQZ-në, kryejnë verifikimet bazuar mbi të dhënat e personave që kandidojnë, duke përdorur çdo të dhënë të disponueshme në dispozicion të tyre si dhe çdo fakt të njohur botërisht apo informacion tjetër të bërë publik në lidhje me personat që kanë kandiduar apo janë zgjedhur në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015. Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
6. Kur organet kompetente vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara sipas parashikimeve të këtij neni, edhe pas përfundimit të mandatit, ato kryejnë kryesisht hetimin dhe verifikimin dhe sipas rastit, administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.
Neni 184/3
Veprimet e KQZ kur verifikohen kushtet per moskandidim dhe moszgjedhje
Kur verifikohen kushtet per moskandidim dhe moszgjedhje në përputhje me nenin 184/1 të këtij Kodi, KQZ kryen veprimet e mëposhtme:
a) refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;
b) heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes vendore;
c) kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:
i) shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen
kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore mbi bazën e votave të marra.
ii) shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet
për moskandidim dhe moszgjedhje sipas këtij neni për një kandidat që nuk është fitues, dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
iii) përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për
këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet duke përjashtuar votat e marra prej tij;
iv) shpall fitues nga lista shumëemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me
kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
ç) shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në përputhje me këtë Kod dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin në përputhje më këtë Kod;
d) shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi përkatës, si dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod."
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI
ILIR META  /atsh/
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike