Banorët e fshatit Bubq edhe sonte do të flenë në qiell të hapur. Ndonëse, nuk ka të dëmtuar fizikisht, situata e 1137 banorëve pas tërmetit, që përshkoi vendin është e rëndë. Mes lotëve edhe dhimbjes ata rrëfejnë për kamerën e “REPORT TV”, se nuk kanë ku të flenë, e as ku të lahen. 234 shtëpi janë dëmtuar, disa plotësisht disa pjesërisht, por të gjitha këto janë të pabanueshme. Teksa na tregojnë se investimet edhe djersën e një jete e kanë derdhur për të ndërtuar këto shtëpi, të bëra para edhe pas viteve ’90, të cilat nuk i shpëtuan tërmetit të datës 26 nëntor, 6.4 magnitudë të shkallës rihter edhe me intensitet ndjeshmërie rreth 8 ballë, shpresa e vetme e tyre këto ditë është një çadër ku të fusin kokën.
“Ne kemi mbetur në qiell të hapur. Deri më sot kemi plotësuar një formular edhe po rrimë brenda në makinë. Kemi dalë nëpër boshllëqet që ishin, ndërsa nuk kanë ardhur ende që të na ndihmojnë, vetëm kanë parë situatën. Është ngritur gjithë fshati duke qarë për ne, sepse kemi hedh këtu tërë djersën”, shprehet një nga banorët e Bubqit, Besim Bardhi.
“Ata erdhën e filmuan, edhe nuk na thanë asgjë as për çadra e as për gjë. Duam një çadër, edhe një zgjidhje”, shprehet një tjetër banor.
Prene Doda rrëfen se në momentin që ra tërmeti e gjeti të zgjuar. “Në fillim thirra nënën, bashkëshorti mori nënën edhe vajzën edhe i uli poshtë. Ne po jetojmë në makinë. Komuna e verifikoi edhe tha që është e pabanueshme. Nuk e dimë se si i bëhet tani. U kemi kërkuar çadra. Ata deshën që të shkojmë të gjithë në një vend, por ne kemi gjë të gjallë edhe plakë të vjetër”, thotë Prene Doda.
Ndërsa, ashtu edhe sikundër rrëfejnë banorët përkrah tyre në këto ditë të vështira, qëndrojnë vëllezërit nga Kosova, të cilët kanë çuar ushqime edhe batanije në çdo shtëpi.
“Kur e dëgjuam u tronditëm, u munduam që të hapnim dyert, por nuk hapeshin. Dhamë alarmin gjithë familjes prej 13 anëtarësh edhe dolën mes tullave që binin. Por deshi zoti pa viktima. Flemë si në eksodin kosovar. Kosovarët na kanë sjellë veshmbathje edhe bukë, një i moshuar na tha: Ua kemi borxh ju shqiptarëve, sepse shqiptarë jemi të dy kombet”, shprehet mes lotëve, Nikolla Doda, i cili kërkon një çadër për 13 anëtarët e familjes.
Kryekomunari Qemal Daci, i cili së bashku me burimet njerëzore pranë kësaj komune, deri më tani kanë inspektuar banesat e shembura edhe është duke punuar edhe për menaxhimin e ushqimeve, veshmbathjeve, edhe 26 çadrave të para që ka dërguar Ministria e Mbrojtjes.
“Janë 234 shtëpi deri më tani, kemi bërë furnizimin me ushqime edhe me ujë, janë duke ardhur çadrat edhe do t’i vendosim ose 1 për dy tre familje, ose kolektive. Ushqime ka pas plotë, të gatshme edhe që presin të gatuhen në kohë të ndryshme. 234 banesa nga 1137 që kanë mbetur jashtë, në total janë 8880 banorë. Shtëpitë nuk janë të dëmtuara të gjitha, ka afër që janë në gjendje ku edhe futen njerëzit”, thotë kryekomunari Daci.
Në fshatin Bubq jetojnë në total 8880 banorë, ku prej tyre 1137 banorë kanë mbetur pa një shtëpi.
Lajmi kryesor: