Këto ditë administrata e Trumpit publikoi dokumentin më të rëndësishëm të saj në politikën e jashtme: Strategjinë Kombëtare të Sigurisë (NSS), dhe pothuaj i menjëhershëm ishte edhe verdikti i establishmentit liberal perëndimor. “Financial Times” konkludoi se “Shtëpia e Bardhë thyen aleancën perëndimore”, “New York Times” tha se “Armiqësia ndaj Evropës është tani politikë zyrtare e Shtëpisë së Bardhë”, “Wall Steet Journal” raportoi se “SHBA-ja përmbys historinë duke prezantuar Evropën - dhe jo Rusinë - si armik”.
Ndërsa, “The Economist” e cilësoi NSS-in si “dokument tërësisht radikal”. Kësisoj publikimi i NSS-it vetëm konfirmoi trendin polarizues në skenën e sotme politike amerikane. Përsëri Trumpi ishte në njërën anë të ekstremit, establishmenti liberal në tjetrën. Dhe ndonëse polarizimi në skenën politike amerikane është bërë normë, risi e ditëve të sotme është se kjo përplasje tash ka “infektuar” edhe politikën e jashtme amerikane. Pra sot edhe një dokument i rëndësisë kyç nacional amerikan, siç është Strategjia Kombëtare e Sigurisë është shndërruar në terren të betejave ditore politike.
Dhe kjo është një risi. Që nga publikimi i parë i NSS-it gati gjysmë shekulli më herët, NSS është parë dhe respektuar si një dokument i interesit kyç amerikan. Si i tillë ai është trajtuar me kujdes nga çdo administratë presidenciale duke synuar që gjithnjë të paraqitet një vizion unifikues amerikan - E Pluribus Unum. Si shumë tradita të tjera politike amerikane, këtë vit Trumpi theu edhe këtë traditë. NSS-i i publikuar i Trumpit është një devijim i madh nga politika tradicionale e jashtme amerikane.
Janë shumë mënyra për të analizuar NSS-in e Trumpit. Por ndoshta më pedantja është që të ndahet analiza e tij në dy pjesë: ajo e tonit apo frymës së dokumentit, dhe ajo e thelbit apo prioriteteve të NSS-it. Natyrshëm duhet filluar nga e para, pasi që ajo vendos optikën përmes së cilës Trumpi sheh botën. Gjëja e parë që impresionon me leximin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së Trumpit është se ajo nuk është strategji. Ajo është shkruar si një pamflet për rrjete sociale apo fushatë zgjedhore. Tradicionalisht NSS-i është shkruar si një strategji që reflekton të menduarit të përmbledhur dhe afatgjatë të aparatit të sigurisë dhe diplomatik të SHBA-së për aspektet kyç të politikës së jashtme amerikane.
NSS-i i Trumpit në gjuhë dhe strukturë duket si një zgjatje e fushatës zgjedhore të Trumpit dhe shpesh lë përshtypje se synimi kryesor i dokumentit është përkthimi i sloganeve dhe tëittave zgjedhore të Trumpit në politikë formale të qeverisë së SHBA-së. Gjysma e parë e dokumentit është e mbushur me temat e vjetra Trumpiane, siç janë “America First”, anti-ëoke, anti-NATO, anti-EU, antielitat liberale dhe antimigrim.
Thënë ndryshe, duket sikur një NSS i përgatitur për rrjete sociale, media dhe fushatë, dhe jo një NSS që artikulon vizion të unifikuar dhe koherent të politikës së jashtme që i harmonizon të gjitha instrumentet e aparatit shtetëror - diplomatik, ushtarak dhe ekonomik - drejt arritjes së objektivave strategjike nacionale. Së dyti, sikur çdo gjë tjetër, Trump ka personalizuar në tërësi NSS-in. Duke lexuar dokumentin njeriu ngelet me përshtypje se ky është dokument personal i Trumpit dhe jo i organeve të shtetit të SHBA-së. Tradicionalisht NSS-i është dokument zyrtar, i cili reflekton interesat dhe synimet e qeverisë amerikane. Kësaj radhe NSS-i është i shkruar në tërësi për rreth figurës së Trumpit.
Fjala që përmendet më së shumti në dokument është “TRUMP”, plot 27 herë. Thënë ndryshe, epiqendra e strategjisë është reputacioni i Trumpit, jo interesat e SHBA-së. Kjo është e paprecedentë në historinë e NSS-it si dokument qeveritar amerikan. Si e tillë strategjia është e shkruar për, dhe në, imazhin e Trumpit. Si pasojë ajo është politikisht më partizane, ideologjikisht e militarizuar dhe tematikisht e varfëruar.
Së treti, NSS-i Trumpit përmbys radikalisht politikën e jashtme amerikane duke zëvendësuar prioritetet tradicionale të politikës së jashtme amerikane me prioritetet e lëvizjes MAGA. Kësisoj zgjerimi i demokracisë zëvendësohet me interesat ekonomike amerikane, aleancat liberale me vlerat konservatore, të drejtat e njeriut me “familjet tradicionale që rritin fëmijët e shëndetshëm”, globalizimi me punëtorin amerikan, ndryshimet klimatike me migrimin, institucionet ndërkombëtare me sovranitetin, ndërsa Kina dhe Rusia nga kërcënim bëhen partner potencial.
Ky është devijim i madh jo vetëm nga NSS-i i Bidenit, por nga vetë NSS-i i Trumpit 1. Së paku tek NSS-i i Trumpit 1 është folur për “regjimet e rrezikshme”, diktatorë, autokratë dhe konkurrencë me fuqitë e mëdha. Sot këto koncepte janë zhdukur. Tek NSS i Trumpit 1 aleatët janë përmendur 75 herë, sot ata përmenden 32 herë dhe shpesh në kontekstin negativ.
Pyetja në fund ngelet se sa seriozisht duhet të marrim NSS-in e Trumpit 2? A është NSS-i përfaqësues kredibil i vullnetit të Trumpit apo thjesht një dokument burokratik të cilin duhet injoruar, në veçanti duke njohur neverinë e Trumpit ndaj politikëbërjes tradicionale të aparatit të shtetit? Thënë ndryshe a është më me rëndësi tëitteri i Trumpit apo NSS-i i SHBA-së? Ironikisht vetë NSS-i jep këtë përgjigje. Te kapitulli “Parimet”, ai thotë këtë: “Politika e jashtme e presidentit Trump është pragmatike pa qenë ‘pragmatist’, realiste pa qenë ‘realist’, parimore pa qenë ‘idealist’, muskulore pa qenë ‘luftënxitës’, e përmbajtur pa qenë ‘frikacak’. Si e tillë ajo nuk bazohet në ideologjinë tradicionale politike”.
Pra, thënë ndryshe, politika e jashtme e Trumpit është çdo gjë dhe asgjë. Është ajo çfarë Trumpi thotë që është. Sot mund të jetë një gjë e caktuar, nesër tërësisht e kundërta. Kësisoj arrijmë në përfundim se asnjë dokument i shkruar apo proces shtetërore amerikan nuk mund të disiplinojë impulsin personal, kaotik dhe transaksional të Trumpit. Rrjedhimisht ndoshta këshilla më e mirë është që për herë të parë të injorojmë NSS-in në tërësi. Këtë në fakt e ka bërë edhe vetë administrata e Trumpit. Ajo publikoi NSS-in më shumë si një obligim procedural sesa një iniciativë serioze strategjike.
Dokumenti u publikua thjesht në ëebsite të Shtëpisë së Bardhë pa asnjë konferencë për media apo e përcjellë nga çfarëdo reagimi të Trumpit apo ndonjë zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Sidoqoftë, përtej këtyre anëve negative të NSS-it, patjetër se në brendësi të tij kishte edhe iniciativa serioze të cilat meritojnë vëmendjen tonë. Por më shumë për këto, në kolumnen e radhës./Koha
Komente








